Solstitium

Ditët e gjata të verës janë këtu. Fëmijët kanë mbaruar shkollën dhe tani ditët e tyre të gjata janë të lira për aktivitete të ndryshme. Në kohën e teknologjisë është mirë të mendojmë për atë se si i kalojnë këto ditë fëmijët, veçanërisht kur ka kaq shumë kohë për të bërë shumë gjëra, e mbi të gjitha për të eksploruar botën që i rrethon.

Në kohën e fëmijërisë sonë nuk kishte shpërqëndrime kaq të thella të vëmendjes si që ka tani, sepse teknologjia në atë kohë ishte diçka dytësore dhe jo esenciale si në kohën e tashme. Muajt e verës kalonin me aktivitete të ndryshme ku vet fëmijët duhej të jenë shumë kreativë për t’i plotësuar ditët e gjata. Askush nga ne nuk kishte pritshmëri se prindët duhet të meren me ne gjatë kësaj periudhe, e as gjatë periudhave tjera, normalisht. Ishte një lloj pavarësie e madhe e cila na lejonte të jemi jashtë gjithë ditën, të krijojmë miqësi e raporte të reja socializimi, të gjindemi e të mbijetojmë në ato raporte, e mbi të gjtiha të kënaqemi me dlirësinë e shkurtër të fëmijërisë. Pjesëtarët e gjeneratës X dhe Y mund t’i kujtojnë me mall ato kohëra kur fëmijët nuk ishin nën surveijm 24/7 dhe kur ishin tërësisht të lirë të jenë vetvetja.

Në kohën e sotme, fëmijët që i përkasin gjeneratës së re që bota tash më e quan gjenerata Alfa, fëmijë e lindur dhe të rritur tërësisht në mileniumin e ri, shpesh herë nuk njohin momente të tilla të pavarësisë së plotë e as mundësinë që vet të kujdesen për të plotësuar ditët e veta. Shpesh na ndodh që ata i mësojmë me një kujdes të tepruar: kujdesen prindërit për plotësimin e ditës së tyre, kujdesen për lojërat që duhet t’i luajn, shpesh bile luajnë së bashku me ta, kujdesen për vendet që duhet t’i frekuentojnë, për aktivitetet që duhet t’i bëjnë, për ushqimin që duhet ta konsumojnë, e për gjithçka tjetër. Është një lloj parazitizmi që u imponohet fëmijëve në këtë mënyrë, duke i bërë të jenë gjithmonë të varur dhe të paaftë për t’u kujdesur për veten, të paaftë bile edhe për të menduar vet me kokën e tyre. E pastaj themi që duhet të investojmë në ngritjen e mendimit kritik dhe në pavarësimin e të rinjve, kur që në fëmijëri ata i kemi mësuar të jenë pikërisht të varur dhe jokritikë.

Këto ditë të gjata vere më kujtojnë kohën kur vera kalohej duke luajtur me shokët e duke lexuar. Nuk kishte asgjë më të bukur se kalimi i orëve të tëra në kopshtet e gjelbëra që nuk ishin kaq të ralla në qytet sa tani, me një batanije poshtë nesh dhe me një libër të trashë në duar. Solsitet e kishin pikërisht këtë kuptim, shumë orë me dritë natyrore për të bërë atë që na krijonte kënaqësi. Nuk kishte ekrane që ta mbanin vëmendjen tonë të ngujuar, prandaj e gjithë vëmendja i kushtohej Viktor Hygosë, Shekspirit dhe Hesses. Ishte kënaqësi e veçantë vetë mendimi se ke kohë të mjaftueshme për të bërë gjithçka që dëshiron.

Mendoj që nuk duhet t’ua shkurjtojmë këtë kënqësi fëmijëve tanë. Mendoj që duhet t’i mësojmë sa aset i çmuar është koha, sa të çmuara janë këto orë të gjata të ditëve verore, të cilat megjithatë kalojnë shpejt. Ka aq shumë shpërqëndrime që i pengojnë edhe fëmijët e vegjël ta shijojnë jetën, prandaj gjëja më e mirë që mund t’i mësojmë ata është të ndalen, të marrin frymë, të shikojnë rreth vetes, ta shohin botën me shqisat e tyre dhe jo vetëm përmes ekranit, dhe mbi të gjitha, ta njohin veten. Sepse ashtu si ka thënë një i mençur dikur, të gjithë vdesin një ditë, por jo të gjithë jetojnë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button