Zaev: Nuk ka alternativë dhe as plan ‘B’ për në BE

Kryeministri Zoran Zaev deklaroi se për Maqedoninë e Veriut nuk ka as plan B dhe as alternativë tjetër për në BE, duke shtuar se dëshiron që më 22 qershor të mos ketë veto nga Sofja, megjithëse pritjet për gjetjen e zgjishjes deri në qershor nuk janë edhe aq të mëdha, përcjellë Portalb.mk.

“Nuk ka plan B, as alternativë për në BE, vetë anëtarësimi në BE do të thotë evropianizim i Maqedonisë së Veriut, nuk duam të jemi anëtarë vetëm për shkak të anëtarësimit në BE, ne duam të jemi anëtarë për shkak të evropianizimit të vendi që do të ndodhë përmes hapjes dhe mbylljes së kapitujve dhe ta sjellim Evropën në Maqedoninë e Veriut”, tha Kryeministri Zoran Zaev në një intervistë për MIA-n.

Kryeministri theksoi se dëshiron që të mos ketë veto nga Sofja 22 qershor, gjegjësisht Këshilli për çështje të përgjithshme i BE-së të marrë vendim për fillimin zyrtar të negociatave, por edhe nëse nuk arrihet zgjidhje, të paktën për të diskutohet dhe të presim qeveri politike në Bullgari.

“Më 11 korrik kanë zgjedhje, pasi të formohet qeveria, qeveri politike e cila me të vërtetë do të vazhdojë dhe të gjejë zgjidhje përfundimtare, atë mund ta bëjmë në shtator, tetor, dhjetor të këtij viti, është e rëndësishme që qytetarët të njohin realitetin, pasi me të vërtetë nuk jemi larg, dhe as problemi nuk është diçka e veçantë. Unë shpesh them se është qesharak, por problemi është se nuk ka parlament dhe as qeveri politike dhe është problem për vendimmarrjen”, tha Kryeministri Zaev.

Kryeministri theksoi se në kuadër të atyre përpjekjeve, deri në fund të kësaj jave do të vizitojë Sofjen.

Kujtojmë se Maqedonia e Veriut, i ka përmbushur kushtet dhe ka marrë dritë jeshile për fillimin e negociatave me BE-në. Megjithatë, ky proces ka mbetur në vend numëro pasi Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Tito. Paraprakisht, në një dokument gjashtë faqe, me arsyetime të gjata historike për “ideologji shtetërore antibullgare” në Maqedoninë e Veriut, Bullgaria u dërgoi memorandum sqarues vendeve anëtare të BE-së në prag të vendimit për fillimin e negociatave me Unionin.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedono – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Krerët e Maqedonisë së Veriut, megjithëse tentuan të zbusin tensionet, sërish u shprehën se nuk do të negociojnë për identitetin e tyre, pasi kjo bie ndesh me parimet themelore të vetë-përcaktimit dhe standardeve të BE-së.

Përfundimisht nga agjenda e Këshillit Evropian u hoqën edhe konkluzat për Ballkanin Perëndimor më 18 dhjetor, pasi nuk kishte unanimitet te anëtarët e Bashkimit Evropian.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button