fbpx

Në Bruksel mbahet Samiti i parë i NATO-s me 30 vende anëtare të plotfuqishme (VIDEO)

Në Bruksel sot mbahet samiti i NATO-së – i pari samit me 30 anëtare të plotfuqishme që kur vendi ynë iu bashkua kësaj Aleance vitin e kaluar, transmeton Portalb.mk.

Ky është Samiti i parë i NATO-s në të cilin Maqedonia e Veriut merr pjesë si anëtare e plotfuqishme dhe Samiti i parë i NATO-s me 30 anëtarë.

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev udhëheq delegacionin qeveritar të përbërë nga ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani dhe ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska, në Samitin e NATO-s 2021.

Para fillimit të samitit, Zaev vlerësoi se anëtarësimi në NATO është realizim i qëllimit strategjik të vendit.

“Besojmë fuqishëm se nevojitet që të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor të kenë perspektivë kristal të qartë Euro-Atlantike dhe të BE-së. Lënia e vakumit në pjesën tonë të Evropës nuk është opsion. Na nevojiten procese të parashikueshme, të besueshme dhe të intensifikuara të integrimit në BE dhe NATO. Sot jemi këtu për të afirmuar unitetin, kohezionin dhe solidaritetin tonë. Ne gjithashtu do të adresojmë sfidat e së ardhmes dhe së bashku do të marrim vendime në nivelin strategjik për rregullimin e mëtejshëm të NATO-s”, tha Zaev.

Në Samit, delegacioni qeveritar do të merr pjesë në takimin me krerët e shteteve dhe qeverive të Këshillit Veri-atlantik. Krahas takimit, delegacioni qeveritar ka disa takime dypalëshe, pas së cilave Kryeministri Zaev do të jep deklaratë për mediat.

Deklarata për media është caktuar për në orën  16:45 dhe mund të ndiqet në këtë link.

“Krah për krah me aleatët tanë, jemi plotësisht të përkushtuar për sigurinë kolektive. Sepse ne jemi NATO. Së bashku jemi më të fortë,” shkroi mbrëmë Zaev në Facebook.

 

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg, ndërkohë, adresoi çështjet kryesore që do të jenë në tryezën e liderëve të vendeve anëtare dhe përsëriti se Ballkani Perëndimor ka një rëndësi të madhe për Aleancën, raporton MIA nga Brukseli.

“Kemi dy anëtare të reja nga rajoni gjatë disa viteve të fundit, me këtë dëshmuam se dera e NATO-s është e hapur, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi janë dy vende të reja anëtare, por kemi edhe partnerë në vendet e tjera të rajonit dhe e kemi edhe KFOR-in në Kosovë, jemi të pranishëm dhe vazhdojmë të ndihmojmë në stabilizimin e rajonit”, deklaroi Stoltenberg në intervistën dedikuar të ardhmes së NATO-s gjatë 10 viteve të ardhshme.

Ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska, thotë se ky samit është shumë i rëndësishëm për Maqedoninë e Veriut, pasi për herë të parë do të kemi ndikim ose të paktën fjalën në proceset që do të fillojnë pas kësaj.

“Samiti është i rëndësishëm dhe do të fillojë proceset në NATO në të cilat për herë të parë do të kemi ndikim ose të paktën fjalën dhe mendoj se nga ai aspekt i kemi marrë përgatitjet tona shumë seriozisht. Bëmë disa vlerësime rreth asaj se cilat pyetje duhet të apostrofojmë pasi për herë të parë do të jeni në pozicion të thoni diçka që nuk është thjesht ‘ne duam të jemi anëtarë’. Është pjekuri, detyrim më i madh dhe një përpjekje për t’u treguar veten aleatëve tanë të ardhshëm të BE-së në një dritë më të pjekur”, tha Shekerinska në një intervistë për 360 ​​Gradë.

Qëllimi i Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg është që liderët të rreshtohen me agjendën e “NATO-s 2030“, për sa i përket sigurisë dhe mbrojtjes. Siç është njoftuar, ai liderëve do t’ju paraqesë një sërë propozimesh, duke përfshirë forcimin e dimensionit politik të Aleancës, si dhe forcimin e mbrojtjes kolektive dhe qëndrueshmërisë së vendeve anëtare në drejtim të infrastrukturës.

Siguria kibernetike, ndryshimet klimatike dhe rritja e buxhetit të vendeve anëtare të mbrojtjes do të jenë ndër temat më të rëndësishme të diskutimit. Marrëdhëniet me Rusinë dhe Kinën do të jenë gjithashtu midis temave kryesore të diskutimit, veçanërisht mbi atë se si të pozicionohet NATO në lidhje me ngritjen e këtyre dy fuqive botërore.

Stoltenberg përshëndeti faktin se që nga viti 2014, vendet anëtare të Aleancës kanë rritur në mënyrë të vazhdueshme buxhetet e tyre të mbrojtjes dhe deri në vitin 2024 të 30 vendet janë zotuar të arrijnë 2% të prodhimit të brendshëm bruto për qëllime ushtarake.

“Të gjitha sfidat kërkojnë rritje të qëndrueshme të investimeve në mbrojtje. Shtatë vitet e fundit janë rritur shpenzimet e mbrojtjes, 260 miliard dollarë janë shtuar që nga 2014, por duhet të investojmë edhe më shumë për të arritur ambicien tonë të lartë”, tha shefi i Aleancës të premten.

Ai u thirr në anketat e fundit të mendimit publik të kryera nga NATO por edhe nga Pew Research, të cilat tregojnë mbështetje të lartë publike për Aleancën dhe për bashkëpunimin midis Evropës dhe Amerikës së Veriut.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button