Abazi: Buxheti i Komunës së Çairit jotransparent, më shumë harxhohet për rroga se sa investime kapitale

Kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu edhe pse gjatë fushatës zgjedhore të zgjedhjeve të kaluara lokale, premtoi se kjo komunë do të jetë transparente, buxheti i Komunës së Çairit i publikuar në ueb faqe nuk flet një gjë të tillë. Kjo gjë është konstatuar edhe në hulumtimin e fundit të Qendrës për Komunikime Qytetare, i cili e rangon këtë komunë si institucion me transparencë të dobët. 

Këshilltarja e Aleancës për Shqiptarët në këtë komunë, Bujare Abazi tha për Portalb.mk se, propozim buxhetit duhet ti paraprijnë programet gjë që nuk ka ndodhur për këtë mandat të Visar Ganiut për mos të folur rreth tribunave dhe diskutimin me qytetarët për propozimet, sugjerimet, nevojat në komunë, të cilat mund ti japin kahje investimeve kapitale.

Sipas saj, buxhet është jo zhvillimor, jo investues, jo kapital, i koncentruar në rroga të përkohshme dhe me harxhime të shumta rrjedhëse teknike.

“Mbi 30 milion denarë paga për punëtorë me kontrata, mbi 8 milion denarë për shpenzime për zyre dhe tjera rrjedhëse, miliona denarë tjera për shpenzime dytësore e shumë pak mjete për projekte infrastrukturore, ujësjellës, rrjet kanalizimi, për gjelbërim aspak vetëm disa nga donacione apo nga buxheti i qytetit te Shkupit. Me kërkesë tonë ka filluar të publikohet edhe në faqen zyrtare të komunës. Siç edhe mund ta shihni, në fillim u publikonte vetëm arsyetim buxheti pa pasqyrën e qartë të të hyrave dhe të të dalurave. Mirëpo ende është larg transparenca në Komunën e Çairit” deklaroi Abazi.

Sipas saj, një pjesë e konsiderueshme e buxhetit shkon për rroga, ndërsa shkurtohen mjetet për investimet kapitale.

“Nëse ia hidhni një sy faqes e shihni se më tepër ka të bëjë me bashkëpunime që komuna ka me institucione tjera. P.sh. donacione nga Ministria e Arsimit nëpër shkolla, nga Ministria e Politikës Sociale nëpër çerdhe, investimet e qytetit të Shkupit nëpër bulevardet e shumë pak do gjeni investime nga komuna direkte. Me shume bindje mund të themi se 100 % realizohet në programet e rrogave dhe shpenzime tjera, ndërsa edhe te ato pak investime kapitale qe planifikohen me rebalance i shkurtojnë që në fund të vitit realizimi të jetë sa me i madh. P.sh. këtë vit dhe gjate vitit paraprak u shkurtuan mjetet për bibliotekën që duhej të ndërtohej në Çair, asnjë parking në kate të premtuar nga ato katër, shumë lagje pa rrjet të ujësjellësit dhe kanalizimit e kështu me radhë”, tha ajo.

Buxheti i komunës  përfshinë të hyrat nga tatimet, taksat dhe shpërndarjen e mjeteve materiale në formë të pagave, obligimeve si dhe investimeve.

Qendra për Komunikime Qytetare (QKQ) në raportin e fundit, ka publikuar rangimin e rregullt vjetor të institucioneve sipas Indeksit të Transparencës Aktive, gjegjësisht sipas publikimit proaktiv të informatave nga karakteri publik, të përpunuar në mars të vitit 2021, në të cilën janë të përfshira 98 institucione, gjegjësisht Qeveria dhe të gjithë ministritë dhe komunat. Në këtë rangim, Komuna e Çairit bën pjesë në grupën e institucioneve me transparencë të dobët dhe ndodhet në vendit e 85, prej gjithsej 97.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button