SHBA-ja dhe Rusia ranë dakord për rikthimin e ambasadorëve

Pas takimit me Presidentin amerikan Joe Biden presidenti rus Vladimir Putin njoftoi se ata kishin rënë dakord në samitin e tyre në Gjenevë që ambasadorët e të dy vendeve do të riktheheshin respektivisht në Moskë dhe Uashington. Ambasadorët ishin kthyer para disa muajsh në vendet e tyre për shkak të rritjes së tensioneve mes të dy vendeve. Rikthimi i ambasadorëve konsiderohet si shenja e parë shtensionimit.

Tre muaj më parë Rusia e thirri ambasadorin e saj në Uashington Anatoli Antonov për konsultime në Moskë. Ky veprim erdhi pasi Biden iu përgjigj gjatë një interviste në muajin mars me po pyetjes, nëse ai e konsideronte Putinin si “vrasës”. Përveç kësaj qeveria amerikane vendosi sanksione të reja kundër Rusisë për shkak të një sulmi kibernetik si dhe për ndërhyrje në zgjedhjet në SHBA, transmeton DW.

Moska i hodhi poshtë akuzat duke i quajtur masat ndëshkimore shkelje të ligjeve ndërkombëtare. Si përgjigje qeveria ruse vendosi gjithashtu sanksione dhe ndër masat e tjera dëboi nga vendi edhe disa diplomatë amerikanë. Ministri i Jashtëm, Sergei Lavrov i kërkoi gjithashtu edhe ambasadorit të SHBA, John Sullivan të largohej nga Moska. Sullivan u largua nga kryeqyteti rus në muajin prill.

Takimi i parë – shumë tema

Putini dhe Bideni u takuan në Villa La Grange, të ndërtuar në shekullin e 18-të. Takimi i parë i të dy krerëve të shtetit në vilën luksoze me pamje nga Liqeni i Gjenevës zgjati disa orë dhe përfshiu një gamë të tërë temash: nga çështjet e kontrollit të armëve bërthamore dhe të drejtat e njeriut deri te konfliktet rajonale në Afganistan, Siri dhe Libi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button