Projekti i vjetër me paketim të ri

Projekti i ri hegjemonist serb quhet “Bota serbe”. Është projekt i vjetër me paketim dhe emërtim të ri, i cili e parasheh krijimin e një Serbie të Madhe. Ai është ideuar nga qarqet intelektuale, kishtare dhe politike serbe, kurse afirmohet nga historianë dhe nga ministri i brendshëm i Serbisë Aleksandar Vulin.

Ky projekt, siç thuhet, parasheh “zgjidhjen e çështjes serbe”, “pengimin e krijimit të Shqipërisë së Madhe” dhe “garantimin se serbët nuk do të përjetojnë gjenocid tjetër”. Mali i Zi, Republika Srpska dhe një pjesë e Kosovës, sipas projektit, duhet t’i takojnë shtetit serb, ndërkaq Maqedonia e Veriut duhet të jetë kulturalisht njëfarë shteti satelit i Serbisë.

Sipas analistëve, elitat politike dhe intelektuale serbe besojnë se pasi Serbia është forcuar politikisht, ekonomikisht dhe ushtarakisht duhet që ta shfrytëzojë rastin për realizimin e projektit të lënë përgjysmë nga autoritetet paraardhëse.

Ministri serb, Vulini, ka thënë: “Nuk është zgjidhje që të gjithë serbët të jetojnë në shtete të huaja, por shumica e serbëve duhet të jetojnë në shtetin e tyre”.

Ky ministër me diskurs shovinisti, që shpesh i ka fyer shqiptarët, është quajtur edhe kloun politik. Sipas analistëve, çdo pushtet në Serbi qëllimisht i prodhon klounë politikë për t’i afirmuar përcaktimet strategjike të politikës zyrtare serbe. Millosheviqi e kishte Sheshelin, kurse Vulini e afirmon atë që e mendon dhe nuk mund ta thotë Vuçiqi.

Projekti “Bota serbe” dëshmon se Serbia nuk heq dorë nga ideologjia e vjetër. Për ta realizuar projektin nacionalist me paketim dhe emërtim të ri, ajo vazhdimisht ndërhyn në punët e brendshme të shteteve fqinje, armatoset, krijon probleme në rajon dhe shfaqet si “superfuqi” rajonale.

Nga nxënësit e Sheshelit nuk mund të pritet diçka e re. Ata duan ta imponojnë projektin e ri edhe në dialogun me palën kosovare. E theksojnë se nga dialogu duan “të fitojnë diçka”. Kjo “diçka” është një pjesë të Kosovës. Ashtu sikurse kishte kërkuar Dobrica Qosiqi që në vitet ’90 dhe, siç shkruan në ditarin e tij, një kërkesë e këtillë kishte zgjuar interesim edhe te disa qarqe diplomatike.

Ideologët serbë vazhdimisht kanë përpiluar projekte të këtilla. Për shkak të tyre janë krijuar lumenj gjaku njerëzish të pafajshëm. Projekti i ri është sofistikuar, mjetet mund të ndryshojnë, por qëllimi është i njëjtë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button