Tre vite nga Marrëveshja e Prespës – për Zaevin historike, opozita shqiptare kërkon fillim të negociatave me BE-në

Marrëveshja e Prespës është historike e cila zgjidhi kontestin tre dekadësh me Greqinë, ka shkruar sot kryeministri, Zoran Zaev me rastin e tre vjetorit të nënshkrimit të saj më 17 qershor të vitit 2018, transmeton Portalb.mk.

“Me kryeministrin e atëhershëm Cipras thamë se nuk do ta vendosim procesin në kutinë e linjave të kuqe. Ashtu bëjnë miqtë, të orientuar kah zgjidhja, drejt kompromisit. Dhe erdhëm deri te zgjidhja. Atëherë kur të gjithë pretendonin se ajo është – e pamundur! I vendosëm fund një kontesti. I vendosëm fund dallimeve shumëvjeçare që ngritën mur i cili i vështirësonte raportet miqësore mes fqinjëve”, ka shkruar kryeministri Zoran Zaev në Facebook.

Edhe ish kryeministri grek dhe lideri i Syrizas, Aleksis Cipras në një intervistë për agjencinë MIA, tha se me Marrëveshjen e Prespës kemi detyruar BE-në të zhbllokojë procesin e zgjerimit, ta përforcojë rolin e tij në rajon dhe të jep dritë të gjelbër, jo vetëm për Maqedoninë por edhe për Shqipërinë.

“Kemi treguar se forcat progresive me të vërtetë mund të ndryshojnë botën dhe se gjetja e marrëveshjeve të pranueshme për të dyja palët është e realizueshme, nëse ekziston respekti. Nuk ishte e lehtë as për mua as për Zoranin, as për Nikos Kocijasin dhe Nikolla Dimitrovin”, deklaroi Cipras.

Ai shtoi se, fatkeqësisht tashmë një kohë më të gjatë shohim tendenca për kthim në të kaluarën me ngrirjen e konferencës ndërqeveritare nga ana e Bullgarisë.

Ndërkohë, opozita shqiptare në tre vjetorin e Marrëveshjes së Prespës ka drejtuar kritika se edhe pas tre viteve, ende nuk është arritur qëllimi kryesor i Marrëveshjes së Prespës dhe vendi është ende larg hapjes së bisedimeve me BE-në edhe pse për tre vite.

“Fryma e Marrëveshjes së Prespës duhej të reflektonte edhe në raport me të gjitha vendet fqinje, përmirësimin e komunikimit, zgjidhjen e kontesteve, avancimin e marëdhënieve bilaterale dhe rajonale, realizimin e projekteve të përbashkëta zhvillimore dhe integrimin e rajonit në Bashkimin Evropian. Ashtu siç vepruam që në ditët e para, me mbështetjen e Marrëveshjes dhe votimin e ndryshimeve kushtetuese, kur votat tona ishin vendimtare, Aleanca për Shqiptarët do të vazhdojë të kontribuojë në realizimin e kësaj marrëveshje. Si parti opozitare, ndër të rrallët dëshmuam sesi interesi i vendit dhe qytetarëve vendoset mbi atë partiak, e që fatkeqësisht nuk ndodhi njëjtë edhe nga ana e pushtetit. Ngecja e reformave, krimi dhe korrupsioni, partizimi i drejtësisë, diskriminimi etnik e politik, janë vetëm disa nga njollat që rrezikojnë vetë Marrëveshjen e Prespës dhe të ardhmen e vendit, siç pretendohej tre vite më parë”, kanë thënë nga Aleanca për Shqiptarët.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button