RMV, analiza e Komitetit të Helsinkit vlerësoi që pandemia e thelloi pabarazinë e personave me pengesa

Pandemia kovid vetëm i intensifikoi dhe i nxjerri në sipërfaqe problemet me të cilat përballen çdo ditë personat me pengesa, prindërit dhe kujdestarët e tyre, ndërsa shteti ende ngec në përmbushjen e detyrimeve të tij sipas Konventës për të drejtat e personave me pengesa, ka treguar analiza e re e efekteve që ka pasur pandemia mbi personat me pengesa në vend, raporton Meta, përcjell Portalb.mk.

“Masat për të parandaluar përhapjen e kovid-19 dhe për të zvogëluar efektet mbi qytetarët pothuaj as nuk i kanë marrë parasysh personat me pengesa. Kështu, këta qytetarë janë përballur me sfida në qasjen deri te të drejtat dhe shërbimet, mbrojtjen shëndetësore, shërbimet sociale, lëvizjen, financat, punësimin dhe arsimin”, thuhet në analizën e Komitetit të Helsinkit për të drejtat e njeriut.

Drejtoresha ekzekutive e Komitetit të Helsinkit për të drejtat e njeriut, Uranija Pirovska, theksoi se që në fillim të pandemisë, ishte e qartë se më të margjinalizuarit do të vuanin efektet më të tmerrshme.

“Institucionet, posaçërisht ato shëndetësore, u vunë në shërbim të luftës kundër pandemisë. Për këto arsye, personat me pengesa u përballën me pamundësi që të arrijnë deri te shërbimet shëndetësore që u duheshin, si rehabilitimi, që mungonte, pamundësi për qasje deri te pikat e testimit, vështirësi për fëmijët me pengesa për të ndjekur mësimin dhe rritje e shpenzimeve për ilaçe dhe mjete të tjera ndihmëse për të mbijetuar në kohë pandemie”, tha Pirovska.

Damir Neziri, përfaqësues i Fondacionit për demokraci “Westminster”, vuri në pah se elementi kryesor i kësaj analize janë rekomandimet dhe përpjekja për të nxjerrë konkluzione se si institucionet mund të mbështesin dhe të kujdesen për këta qytetarë në periudhën e ardhshme, por edhe lidhur me efektet afatgjate pas krizës.

“Sondazhi tregon se shumë prej të anketuarve janë përballur me situatë të përkeqësuar të punës, përmes pushimeve nga puna, uljes së të ardhurave, uljes së orëve të punës dhe mungesave të punës. Sfida në procesin arsimor ishte mundësia për qasje në mësimdhënie për lloje të ndryshme pengesave dhe mungesa e pajisjeve teknike dhe mbështetjes adekuate. Kjo krizë e thelloi hendekun ekzistues dhe diskriminimin me të cilin përballen personat me pengesa. Për të zvogëluar dëmet e shkaktuara nga pandemia nevojitet veprim urgjent. Në periudhën e ardhshme, është thelbësore që institucionet të përqendrohen në sigurimin e masave që do të zvogëlojnë efektet negative nga kovid kriza mbi këtë grup qytetarësh dhe personat me pengesa të përfshihen në organizatat e tyre përfaqësuese në proceset e vendimmarrjes për politikat dhe programet”, tha Neziri.

Hulumtimi u realizua përmes shqyrtimit të dokumenteve, pyetësorëve për institucione dhe organizata dhe një sondazh në të cilin morën pjesë 219 të anketuar, të cilët janë persona me pengesa ose persona të cilët kujdesen për persona me pengesa.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button