SOCIOLOGJI LUFTE: QUO VADIS, AIDA? (II)

Filmi Quo vadis, Aida? që në Festivalin e Londrës, “London Film Week” ka marrë tre shpërblime, na rrëfen për kërdinë etnike, për “tragjedinë universale të civilizimit tonë” që lëndon ndërgjegjen e mbarë njerëzimit. Ai para publikut boshnjak për herë të parë është prezantuar në tetor të vitit 2020 në Qendrën Memoriale në Potoçari para qindra të rinjve të nacionaliteteve të ndryshme të Bosnjës. Në këtë rast, siç rrëfen Zhbaniq, një i ri nga Republika Srpska ishte ngritur në këmbë dhe kishte rrëfyer se gjatë gjysmës së minutazhit të filmit kishte qarë, se dëshironte që shokët e tij që i madhërojnë dhe krenohen me krimet e luftës ta shohin këtë film; një i ri i rritur në një shoqëri të ngarkuar me urrejtje, por që shfaqi empati duke dënesur për fatkeqësinë dhe tmerret e të tjerëve. (Kreizer, 2021)

Rezymeja e filmit është kjo: më 11 korrik 1995 Aida, para masakrës udhëheq një takim mes përfaqësuesit të OKB-së Thom Karremans dhe prefektit të Srebrenicës, ku i pari kërcënon të dytin se OKB dhe NATO dë të sulmojnë nëse preken civilët e zonës së lirë, në mesin e të cilëve ishin edhe bashkëshorti i Aidës, Nihadi dhe dy djemtë e saj Hamdija dhe Sejo, që ishin strehuar në kampin OKB-së. Aida tenton të shpëtojë familjen, ndërkohë që arrin që t’i bindë ndërkombëtarët që ta pranojnë në kompleks Nihadin që sipas saj mund të ndihmonte në negociatat me Mlladiqin meqë ishte i arsimuar. Aida habitet kur vëren se në mesin e shoqëruesve të Mlladiqit gjendeshin disa nxënës të saj. Për të shpëtuar bijtë sugjeron që ushtarët e huaj t’u krisin në këmbë, që t’i marrë ndihma e shpejtë, por plani i Aidës dështon. Më në fund vjen autobusi që do ta marrë Hamdinë dhe Sejon. Aida e lut Frankenin, i përgjërohet që t’i ndalë tre anëtarët e familjes së vet, por ai thotë se në kompleksin e OKB-së mund ndalet vetëm Nihadi si vullnetar civil, gjë të cilën ky i fundit nuk e pranon, duke shkuar me djemtë e vet. Si rrjedhim, ai me djemtë e vet, bashkë me mijëra meshkuj të tjerë boshnjakë, ekzekutohet nga forcat paramilitare serbe.

Vite më vonë Aida kthehet në Srebrenicë bashkë me një mësuese tjetër. Në shtëpinë e saj e jeton një familje serbe. Arrin te ndërtesa ku bëhet identifikimi i viktimave të gjenocidit. Duke ecur vëren një rrobë të djemve të saj, thyhet, kullohet në lotë. Filmi mbyllet me Aidën që vështron fotografitë e familjes, që ndjek nxënësit e teatrit muzikor.

Gazetarja me famë botërore Christiane Amanpor, që informonte nga lufta e Bosnjës për CNN-in, thotë se është shokuar nga filmi në fjalë që ilustron asimetrinë e këtij konflikti. “Isha e re në luftën e parë reale, për disa javë ose muaj, për të kuptuar se në Bosnjë nuk kishte agresor të pëkufizuar qartë, por kishte viktima që definohen qartë. Agresorët ishin të krishterët e bardhë, serbët dhe serbët e Bosnjës. Viktimat ishin myslimanët europianë dhe qëllimi i agresorit ishte bash gjenocidi: të zhdukin një komunitet pjerësisht ose tërësisht…” (Qureshi, 2021)

Quo vadis, Aida?  pasqyron realitetin, psikologjinë, implikacionet shoqërore të luftës që ka prekur sedrën e llojit njerëzor, që ka ndryshuar shumë jetë, fate. Në mënyrë implicite shtron pyetjen se si ka mundësi që një botë e tërë të mos reagojë për 1000 ditë të krimit permanent. Shenjon injoruesit e gjenocidit, të fuqishmit që mbyllën sytë para fakteve, që madje bënë edhe një gabim më fatal, përmes Dejtonit penguan formimin e një shteti të shëndetshëm, krijuan një gjendje që inkubon një krizë të re potenciale që mund të ndizet në çdo çast. (Davutoğlu, 2021) Përkujton dështimin ndërkombëtar, të OKB-së dhe të fuqive globale, jep porosinë: Mos u përsërittë kurrë! Never Again! Është një argument se filmi si medium, si art mund të kontribuojë për një botë më të mirë, më të drejtë dhe më humane. (D. Mustafiq)

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button