fbpx

Borisov: Paramendoni se jeni maqedonas dhe që fqinji u bllokon

“Vetëm ne, GERB, mund ta përfundojmë këtë punë – edhe të mos jetë në dëm të Bullgarisë, edhe t’u lëshojmë udhë vëllezërve tanë”, rekomandoi para zgjedhjeve Borisov, në ditëlindjen e tij.

 Dëshirë për t’u zhbllokuar rruga evropiane e Maqedonisë së Veriut apo tentativë e shkathët parazgjedhore për ta rekomanduar GERB si partinë e vetme evropiane që mund të jetë motor tërheqës për shoqërinë bullgare dhe rrugën integruese të Maqedonisë?

Këto çështje i imponuan deklaratat e ish kryeministrit bullgar dhe liderit të GERB, Bojko Borisov, që i dha në takimin e djeshëm me përfaqësues të forumit rinor partiak dhe kandidatëve të partive të reja për deputetë nga Sofja, transmeton Portalb.mk.

Takimi u mbajt ditën e lindjes së Borisovit (13.6.1959), i cili dje mbushi 62 vjet dhe me atë rast u dha të rinjve sheqera, lëngje dhe këshilla, me ç’rast thuajse gjysma e bisedës ishte kushtuar temës për Maqedoninë e Veriut.

Nëse merret parasysh që në takim ka qenë “mysafir” edhe një kamerë, është krejtësisht e qartë që Borisov ka dashur të dërgojë mesazh publik për qëndrimet e tij. Ndërkaq, tani ato janë ndryshe nga koha kur ai e udhëhiqte qeverinë e Bullgarisë, e cila e bllokoi fillimin e negociatave të Maqedonisë me BE-në.

Mos të urrehemi

Uverturë në këtë temë jep “raporti” i njërit nga të rinjtë i cili sqaron se në takimet ka biseduar për temën që e ka më së shumti afër zemrës – për Maqedoninë.

“Thash që është shumë e rëndësishme Maqedonia të hyjë në BE për shkak se ne jemi një popull në dy shtete, mes nesh nuk mund të ketë kufij, por në të njëjtën kohë ajo që po ndodh atje, sipas meje është e papranueshme”, thotë përfaqësues i rinisë së GERB, duke theksuar që nuk lejohet librat bullgar të ndalen në kufirin e Maqedonisë.

Sipas tij, GERB është partia e vetme e cila e para i ka dhënë perspektivë evropiane Maqedonisë së Veriut dhe është në gjendje ta përfundojë atë proces, duke e mbrojtur interesin nacional bullgar.

Me këtë ndërlidhet Borisov dhe e kritikon presidentin bullgar dhe qeverinë teknikë. 

“Dje mu paraqit Zoran Zaev, për shkak se tani autoritetet ndoshta përpiqen të gënjejnë shumë njerëz. Për arsye se mënyra si i konstruktojnë gjërat në fund do të jetë ose shumë e keqe për Bullgarinë ose do të bëjmë popujt e dy vendeve më të afërta të urrehen ndërmjet vete në dekadat vijuese. E vërteta është që Marrëveshja jonë për fqinjësi të mirë ishte hapi më i mirë. Edhe qëllimi ynë strategjik është aderimi i Maqedonisë së Veriut dhe i Shqipërisë në BE”, deklaroi lideri i GERB.

Më tutje në bisedë, nga ana e tij më së shumti dominojnë mesazhet kundër urrejtjes, burimin e të cilave e detekton te presidenti i shtetit.

“Ju, të rinjtë, duhet të bëni gjithçka që është e mundur që gjeneratat e tashme dhe të ardhshme të mos urrejnë njëra tjetrën. Radev e ndau shtetin në gjithçka (…) Tani e ndanë popullin edhe për temën ‘Maqedonia e Veriut’. Çka është më mire – të kesh shtet fqinjë  anëtar të BE-së dhe NATO-s ose jo? Fillojmë nga korniza. Prandaj e kemi nënshkruar Marrëveshjen për fqinjësi. Në këtë moment unë mendoj që i gënjejnë. Mirëpo, të presim Këshillin evropian më 24 dhe 25 qershor. Para kësaj është Samiti i NATO-s në Bruksel. Shpresoj që kanë guxim dhe shkathtësi për t’i udhëhequr negociatat që do t’i mbajnë dy popujt e këtyre dy vendeve fqinjë – Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut, më miqësorët”, thotë Borisov.

Ai e thekson edhe rolin e madh që e ka pasur qeveria e tij në proceset në rajon.

“Keni harruar, kurse nuk ishte para shumë kohe, 4 vitet e fundit derisa qeverisnim ne, Bullgaria ishte favorit në Ballkan. Këtu janë mbajtur 40-50 takime, jemi takuar në çdo 4 muaj – Serbia, Rumunia, Greqia dhe Bullgaria për projekte, për të demonstruar vullnet të mirë. Ne ishim forcë udhëheqëse e Ballkanit. Tani, politikën që e bëjnë do të bëjë të urrejmë njëri tjetrin. Dhe pastaj për çka do të shërbejnë projektet evropiane?”, pyeti Borisov.

Nga kolegët e rinj partiakë, kërkoi të imagjinojnë veten në pozitë të maqedonasve.

“Paramendoni se ju jeni maqedonas. Dhe fqinjët, njerëzit më të afërt ju thonë: ‘Nuk do të shkoni në Bashkimin Evropian. Nuk do të shkoni aty.’ A do të na duan? Dhe prandaj përpiqemi me Zoran Zaevin dhe me Stevo Pendarovskin, kuptohet të veprojmë në mënyrë që gjërat të lëvizin nga poshtë lartë. Po, historia është jashtëzakonisht e rëndësishme. Mirëpo, lërini historianët ta kryejnë punën e tyre”, thotë Borisov.

Faji është 50-50

Sipas incizimit të publikuar, asnjë nga të pranishmit nga dega rinore e GERB nuk e pyeti Borisovin përse në mandatin e tij u bllokua fillimi i negociatave të Maqedonisë së Veriut me BE-në dhe përse komisioni i përbashkët për çështje historike dhe arsimore është nën presion të vazhdueshëm për rezultate të shpejta nga ana bullgare. Mirëpo, më vëmendje e dëgjuan këshillën e tij për rëndësinë e të ardhmes së integrimeve.

“A e dini sa vite kaluan nga luftërat? Kur erdhi presidenti serb, Boris Tadiq këtu (…) kur është nisur për në Bullgari, nëna e tij i ka thënë: ‘Bëj kujdes, nuk ka më të këqij se bullgarët’. Ende është i pranishëm kujtimi nga luftërat te gjeneratat e vjetra. A dëshironi edhe ju të rriteni në mjedis të tillë? Për shkak se Radev është duke i hutuar njerëzit. Ende i pranojnë, ende nuk do t’i pranojnë. Këtu ka Marrëveshje për fqinjësi të mire. Kjo është pika më e rëndësishme. Ashtu është krijuar BE-ja nga shtetet të cilat kanë luftuar më së shumti – Gjermania, Franca, Britania e Madhe, Spanja, lufta shekullore… Ju nuk do të mashtroheni nga urrejtja që Radev e mbolli te populli”, i këshilloi të rinjtë, lideri i GERB. 

Gjatë këshillave për respekt dhe bashkëpunim, nuk ngeli edhe fakti që kënga bullgare nuk ka fituar pikë nga Shkupi këtë vit në Eurosong.

“Ju duhet të mendoni si Ballkani të bëhet vend për jetesë. Ndërsa kjo mund të bëhet vetëm kur të gjithë jemi bashkë. Përse të urrehesh me mikun tënd nga Maqedonia? A luajnë sot në Bukuresht? Ata u plasuan në Kampionatin Evropian. Ne nuk ia dolëm. Ne duhet t’i përkrahim, e jo siç e bënë ata në mënyrë jo korrekte–mirëpo ashtu është kur fillojnë ato procese dhe nuk na përkrahën për Eurovizion. Ndërkaq, duhej, përkatësisht të demonstrojmë që jemi popuj të afërt. Ashtu që faji është 50-50. Ne donim të mbarojmë punë. Përsëri, vetëm ne mund ta përfundojmë”, thekson Borisov.

Ai shprehi falënderime për të “gjithë kolegët kryeministra dhe presidentë, të cilët mëngjesin e ditës së kaluar e kanë përshëndetur, për shkak se kjo i jep kurajo se GERB është parti e vërtetë evropiane”.

Ndër ata që i janë paraqitur, tha që ka qenë kryetari i Këshillit evropian, Sharl Mishell dhe kolegë nga Ballkani.

“Kemi mbaruar shumë punë. Ishim faktor i pashmangshëm. Pavarësisht nëse flitej në Turqi, në Serbi, në Maqedoni, në Greqi – të gjithë e dinin që pa Bullgarinë nuk bëhet (…) Nga ju kërkoj – ju të rinjtë duhet ta mbaroni punën. Më ndihmoni edhe mua, për shkak se vetëm ne mund ta mbarojmë këtë punë në mënyrë që as nuk do të jetë në dëm të Bullgarisë edhe do t’u lëshojmë udhë vëllezërve tanë”, tha Borisov.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button