Filloi samiti Biden-Putin

Në Gjenevë të Zvicrës ka filluar samiti ndërmjet presidentit amerikan, Joe Biden dhe homologut të tij rus, Vladimir Putin.

Me të filluar takimi, Biden tha se është “gjithmonë është më mirë të takohemi ballë për ballë”, ndërsa Putin tha se shpreson që “takimi do të jetë produktiv”, transmeton REL.

Bisedimet mbahen në një kohë kur raportet mes të dyja vendeve janë në pikën më të ulët që nga periudha e Luftës së Ftohtë.

Takimi i 16 qershorit mbahet vetëm disa muaj pasi presidenti amerikan tha se besonte se homologu i tij rus është një vrasës.

Putini vazhdon të fuqizojë dominimin e tij mbi sistemin politik të vendit, duke shtypur aktivistët e opozitës, siç është rasti i Aleksei Navalnyt, dhe duke kufizuar lirinë e mediave.

Biden është presidenti i katërt i SHBA-së që takohet me Putinin.

Një zëdhënëse e presidentit amerikan ka thënë se Shtëpia e Bardhë nuk synon “rivendosjen e raporteve me Rusinë, por as përshkallëzimin e tyre”.

Që nga betimi i tij në pozitën e presidentit në muajin janar, Biden ka vendosur dy raunde sanksionesh ekonomike ndaj Rusisë.

Mëgjithatë, SHBA-ja ka rënë dakord që të zgjasë traktatin e ri të kontrollit të armëve START. Biden gjithashtu ka refuzuar të bllokojë përfundimin e gazsjellësit rus “Rrjedha Veriore 2”, i cili do të rrisë eksportet e gazit rus në Gjermani.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button