Kurti për deklaratën e Kosnett: Nuk mund të ketë Asociacion një-etnik

Kosova nuk mund të ketë Asociacion mbi baza etnike, ka thënë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pasi sipas tij, kërkesat për Asociacion një-etnik nuk po vijnë nga njerëz të thjeshtë, por nga politikanët e fqinjët veriorë.

Komentet e kryeministrit Kurti vijnë pas deklarimit të ambasadorit amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, i cili tha të mërkurën se Kosova e ka detyrim të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, transmeton REL.

“Nuk mendoj që është e mundshme në rendin juridik dhe kushtetues të Kosovës të ketë Asociacion mbi baza etnike. Mund të ketë Asociacion të komunave mbi baza zhvillimore, mund të ketë mbi baza gjeografike. Ta zëmë Asociacion të bjeshkëve të Rugovës, të Maleve të Sharrit ose të Lumit Lepenc. Por Asociacion mbi bazë etnike nuk mund të kalojë as sa i përket frymës e as germës së Kushtetutës së Kosovës”, ka thënë kryeministri Kurti për agjencinë e lajmeve Kosovapress.

Sipas tij, edhe aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese, i publikuar me 23 dhjetor të vitit 2015, ka konstatuar se nuk mund të krijohet një Asociacion i tillë.

Të mërkurën, më 17 qershor, ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett ka thënë për Radion Kontakt Plus se “Shtetet e Bashkuara besojnë se Kosova e ka detyrim të formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe”.

“Ne besojmë se vendet e kanë detyrim t’i respektojnë marrëveshjet dhe obligimet e ndërmarra më parë”, ka thënë Kosnett.

Në vitin 2013, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Në vitin 2015, dy vendet, nën ndërmjetësimin e BE-së, kanë arritur edhe një marrëveshje shtesë për themelimin e tij.

Por, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se parimet për të nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, edhe pse ka thënë se ato mund të harmonizohen me një akt ligjor të Qeverisë së Kosovës.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili kryeson delegacionin e Serbisë në dialog, insiston në formimin e Asociacionit.

Edhe Bashkimi Evropian, si ndërmjetësues i procesit, ka përsëritur në disa raste se marrëveshjet e arritura, duhet të respektohen.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button