RMV, vitin e kaluar 125 persona humbën jetën në aksidente trafiku

Sipas të dhënave të Këshillit Republikan për Siguri në Komunikacionin Rrugor (KRSKRR) në periudhën nga 2010 deri në vitin 2020, më shumë viktima në komunikacion kishte në vitin 2013, dhe më pak në vitin 2020. Kjo, deklarojnë nga KRSKRR, do të thotë se siguria e trafikut rrugor në Maqedoninë e Veriut po përmirësohet. Sipas të dhënave të Këshillit, vitin e kaluar kanë vdekur 125 persona në aksidente trafiku, përcjellë Portalb.mk.

“Nëse merret parasysh fakti që në periudhën nga viti 2002 deri në vitin 2020 numri i automjeteve në vend është dyfishuar nga 250.000 automjete të regjistruara, në rreth 550.000 automjete të regjistruara, ndërsa numri i të vdekurve në aksidente rrugore në vitin 2002 sillej në 176, kurse në vitin 2020 – 125 persona të vdekur, atëherë mund të konkludohet se siguria rrugore po përmirësohet, por ende niveli i dëshiruar i sigurisë rrugore nuk është arritur”, thuhet në deklaratën e KRSKRR-së.

Nëse nisemi me supozimin se Maqedonia e Veriut ka 2.000.000 banorë, thonë nga KRSKRR-së, kjo do të thotë që në vend vitin e kaluar kishte 6.25 persona të vdekur në aksidente trafiku për 100.000 banorë.

“Mesatarja e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian është 5 të vdekur për 100.000 banorë. Është e rëndësishme të theksohet se, me përjashtim të vendeve skandinave, të cilat kanë 3 viktima për 100.000 banorë, shumë shtete anëtare të BE-së kanë të njëjtin nivel ose nivelin e ngjashëm të sigurisë rrugore si Republika e Maqedonisë së Veriut, kurse disa madje janë edhe më të pasigurta. Nëse numri i personave të vdekur në aksidente trafiku për 100.000 banorë merret si tregues, me përjashtim të Sllovenisë, e cila tregon nivel më të lartë të sigurisë së trafikut rrugor, Republika e Maqedonisë së Veriut, tregon nivel më të lartë të sigurisë së trafikut rrugor në raport me të gjitha vendet tjera në rajon”, thuhet më tej në deklaratë.

Statistikat me të cilat disponon KRSKRR tregojnë se nga 125 personat e vrarë, 57 vdiqën në vendngjarje dhe 68 jashtë vendngjarjes. Nga të vdekurit, 20 ishin këmbësorë, 18 motoçiklistë, 5 motoçiklistë, 6 shoferë traktori, etj. Sipas moshës, shumica – 41 persona, ishin të moshës 41-54 vjeç, tre persona të moshës deri në 14 vjeç dhe shtatë persona të moshës 15 deri në 19 vjeç

Më shumë të vdekur ka pasur në gusht – 19 dhe korrik – 17, kurse më pak në mars – pesë persona të vrarë në aksidente trafiku. E diela me 28 dhe e shtuna me 21 viktima janë ditët më të pa sigurta, kurse e marta me 13 viktima është dita më e sigurt. Më kritike në vitin 2020 u tregua të jetë periudha nga 13:00 në 14:00, periudhë në të cilën 12 persona vdiqën si pasojë e aksidenteve të trafikut.

Sipas statistikave të OBSH-së, çdo vit në të gjithë botën, rreth 1.3 milion njerëz humbin jetën në aksidente trafiku, ndërsa rreth 50 milion janë të plagosur në aksidente trafiku.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button