Komisioni ende s’ka caktuar seancën për Ligjin e nënshtetësisë, opozita dhe Zaev shqyrtojnë mundësinë që ligji të ridërgohet me flamur evropian

Dy javë pas ndërprerjes së seancës së Komisionit parlamentare për Mbrojtje dhe Siguri, kryetari i komisionit ende nuk ka caktuar vazhdimin e seancës, në të cilën duhet të diskutohen amendamentet për propozim ligjin për nënshtetësi. Kryeministri, Zoran Zaev tha se momentalisht janë në rrjedhë konsultimet nëse ka mundësi që propozim ligji për nënshtetësi të tërhiqet nga Kuvendi dhe të dërgohet sërish, por me flamur evropian, nëse ajo është në pajtueshmëri me direktiva të caktuara dhe rregullativa të Bashkimit Evropian, shkruan Portalb.mk.

“Nëse ekziston mundësi e tillë, edhe pse ajo është propozim i Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës, ne nuk kemi problem, pasi e kemi harmonizuar së bashku, ta lëshojmë të njëjtin propozim ligj me flamur evropian. Por, momentalisht po bëhen verifikime, konsultime me shërbimet profesionale, me legjislacionin, me SÇE, që të shihet nëse ka aty direktiva apo rregullativa të definuara në mënyrë të saktë, precize dhe të qartë”, tha Zaev.

Ai u shpreh optimist se Kuvendi në një mënyrë ose tjetër, do të gjejë mundësi të votojë për këtë propozim ligj pavarësisht asaj që dikush e bllokon për arsye të pasqarueshme.

Ndërkohë, deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Syrja Rashidi deklaroi sot se, nuk heqim dorë nga ky ligj, ndërsa theksoi se janë në bisedime me kryetarin e komisionit përkatës dhe presim që vazhdimi i seancës të vazhdojë së shpejti. Megjithatë, ai theksoi se, nëse vazhdojnë bllokadat do të shqyrtojnë edhe mekanizmat tjera ligjore për ta kaluar këtë propozim ligj.

“Ne jemi në bisedime me kryetarin e komisionit dhe presim dita ditës të thirret komisioni. Por, gjithashtu kemi thënë se jemi serioz në këtë qasje dhe nuk do të heqim dorë nga ky ligj dhe jemi të gatshëm t’i shqyrtojmë të gjitha mundësitë tjera alternativat tjera të cilat i parasheh edhe rregullorja e Kuvendit për të kaluar një ligj të tillë.  Edhe mundësia që ligji të shqyrtohet me flamur evropian për ne nuk është e papranueshme. Por, gjithashtu vazhdojë të theksojë që ligji të shqyrtohet në komision dhe apelojmë të gjithë subjektet politike në Kuvend që të kenë mirëkuptim, te kenë tolerancë dhe këtë ligj ta kalojnë ashtu si jemi marrë vesh”, deklaroi Rashidi.

Ai u bëri thirrje subjekteve politike që të jenë konstruktive dhe të mos e përdorin propozim ligjin në fjalë për përfitime politike.

“Në komisionin amë për mbrojtje dhe siguri filloi debati për propozim ligjin për nënshtetësi, në fakt shqyrtimi i amendamenteve të komisionit si rezultat i marrëveshjes të opozitës shqiptare dhe qeverisë dhe ajo që ndodhi në komision e pat që kishte tentativa për ta bllokuar këtë ligj dhe ne apelojmë që debati për këtë ligj të vazhdoj, apelojmë te kryetari i komisionit që ta thirr komisionin të vazhdojë debati. Njëherit, apelojmë te të gjitha subjektet politike në Kuvend që të heqin dorë nga bllokada e ligjit, të kenë qasje konstruktive, ta lexojnë ligjin drejt dhe jo mbrapsht dhe të japin kontribut konstruktiv që ky ligj të kalojë.  Për ne janë të patolerueshme tentativat të përfitimeve të ulëta politike ditore në një ligj i cili në fund zgjidh hallet dhe problemet e qytetarëve të këtij vendi të cilët nuk kanë shtetësi”, tha ai.

Seanca e fundit Komisioni për Mbrojtje dhe Siguri, që u mbajt më 2 qershor ku duhej të diskutohej rreth amendamenteve të opozitës shqiptare për Ligjin për nënshtetësi, u ndërpre pas tensionimit të situatës mes deptutëve të opozitës shqiptare dhe atij të partisë “E majta”, Dimitar Apasiev. Edhe pse kryetari i Komisionit, Mile Talevski, hapi diskutim për amendamentin e parë të propozuar nga opozita shqiptare, Apasiev vazhdoi me diskutime procedurale dhe vërejtje të tija se pse nuk duhet të sillet ky ligj. Kjo solli deri në zënkë verbale mes Apasievit dhe opozitës shqiptare, të cilët kërkonin që Apasiev të flas për amendamentet, me çka kryetari e ndërpreu seancën dhe tha se për vazhdimin e saj do të informojë në mënyrë shtesë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button