Bjondina Sherifi: Shkruaj një realitet që është kudo, por, jo shpesh flitet për to (VIDEO)

Shkrimet online janë bërë një fenomen i njohur për të gjithë artistët e rinj. Kjo, si një mundësi shumë e mirë për të gjithë ata të cilët kanë talent për të shkruar. Këtë e bën edhe Bjondina Sherifi, 25-vjeçarja nga Kumanova, e cila është shkrimtare dhe mësimdhënëse e gjuhës angleze. Bjondina tash e disa vjet të gjitha shkrimet e saj i publikon në blogun e saj online. Për Portalb, ajo rrëfeu më shumë për talentin e saj për të shkruar.

“Të shkruarit e kam pasur pasion dhe dhunti që e vogël. Isha dhe jam e dashuruar pas librave, leximit dhe botën e thellë të të shkruarit. Kur lexoj romane, pos që ndjej veprën, gjithashtu më intereson më shumë nga ai/ajo që qëndron pas kësaj vepre. Si është ndjerë shkrimtari kur shkroi veprën dhe çka e bëri ta shkruajë këtë vepër. Si e vogël e dija që një ditë do të bëhem një e tillë.” tha Bjondina.

Ndër shkrimet e para të cilat i publikoi Bjondina ishin „Me kan femer“ dhe „Terri“. Me këto dy shkrime, ajo shfaqi veten dhe e pa sa do i duan lexuesit shkrimet e saj. Bjondinës i pëlqen të shkruajë në dialektin geg dhe të gjitha shkrimet e saj mund t’i gjesh në këtë formë.

“Shkruaj çfarëdo që ndiej dhe mendoj që duhet të ndahet me lexuesit. Çka mendoj se bën dallimin tek shkrimet e mia nga të tjerët është se prek tema që ndoshta shpeshherë nuk tingëllojnë aq bukur. Rrallë i ilustroj dhe zbukuroj gjërat. Shkruaj një realitet që është kudo, por, jo shpesh flitet për to.” u shpreh Sherifi.

Kur shkruan, Bjondina insporohet nga çdo gjë që rrethon jetën e saj. Problematikat, ngjarjet sociale, njerëzit që takon dhe historitë e tyre. Tabutë që nuk duhet të jenë të tilla dhe fenomenet që kemi ne si popull.

“Shkrimet e vogla që kam, vazhdoj t’i publikoj online në rrjete sociale dhe në blogun tim. Ende nuk kam botuar ndonjë vepër timen se vazhdom të më duket vetja jo e gatshme për të botuar një vepër. Mendoj që nuk më takon të botoj libër, pa u ndje gati. Përndryshe, do më dukej sikur po fyej artin dhe madhështinë e tij.” tha Bjondina.

Mesazhi që Bjondina përcolli për të gjithë artistët e rinj është:

“Mos u ndalni duke i shprehur vlerat dhe talentin e tyre. Pavarësisht çfarëdolloj  vështirësije që mund të hasin, është mirë që t’i shfaqin vlerat të cilat i posedojnë. Këtë ta bëjnë për të mirën e vetes, por, edhe për të mirën e vendit!” përmbylli Bjondina Sherifi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button