Lideri i Koresë së Veriut: Përgatituni për “dialog dhe konfrontim” me SHBA-në

Lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong-un ka deklaruar se vendi i tij duhet të përgatitet për “dialog dhe konfrontim” me administratën amerikane të udhëhequr nga presidenti Joe Biden, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në adresimin e tij në takimin e tetë të komitetit qendror të Partisë së Punëtorëve të Koresë (DPRK), Kim për herë të parë tregoi gatishmërinë e tij për bisedime me administratën e presidentit Biden.

“Sekretari i përgjithshëm theksoi nevojën për t’u përgatitur për dialog dhe konfrontim, veçanërisht për t’u përgatitur plotësisht për një konfrontim në mënyrë që të mbrojë dinjitetin e shtetit tonë dhe interesat për zhvillim të pavarur dhe për të garantuar në mënyrë të besueshme mjedisin paqësor dhe sigurinë e shtetit tonë”, raportoi Agjencia Qendrore Koreane e Lajmeve.

Muajin e kaluar, Biden zgjodhi ambasadorin Sung Y. Kim si të dërguar të posaçëm për Korenë e Veriut dhe tha se SHBA-ja dhe Koreja e Jugut janë të gatshme të angazhohen diplomatikisht me Korenë e Veriut.

“Të dy vendet tona kanë një gatishmëri për t’u angazhuar diplomatikisht me DPRK-në për të marrë hapa pragmatike që do të reduktojnë tensionet ndërsa ne shkojmë drejt qëllimit tonë përfundimtar të de-nuklearizimit të Gadishullit Korean”, u tha Biden gazetarëve gjatë një konference për media në Shtëpinë e Bardhë me homologun e tij të Koresë së Jugut, Moon Jae-in.

Në muajin mars, Koreja e Veriut ka refuzuar një ofertë nga SHBA-ja për bisedime, duke theksuar se dialogu do të ishte i mundur vetëm nëse të dy palët vijnë në “bazë të barabartë”.

Në një deklaratë, zv/ministri i Parë i Punëve të Jashtme i Koresë së Veriut, Choe Son Hui tha se Washingtoni që nga mesi i muajit shkurt është përpjekur për kontakte përmes disa kanaleve.

Ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump, zhvilloi tre raunde të njëpasnjëshme bisedimesh me Korenë e Veriut, por në fund të fundit nuk ishte në gjendje të arrijë një marrëveshje mbi programet e saj bërthamore dhe të raketave balistike.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button