RMV, premtimet qeveritare që vijojnë të mbesin në letër – dokumente që shpalosen me eufori dhe nuk përmenden më

Në dokumentin qeveritar Agjenda ‘Evropa në shtëpi’, për muajin maj ishin parashikuar disa reforma ose pika, të cilat në vazhdimësi janë premtuar, por pothuajse asnjëherë nuk kanë gjetur zbatim. Portalb.mk edhe për këtë muaj ju sjellë një analizë për afatet e mbajtura ose jo të kësaj agjende. Në kuadër të majit premtimet kishin të bënin me zgjedhjet, gjegjësisht rishikimin e kornizës ligjore për zbatimin e procesit zgjedhor dhe krijimi i një strukture efektive negociuese, por të tre pikat duket se nuk kanë gjetur zbatim të plotë në afatin e paraparë.  

fushën e zgjedhjeve, qeveria kishte paraparë si qëllim “konsolidim i mëtejshëm i kornizës ligjore dhe institucionale për zbatimin e procesit zgjedhor në përputhje me standardet evropiane dhe ndërkombëtare”. Rishikimin gjithëpërfshirës i kornizës ligjore në përputhje me rekomandimet e OSBE / ODIHR dhe Komisionit të Venecias përpara zgjedhjeve të ardhshme.

Por, çfarë ka ndodhur?

Lidhur me këtë çështje, ministri i Drejtësisë Bojan Mariçiq më 9 qershor, tha se palët janë pranë një marrëveshjeje mbi zbatimin e rekomandimeve të OSBE-ODIHR-it në Kodin Zgjedhor, por megjithatë mbetet pjesa më vështirë, dhe kjo është marrëveshja përfundimtare për vetë modelin zgjedhor. Ai theksoi se për çdo ndryshim në rregullat e zgjedhjeve, është e nevojshme të arrihet konsensus dhe të ketë pajtim nga partitë përkatëse politike, gjë që do të jetë e mirë për vendin, për besimin e ndërsjellë dhe që si rekomandim na është dhënë edhe nga Komisioni i Venecias.

“Deri tani janë zhvilluar disa takime me përfaqësuesit e partive politike, ku janë debatuar mënyra dhe dinamika e ndryshimit të modelit zgjedhor. Unë personalisht jam i kënaqur që kemi gjetur gjuhë të përbashkët, përkatësisht jemi afër një marrëveshjeje mbi zbatimin e rekomandimeve të OSBE-ODIHR. Sidoqoftë, tani pjesa e vështirë mbetet dhe ajo është marrëveshja përfundimtare mbi vetë modelin zgjedhor, tha Mariçiq në një konferencë mbi Reformat zgjedhore në Maqedoninë e Veriut.

Qeveria, tha ai, konsideron se tashmë në zgjedhjet lokale anëtarët e këshillave komunal duhet të zgjidhen përmes listave të hapura.

Deklaratat e tilla të ministrit Mariçiq, çojnë në mundësinë që në zgjedhje lokale të shkohet me modelin e vjetër zgjedhor. Shanset për të arritur marrëveshje mbi ndryshimet në Kodin Zgjedhor deri në javën e ardhshme janë të pakta. Ministri i Drejtësisë thotë se ka ende vend për marrëveshje, por nuk ka pritje të mëdha.

Partitë deri më tani kanë arritur marrëveshje për përfshirej të rekomandimeve të OSBE-ODIHR në Kodin Zgjedhor në lidhje me funksionimin e KShZ-së, financimin e fushatës dhe hapësirën mediatike për reklamim, dhe ato priteshin t’i paraqiten Kuvendit brenda javës, por ndërkohë nuk ka asnjë njoftim.

Ministri pretendon se nuk do të propozojë ndonjë ndryshim tjetër pa arritur konsensus me partitë politike që kanë përfaqësuesit e tyre në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve.

Zgjedhjet lokale në vend duhet të mbahen në gjysmën e dytë të tetorit, ndërsa paraprakisht duhet të përfundojë regjistrimi i popullsisë.

Sipas kësaj, shtoi Mariçiq, koha për marrëveshje është me të vërtetë e shkurtër. Ai shprehu shpresë që tashmë në zgjedhjet e ardhshme lokale do të votohet me lista të hapura këshilltarësh dhe se beson se shoqëria e Maqedonisë është e pjekur për përmirësimin e modelit zgjedhor.

Në Ministrinë e Drejtësisë disa muaj më parë u formua grup pune për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, i cili përfshin profesorë, intelektualë, ekspertë.

Me fjalë të tjera, ky afat nuk është respektuar.

Ndërkohë, lidhur me bisedimet qasëse, në këtë dokument ishte planifikuar miratimi i Programit Kombëtar për Miratimin e Acquisit të BE-së (NPAA) 2021-2025 për harmonizimin e tij me Metodologjinë e re të Negocimit KE/BE.

Dhe në këtë drejtim ishin paraparë hapat e mëposhtëm:

  • Përgatitja e NPAA 2021-2025
  • Konsultime publike për NPAA-në 2021-2025
  • Miratimi  nga Qeveria
  • Miratimi nga Kuvendi
  • Paraqitja dhe prezantimi i NPAA-së 2021-2025 në Komisionin Evropian

Megjithatë duket se edhe ky afat është nëpërkëmbur, pasi miratimi i këtij programi nuk është bërë akoma. Konsultimet publike kishin filluar në fund të muajit prill, por nuk është miratuar akoma.

Që ky program nuk është finalizuar dëshmon edhe deklarata e zëvendëskryeministrit Nikolla Dimitrov, i cili më 7 qershor kur foli për Agjendën ‘Evropa në shtëpi’, tregoi edhe ‘planet’ për miratimin e Programit të ri Kombëtar për Miratimin e Acquisit të BE (NPAA 2021-2025) me një perspektivë afatmesme të përshtatur në strukturën e metodologjisë së re të negociatave të pranimit. Me planin për miratim, nënkuptojmë mos-miratimin e tij në afatin që ishte vënë në këtë dokument.

 Portalb, në vijim ju sjell edhe disa pika të pa-zbatuar në afatin e paraparë.

Agjenda: “Evropa në shtëpi”

Dështimi i parë më i madh i kësaj agjende është anulimi dhe shtyrja e regjistrimit të popullsisë. Ashtu sikurse ishte planifikuar edhe në këtë dokument parashihej që afati i zbatimit të këtij procesi të rëndësishëm të jetë prilli i këtij viti. Megjithatë, përmes pazareve politike, Zaev dhe Mickovski, pa konsultim edhe të partive shqiptare, vendosën që ta shtyjnë këtë proces, për të cilin, vetë kryeministri deklaronte se nëse nuk zbatohet tani, mund të mos zbatohet fare. Partitë shqiptare nga ana tjetër, nuk ishin aspak faktor për shtyrjen ose mos-shtyrjen e këtij procesi. Zaevi, përmes një bisede telefonike e informoi Ahmetin për vendimin që kishin marrë me Mickovski, kurse kreu i BDI-së vetëm i shtoi ‘aminin’. Asnjë kundërshtim, asnjë debat. Kështu pra, dështoi një pikë, shumë, po shumë e rëndësishme e Agjendës ‘Evropa në Shtëpi’.

Propozim-ligji për buxhetet, Ener-screenshot

Një datë tjetër e shkelur e kësaj ‘Agjende’,  është ajo e miratimit të Ligjit për buxhetet nga Kuvendi RMV-së, që nënkupton zbatimin e kornizës ligjore për llogaridhënie dhe kontroll mbi shpenzimet e financave publike. Ky projekt-ligj i ka kaluar disa faza, por akoma nuk është miratuar nga ana e Kuvendit. Miratimi i tij ishte paraparë të ndodhë në mars të këtij viti. Porjekt-ligji gjendet në regjistrin elektronik, Ener, por jo edhe në ueb-faqen e Kuvendit. Në regjistrin elektronik, shkruan se afati kohor për hartimin e ligjit është  nga data 10.03.2020 deri më 31.03.2020. Ndërkohë, sipas Agjendës në fjalë, ligji duhej tlë miratohet në mars të këtij viti, megjithatë, edhe pas këtij afati, ky ligj nuk gjendet në ueb-sajtin e Kuvendit.

Muaji mars sikurse edhe për miratimin e ligjit për buxhete, në dokumentin ‘Evropa në shtëpi’, për miratim ishte planifikuar edhe propozimi për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për kontroll të brendshëm financiar publik. Ky ligj, sipas ueb-faqes së Kuvendit, ka përfunduar fazën e leximit të parë dhe është propozuar për lexim të mëtutjeshëm, përkatësisht se akoma nuk është miratuar. Ligji është propozuar në dhjetor të vitit 2019, nga Ministria e Financave, e cila atëherë udhëhiqej nga Nina Angellovska. Në dhjetor të vitit që lam pas, ministri aktual Fatmir Besimi diskutimin  publik të propozim-ligjit, tha se sistem i ri i udhëheqjes llogaridhënëse në menaxhimin financiar dhe kontrollin e institucioneve të sektorit publik do të krijohet me ligjin e ri për sistemin e kontrollit të brendshëm financiar në sektorin publik.

Ligji për kontroll të brendshëm financiar publik

Një pikë tjetër e rëndësishme e këtij dokumenti është draft- programin për harmonizim me të drejtën e BE-së, si dhe rishikimi i mekanizmit për menaxhimin dhe koordinimin e negociatave të pranimit, për harmonizimin e tij me metodologjinë e re të negociatave të KE-BE. Në këtë pikë, Qeveria është përpjekur të angazhohet në afatin e parapraë. Megjithatë ky draft-program, hasi në kritika të shumta nga sektori joqeveritare. Zllate Poposki, specialist i analizave, deklaroi se analizat sistemore janë domosdoshmëri, por për to duhet njohuri. Siç u shpreh ai nuk kish parë askund njohuri që në mënyrë empirike më dëshmon se është ashtu si është shkruar.

“Janë të gjitha përfundime verbale, të bëra copy paste. Shefi kërkon kështu, tjetri kërkon ashtu, por kjo nuk kalon në Evropë. Evropa kërkon bazë, përmbajtje dhe zbatim. Secili ministër të dijë në sektorin e tij çka i mungon”, dekaroi Poposki.

Nga ana tjetër Ardita Abazi nga Instituti për Politikë Evropiane, u shpreh se mbetet sfidë gjuha e shkrimit të dokumentit. Sipas saj, duhet t’i ikim shprehjeve se Kuvendi do ti vazhdojë përpjekjet për sjellje të ligjeve me procedurë të shkurtër, pasi kjo ishte edhe kritikë në raportin e KE-së

Sipas tyre, mungon strategji e qartë rreth shumë çështjeve si korrupsioni, viktimat e dhunës e barazia gjinore.

Ndryshe, dokumentin Agjenda-Evropa në shtëpi”, Qeveria e Maqedonisë së Veriut e shpalosi më 9 mars, në të cilin janë hartuar qëllimet, hapat dhe veprimet për reformën zgjedhore, gjyqësorin, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe fusha të tjera. Ky dokument përveç se ka përmbledhur aksionet dhe reformat që duhet të zbatonin institucionet kompetente, nuk konsiderohet ndonjë risi e veçantë. Janë gjëra, të kërkuara prej vitesh nga Komisioni Evropian për fillimin e bisedimeve qasëse në BE. Ajo që pritej të shihet nga kjo Agjendë është nëse do të respektoheshin afatet për përmbushjen e këtyre qëllimeve që fillojnë nga marsi deri në dhjetor të këtij viti. Por, që duket se që në fillim këto afate mbesin vetëm në letër.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button