fbpx

MESELE KASABASHË

Mileti i kasabave tona i ka qejf meseletë të cilat zakonisht tregohen mes miqsh e të afërmish për të krijuar atmosferë të këndshme dhe dëfryese. Një të tillë, që qarkullon prej vitesh ndër njerëz, po e ndaj sot me ju duke e bërë tharm të kolumnës sime.

Sipas saj, me rastin e një gëzimi, njëri kishte ftuar në ndejë shumë miq të shquar e me autoritet të fituar me vepra konkrete në fushat e ndryshme të jetës. Kishte ftuar dhe një mik jabanxhi, të cilit ia prezantoi me radhë mysafirët tjerë.

  • Ky zotëria, i tha nikoqiri mikut të tij jabanxhi, është profesor i shquar. Ky tjetri është poet i njohur. Ky është përkthyes librash. Ky është teolog me emër. Ky tjetri doktor i madh që ka shpëtuar shumë jetë njerëzish. Ky është inxhinieri për të cilin të fola mbrëmë. Ai atje është pilot, kurse ata pranë tij janë të gjithë kuadro me shkollë, secili më i shquar se tjetri. Janë ajka e shoqërisë sonë e më the e të thash.
  • Shumë bukur, tha i mahnitur miku jabanxhi, po nuk më the kush është ai personi në krye të vendit, të cilin e dëgjojnë me kurreshtje të gjithë të pranishmit?
  • Eee, miku im i çmuar .Ai është njeriu model i pellazgo-ilirëve të sotëm. Është alfa dhe omega e kasabasë Tun-batun. Është bossi bossave.

Kështu e përshkroi nikoqiri i ndejës njeriun e tavolinës së parë me kostum farfuritës, që fliste pareshtur në stilin dardha te kumlla, por miku i tij nuk arriti ta kuptojë me fund, ndaj e pyeti sërish:

  • Pa më thuaj ore kush është ky tipi kaq i rëndësishëm, çfarë është me profesion, si e ka emrin…?
  • Dëgjo, miku im i mirë. Personi në fjalë është i paprofesion. Atij kurrë s’i ka thënë kush puna e mbarë, sepse s’e ka lëvizur një krande nga vendi. Ai është analfabet funkcional që me pordha ia ka dalur të endet nëpër poste të rëndësishme dhe të bëhet milioner – pronar pallatesh, foristradash e patundshmërishë marramendëse. Mjerisht nuk është i vetmi. I ke me bollëk edhe në shtetet tjera ballkanike, po, ashiqare, ne mbajmë rekordin. Të tillëve, qe tridhjetë vjet, mileti u ka vënë emra e mbiemra të njëjtë dhe i quan: p…. nane. Dhe dije, me këta nuk ka shaka, se janë të fortë dhe qëndrojnë mbi ligje e kanune. Kush e çon mirë me ta është mbi kalë. Prandaj e ftova në ndejën e sotme. Prandaj e dëgjojnë të buzëqeshur të ftuarit tjerë. Prandaj disa prej tyre marrin dhe frymë me ritmin e frymëmarrjes së tij. Dhe, nëse insiston bash-bash të jem krejt i sinqertë me ty: prandaj jemi shoqëri ukubete.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button