Romani “Misionari i Kasabasë” i Ismail Arsllanit vjen me një narracion urtësie artistike

Këtyre ditëve, doli nga shtypi romani me titull “Misionari i Kasabasë”, nga publicisti tetovar, Ismail Arsllani. Libri shtjellon motive historike nga periudha e sundimit të Perandorisë Osmane në Ballkan. Motivi i romanit përqendrohet në zbërthimin e dimensioneve të shumta jetësore, por edhe të përshkrimit autentik të rrethanave dhe ambienteve që janë tretur në kohë, shpesh të mbështetura edhe në dokumente historike, që mbajnë në shpatulla protagonistët e rrëfimit, duke qenë pjesëmarrës në ato vlime jetësore dramatike.

Një segment tjetër i rëndësishëm i romanit është vetë gjuha e të rrëfyerit. Kur jemi te gjuha dhe mjetet shprehëse, në funksion të rrëfimit, janë fragmentet brilante të përshkrimit të situatave, për të vënë relacion midis atmosferës dhe përjetimit, me shumë detaje që e bëjnë për vete lexuesin. Nëpërmjet një rrëfimi të shtruar dhe gjuhe të rafinuar, të mbrujtur në gjetje sintagmatike dhe stilistike, autori arrin me shumë forcë krijuese të risjellë gjithë polifoninë e zërave të harruar të kohës historike, gjithë itinerarin dhe gjithë shkëlqimin e gjësendeve që tashmë po vdirren nën rrënojat e indiferencës.

“Misionari i Kasabasë” është një përpjekje e suksesshme e Ismail Arsllanit, që kësaj radhe, pas veprave publicistike, të na vijë me një krijim artistik, përkatësisht me një roman, gjini kjo që në hapësirat shqiptare që shtrihen në Maqedoninë e Veriut, viteve të fundit fare pak po kultivohet, thotë shkrimtari Shkëlzen Halimi, njëri nga redaktorët e veprës. Ngjarja e këtij romani zhvillohet në periudhën kur Perandoria Osmane kishte marrë rrugën e shpërbërjes së saj, periudhë kjo që u përshkua me shumë paqartësi e kthesa politike. Pikërisht kjo kohë do të jetë boshti i autorit për të na rrëfyer edhe një anë tjetër, atë të besës, dashurisë, vuajtjes, mikpritjes, intrigës… Të gjitha këto do të ndërlidhen rreth protagonistit kryesor të romanit, Baba Dijetari, një person enigmë, por me mision në shërbim të Sulltanit, të cilit do t’i mbetet besnik deri në pikën e fundit. Me të drejtë mund të themi se kjo vepër e Arsllanit rezultoi si një projekt i suksesshëm, konstaton shkrimtari Halimi.

Ismail Arsllani, me romanin e tij, na sjell tonet e një bote komplekse të kohës së Perandorisë Osmane, duke ngritur një narracion urtësie e përshkruese nëpërmjet narratorit Baba Dijetari, që vjen në këtë rast si një personazh i paanshëm që rrëfen gjithë realitetet e koklavitura të asaj kohe, thekson kritiku letrar, Bardhyl Zaimi, njëherësh redaktor i romanit. Ai shfrytëzon faktin historik, por atë e transponon ndërkohë në fakt letrar, në rrëfim, në ngjyrim, në tingull, në pamje që fluturon si topos letrar në faqet e romanit, nënvizon Zaimi, duke shtuar se romani “Misionari i Kasabasë” vjen ngeshëm në letërsinë shqipe, pa sforcime, por me një forcë të jashtëzakonshme të fjalës, me një rrëfim mbresëlënës, me një urtësi mbarështimi të një substance historike që ngrihet në një metaforë kundër-harrese. Pa diskutim, një roman origjinal që plotëson galerinë e romanit shqip dhe që njëherësh mbron vlera universale leximi.

Vepra e Ismail Arsllanit nuk është një përpjekje e rëndomtë, dosido, për të hyrë në shtigjet e letërsisë, por një roman i thurur mjeshtërisht, një thurje mjeshtërore artistike nga imagjinata e autorit që e afron shumë me arritjet më të mira të prozës sonë romaneske, thotë shkrimtari Daut Dauti. Duke i ikur ndonjë diskursi narrativ historik, ai përqendrohet te fatet individuale, te filozofia e jetës, ku shpesh, të mos trazosh ujin, nënkupton pikërisht filozofinë e mbijetesës, ndonëse ngjarjet që vërtiten gjithandej përreth, nuk lënë shumë vend për akomodim absolut, sepse historia, megjithatë, është një vargan procesesh që edhe një kasaba rrëzë malit dhe në cep të Perandorisë nuk e lënë në rehatinë e saj absolute.

Kjo sprovë letrare e Ismail Arsllanit është e suksesshme, sepse na jep një vepër të kompozuar mirë, të rrjedhshme, me fjalor të pasur në funksion të kontekstit kohor e hapësinor, që e bën adekuate për filozofinë e personazheve të asaj hapësire, por që ka dhe karakter universal në pikëpamje ideoartistike.

Shkruan: Gëzim Sulejmani

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button