Vuçiq: Kuvendi i Serbisë diskuton për Kosovën më 22 qershor

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se Kuvendi i Serbisë, më 22 qershor, do të mbajë një seancë, në të cilën do të flitet “detajisht” për dialogun me Kosovën.

Vuçiq tha se në këtë seancë do të diskutohet për “çdo çështje me rëndësi për situatën në Kosovë” dhe se ai do t’i paraqesë planet dhe idetë e Serbisë, transmeton REL.

Të martën, Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u takuan në Bruksel, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

Në takimin e parë të tyre u shprehën vetëm qëndrimet dhe pritjet e palëve, ndërsa u arrit pajtim vetëm për mbajtjen e takimit të radhës në muajin korrik.

Vuçiq tha se pala kosovare ka shkuar në Bruksel “me dëshirën për ta detyruar delegacionin e Beogradit që t’i linte bisedimet”.

Ai tha se Serbia refuzoi njohjen e Kosovës, por edhe propozimin për deklaratën e paqes.

Vuçiq po ashtu tha se gjatë javës së ardhshme do të mbahen “disa takime të mëdha me serbët e Kosovës”.

Kurti, pas takimit me Vuçiqin, tha se arritja e marrëveshjes me Serbinë do të jetë e vështirë, por shtoi se nuk është pesimist se një gjë e tillë nuk mund të realizohet.

Ai tha se marrëveshja përfundimtare duhet të përfshijë njohje të ndërsjellë dhe të finalizohet sa më shpejt.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button