fbpx

Vaksina me 90% efikasitet kundër të gjitha llojeve të virusit korona

Kompania bioteknologjike Novavax thotë se një studim i ri tregon se vaksina e saj kundër koronavirusit rezulton të jetë e efektshme ndaj të gjitha varianteve, raporton VOA. Në studimin e zhvilluar në Shtetet e Bashkuara dhe Meksikë morën pjesë afro 30,000 njerëz. Sipas rezultateve të publikuara të hënën, vaksina ishte 90% e efektshme.

Kompania amerikane Novavax njoftoi të hënën se vaksina e saj kundër koronavirusit rezulton të jetë 90.4% efikase. Në studimet e kryera me pjesmarrjen e afro 30 mijë njerëzve, 77 individë u infektuan me koronavirus, 14 prej tyre në grupin e vaksinuar dhe pjesa tjetër në grupin e atyre që nuk morën vaksinën.

“Rezultatet kryesore nga studimi tregojnë një efikasitet prej 90% në përgjithësi. Kjo është një shifër e lartë, pasi kishte shumë variante të virusit në qarkullim gjatë provave klinike”, tha Stanley Erck, drejtori ekzekutiv i i kompanisë.

Sipas kompanisë, vaksina është e efektshme kundër gjithë varianteve. Po ashtu ajo ofron mbrojte ndaj atyre që zhvillojnë simptoma të moderuara dhe të rënda të sëmundjes. Më parë kompania pati publikuar të dhëna nga studimet në Britani dhe Afrikën e Jugut.

Rezultatet e shumëpritura në Shtetet e Bashkuara vijnë ndërsa kërkesat në vend për vaksina kanë rënë në mënyrë dramatike, duke lënë shumë qytete me një tepricë dozash. Rreth 64% e të rriturve në ShBA kanë marrë të paktën një dozë, ndërsa 54% janë vaksinuar plotësisht, sipas Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.

Megjithatë, shumë shtete në botë po përpiqen të vaksinojnë banorët e tyre dhe i kanë varur shpresat tek vaksinat e ndryshme.

“Nevojitet përhapja globale e vaksinave, veçanërisht në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme. Vaksina jonë është veçanërisht e përshtatshme, pasi është e qëndrueshme në temperaturat e frigoriferëve të zakonshëm”, thotë shefi ekzekutiv Stanley Erck.

Gjatë tremujorit të tretë të vitit, Novavax ka në plan të aplikojë për autorizimin e përdorimit emergjent të vaksinës në Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera.

Kompania me bazë në Maryland kishte njoftuar më parë për vonesa në procesin e prodhimit të vaksinave dhe parashikon që të prodhojë 100 milionë doza në muaj deri në fund të tremujorit të tretë dhe 150 milion doza në muaj deri në tremujorin e katërt.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button