Nuk je më bebush..!

Arlind Musliu

Ne si duket kemi ngelur në foshnjëri, atëherë kur vetëm duhej të qanim dhe nëna menjëherë na jepte qumësht, na shëtiste, na ndërronte pelenën, na këndonte ninullë dhe na vinin në gjumë. Kjo taktikë si duket ka ngelur pjesë e jona dhe assesi nuk mundemi ta largojmë nga vetja. Ne ende mendojmë se po të qahemi, po të pikëllohemi, po të bëhemi nervoz, bota do ndalojë, të gjithë do i lejnë anash obligimet e tyre dhe do merren me problemin tonë. Më fal që po ta them unë, por kjo nuk ka mundësi.

Jo, mos mendo se ti je ndryshe, mos ja bëj qejfin vetes tani. Gati se çdokush te ne e ka këtë problem. E më e keqja është ajo se prindërit vazhdojnë të na lazdrojnë dhe të sakrifikohen për ne. Kjo sakrificë e tyre në fakt na ka bërë neve të jemi të mangët në jetë dhe të mos e kuptojmë esencën e saj. Ne presim që e gjithë mëhalla jonë të habitet me ne dhe të jetë në harmoni me kërkesat tona. Ne duam që në shkollë mësuesja të kujdeset veçanërisht për ne duke anashkaluar të tjerët. Sipas nesh, ajo nuk duhet të na bërtet edhe nëse bëjmë probleme. Ne mendojmë se nxënësit e tjerë duhet të jenë në shërbimin tonë sa herë që na nevojiten dhe assesi të mos na ngacmojmë. E jo vetëm kaq, por nëse ne i ngacmojmë, ata duhet të durojnë. Me këtë çmenduri vazhdojmë në shkollë të mesme e në fakultet, duke pritur gjithmonë që të tjerët të kenë kujdes se si na trajtojnë, gjoja ne jemi anëtarë të familjes mbretërore e ata janë shërbëtorët tanë.

Por, përderisa në shkollë të mesme e kuptojmë pjesërisht, në fakultet e ndjejmë pak më shumë se bota nuk rrotullohet rreth nesh. E kërcejmë edhe diplomimin disi, pak me ryshfet, pak me njohësi e pak me dredhi. Pastaj vjen punësimi, ku përsëri mundohemi të gjejmë forma të ndryshme që të punësohemi në institucione të shtetit. Kështu ndoshta shpëtojmë disa muaj apo vite derisa ta kuptojmë se sa e vështirë është jeta, por nuk kalon shumë që të arrijmë aty. E nëse punësohemi në sektorin privat, atëherë takohemi më shpejtë me botën reale. Dhe kur e arrijmë këtë fazë, duket sikur gjithçka fillon nga e keqja.

E pra, a e kuptuat se ku është problemi. Ne jemi ende bebushat e vegjël të mamit, që shpresojmë se duke qarë e duke u ankuar do të zgjidhet çdo problem që kemi. Por jo, kjo nuk ka mundësi të ndodh, sepse bota nuk funksionon ashtu. Ne duhet të mësohemi të marrim përgjegjësi për veprimet tona e të mos varemi nga ndihma e të tjerëve. Duhet të bëhemi të përkushtuar në mësime dhe në punë. Ta kuptojmë një herë e përgjithmonë se sprovat nuk zhduken, por jemi ne ata që duhet të mësojmë ti përballojmë ato. E kur ta kuptojmë qëllimin tonë në këtë botë, atëherë do çlirohemi nga prangat tona. Ne kemi ardhur këtu që të sprovohemi se a do jemi të përkushtuar në rrugën e drejtësisë, mëshirës dhe zhvillimit. Arsimi nuk duhet të jetë vetëm obligim ligjor institucional, por zgjidhje personale me bindje të plotë. Ne duhet të japim maksimumin tonë që të shkëlqejmë në arsim dhe shkencë, jo që të garojmë me të tjerët, por me veten, sepse çdokush ka aftësi të veçanta dhe mundësi të ndryshme.

E kur të punësohemi, nuk duhet ta bëjmë vetëm për përfitim material. Punën tonë duhet ta bëjmë me përkushtim, me sinqeritet dhe me gëzim. Të mundohemi të përsosim aftësitë tona që të jemi më të dobishëm për institucionin ku punojmë, qoftë ai publik apo privat. Duhet ta kuptojmë se ne nuk punojmë për drejtorin apo shefin, por për veten tonë. Nëse në vend të ankesave do mundohemi ta shohim anën pozitive, do të ndjehemi më të lumtur. Jeta është e gjatë, duhet ta jetojmë çdo moment të vetëdijshëm për mirësitë e shumta që i kemi nga Zoti. Sikur të numërojmë mirësitë dhe të mendojmë rreth tyre, besoni se nuk do kemi kohë të mendojmë për brengat. Prandaj, ji falënderues, e mos u qaj për gjithçka, sepse nuk je më bebush!

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button