fbpx

Rastet e gjuhës së urrejtjes në RMV, “ngufaten” në Prokurori (VIDEO)

Prokuroria vazhdon të mos i procesuojë rastet e gjuhës së urrejtjes dhe rrjedhimisht me këtë në Maqedoninë e Veriut vazhdon të mos ndëshkohet gjuha e urrejtjes, pavarësisht se është vepër penale. Gjuha e urrejtjes është zvogëluar në mediat tradicionale, por vazhdon të rritet në ato online. Këtë e thanë mes tjerash panelistët në uebinarin “Si ta luftojmë gjuhën e urrejtjes?”, të organizuar nga projekti i “Metamorfozis” – Mendim kritik për qytetarët me shkathtësi mediatike – KriThink dhe moderuar nga kryeredaktorja e Portalb.mk, Elida Zylbeari.

Profesori universitar, Sefer Tahiri, gazetarja Zërijeta Jajaga dhe hulumtuesi mediatik i OJQ Civil, Petrit Saraçini, sot në uebinarin online diskutuan për mosreagimin e institucioneve ndaj gjuhës së urrejtjes, shpërndarjen e saj nëpër rrjetet sociale, por edhe media, përgjegjësinë e gazetarëve dhe reagimin e opinionit për këtë problematikë.

“Në 2-3 vitet e fundit kemi ulje të gjuhës së urrejtjes, ekziston, por jo në masën që ishte gjatë regjimit të kaluar. Gjuha e urrejtjes është e pranishme në portale, internet, rrjete sociale, televizion, radio, media të shkruara, fjalimet politike, mitingje, protesta e kështu me radhë. Roli i mediave është shumë i madh në përhapjen e gjuhës së urrejtjes. Për këtë, gazetarët, redaktorët dhe kryeredaktorët si kreatorë të politikës editoriale kanë përgjegjësi të madhe para se gjithash para publikut, pasi që gjuha e urrejtjes ka ndikim negativ dhe shumë të dëmshëm nëse përhapet nëpërmjet mediave. Ata nuk duhet të jenë që ta përhapin gjuhën e urrejtjes. Kur shkruajnë për tema sensitive shoqërore duhet të jenë të kujdesshëm. Kur raportojnë duhet ta identifikojnë gjuhën e urrejtjes te të tjerët, në këtë rast duhet ta bëjnë me dije se kush bën gjuhë të urrejtjes. Porositë nëse në mënyrë të drejtpërdrejtë mbajnë gjuhë të urrejtjes nuk duhet t’i publikojnë. Gjuha e urrejtjes nuk nënkupton lirinë e shprehjes, në fakt liria e shprehjes nënkupton përgjegjësinë shoqërore – publike”, tha mes tjerash profesori Tahiri.

Gazetarja Jajaga, e veçoi gjuhën e urrejtjes në aspektin gjinor, por theksoi se mungon edhe veprimi sistematik i institucioneve përkatëse.

“Ngujimi si pasojë e pandemisë duket se është shndërruar në një shkrepës që i ka dhënë flakën përdorimit të gjuhës së gjuhës së urrejtjes në më shumë dimensione, politik, etnik dhe veçanërisht gjinor. Do të ndalem te aspekti gjinor sepse duket se gjuha e urrejtjes në këtë dimension është më i finguar e i padukshëm, por në realitet mbetet dimensioni më i atakuar, pasi që pak flitet ose ka guxim nga persona të caktuar që këtë gjuhë të urrejtjes ta denoncojnë para institucioneve ose para opinionit pasi që kemi të bëjmë me një atakim ose goditje të dyfishtë nga ata që e denoncojnë dhe pala tjetër e cila e nxit realitetin ose gjuhën e urrejtjes.  Si gazetarë, pavarësisht tendencës, mungon një monitorim sistematik i vazhdueshëm online, nga aspekti institucional. Pas çka do të vinin në veprim institucionet përkatëse në rastet kur të përdoret gjuha e urrejtjes. Në realitet, institucionet duhet që të veprojnë sa herë që mund të paraqitet si dukuri në shoqëri. Ata që janë pjesë e institucionit të drejtësisë nuk e kanë të qartë se çfarë nënkupton dëmi emocional. Në këtë situatë ky dëm mbetet i papërfillshëm”, tha Jajaga duke shtuar se duhet të investohet në edukimin e qytetarëve për gjuhën e urrejtjes.

Në lidhje me mosndëshkimin e gjuhës së urrejtjes në RMV, aktivisti Saraçini theksoi se Prokuroria është vendi ku ngufaten rastet që kanë të bëjnë me gjuhë të urrejtjes dhe se ata nuk kanë kapacitete të mjaftueshme.

“Ekziston mosdënueshmëri dhe këtu kemi një diversitet të fajeve dhe përgjegjësive. Kemi një departament në kuadër të MPB-së në të cilin procesuohen rastet potenciale të gjuhës së urrejtjes, por ka kapacitet të cunguar, edhe pse i ka në dispozicion mjetet më të sofistikuara. Prej atje, rastet pastaj dërgohen në Prokurori dhe aty ngulfatet procesi. Prokuroria ka rezervë të futet në rastet e këtilla për shkak të dilemave për prekjen e lirisë së shprehjes. Ajo që ndodh është mungesë e resurseve, mjeteve të hetimit, të cilat ndoshta janë në MPB, por Prokuroria është shumë më mbrapa”, theksoi Saraçini.

Ai gjithashtu shtoi se redaksitë duhet që t’i moderojnë komentet, gjegjësisht t’i fshijnë ata të cilat përmbajnë gjuhë të urrejtjes, pasi që sipas Gjykatës Evropiane, faji është edhe i atij që përdor gjuhë të urrejtjes, por edhe ai që ia lejon ta bëjë atë.

Ndryshe, sipas Kodit Penal, për vepër penale përhapje të informacioneve raciste dhe ksenofobisë në internet parashihet dënim me burg prej 1 deri në 5 vjet. Portalb.mk ndër vite shkruan për problematikën e gjuhës së urrejtjes dhe të gjitha pasojat që kjo e fundit i sjellë shoqërisë multietnike të Maqedonisë së Veriut. Është shumë e rëndësishme të ndërmerren masa në mënyrë që kjo dukuri të minimizohet dhe këto vepra penale të mos jenë kaq të theksuara në vend.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button