fbpx

Shkup, është hapur kopsht i ri për fëmijët në komunën Shuto Orizare

Në komunën Shuto Orizare në Shkup u hap kopshti i ri i fëmijëve “8 Prilli”, i cili do të ketë kapacitet për rreth 300 fëmijë, ndërsa do të shfrytëzohet edhe pjesa që u ndërtua për qendrën për kujdesin e qindra fëmijëve që janë të ekspozuar ndaj rrezikut shoqëror, raporton Anadolu Agency (AA).

Hapja e kopshtit të ri në komunën e cila kryesisht banohet nga pjesëtarë të komunitetit rom, bëhet pasi kopshtin e vjetër të fëmijëve e kaploi zjarri në vitin 2017.

Ceremonia e hapjes u ndoq nga kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jagoda Shahpaska, kryetari i komunës së Shuto Orizarit, Kurto Dudush, zv/ambasadori norvegjez në Beograd, Geir Hakon Johansen si dhe përfaqësuesja e UNDP-së, Narine Sahakyan.

Kryeministri Zaev shprehu kënaqësinë që një kopsht i ri modern për fëmijë po hapet në komunën e Shuto Orizarit.

“Me krenari mund të njoftoj se nga sot fëmijët nga kjo komunë me 22 mijë banorë, kryesisht nga kategori me gjendje të rënduar, do të kenë mundësinë të qëndrojnë në një kopsht modern, të konceptuar sipas standardeve më të larta për arsim parashkollor. Unë jam i kënaqur që ky është kopshti i vetëm që ka përfshirë të gjitha standardet për të cilat po flasim dhe është i pari në Maqedoninë e Veriut, pikërisht këtu në Shuto Orizare”, tha Zaev.

Ai theksoi se shpreson që hapja e këtij kopshti për fëmijë të ketë ndikim pozitiv në aktivizimin e të papunëve nga komuniteti rom, veçanërisht grave.

Zaev njoftoi se së shpejti do të fillojë të funksionojë qendra e parë e kujdesit ditor për fëmijët në rrezik shoqëror, e cila pritet të strehojë rreth 100 fëmijë nga kategoritë më të rrezikuara. Këtu, fëmijët do të mund të qëndrojnë, studiojnë dhe marrin kujdesin e duhur.

Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jagoda Shahpaska tha se ajo që ka një rëndësi të veçantë, është se kopshti i fëmijëve është i përshtatshëm edhe për fëmijët me nevoja të veçanta.

“Kjo tregon se sa i rëndësishëm është çdo fëmijë në vend për ne. Për më tepër, një projekt i ri do të nisë në këtë kopsht, i cili do të nënkuptojë zbatimin e reformës sociale, që është Qendra Ditore për Fëmijët në Rrezik Social”, tha ministrja Shahpaska.

Përfaqësuesja e UNDP-së, Sahakyan tha se organizata që ajo përfaqëson ka punuar për çështjen e romëve në vend për vite me radhë.

“UNDP ka punuar për çështjen e romëve në vend dhe në rajon për më shumë se një dekadë. Që nga viti 2012, UNDP-ja ka bërë përpjekje për të tejkaluar pengesat për qytetarët romë për të hyrë në tregun e punës”, tha Sahakyan.

Kryetari i komunës së Shuto Orizarit, Kurto Dudush shprehu mirënjohje për të gjithë ata që ndihmuan në ndërtimin e kopshtit, duke theksuar se komuniteti është përballur me vështirë pasi kopshtin e vjetër e kaploi zjarri.

Ministria e Punës dhe Politikës Sociale mori pjesë në pajisjen e kopshtit në vlerë prej 6.5 milionë denarë ndërsa aktivitetet ndërtimore u realizuan me një fond prej 1.5 milionë dollarësh nga Ambasada e Mbretërisë së Norvegjisë në Beograd përmes UNDP-së.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button