Zvicra ndau 1.5 milionë franga zvicerane për menaxhimin e mbeturinave të ngurta në rajonin e Pollogut, ndërsa komunat nuk duan të japin as 2.000 euro

Kryetarët e nëntë komunave nga rajoni i Pollogut në fund të vitit 2020, përfundimisht arritën të dakordohen dhe të themelojnë Ndërmarrjen publike rajonale “Rusino-Pollog”. Qëllimi i kësaj ndërmarrjeje ishte të menaxhonte deponinë rajonale “Rusino” afër Gostivarit, ku do të hidheshin mbeturinat nga ky rajon, shktuan sdk.mk, njofton Portalb.

Edhe pse komunat atëherë ranë dakord të paguajnë nga 2.200 euro si investim themelues, edhe pas gjashtë muajsh ata ende nuk japin para.

Ministri i Mjedisit Naser Nuredini, i cili gjithashtu mori pjesë aktive në përpjekjet për krijimin e Ndërmarrjes publike, është i pakënaqur me këtë sjellje të papërgjegjshme të komunave.

“Duhet të kuptohet që komunat duhet të ndajnë fonde për kapitalin themelues për themelimin e ndërmarrjes publike komunale rajonale. Po flasim për gjithsej 20 mijë euro. U takuam javën e kaluar. Ramë dakord dhe vendosëm 15 qershorin si afatin e fundit për të paguar fondet themeluese. Nuk e di pse ende nuk i kanë paguar këto fonde. Ne jemi këtu për t’i mbështetur ata. Ua kam ofruar këtë atyre për dy vitet e fundit. Autoritetet lokale duhet thjesht ta mbështesin atë dhe të fillojnë të bashkëpunojnë me ne”, tha ministri Nuredini.

Ministri pret që javën e ardhshme komunat e Pollogut ta rsepektojnë marrëveshjen e arritur dhe të ndajnë fondet e parapara që të fillojë funksionimi i ndërmarrjes së përbashkët publike rajonale “Rusino-Pollog”.

Kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, e cila është gjithashtu kryetare e Këshillit Komunal të rajonit të planifikimit të Pollogut, konfirmon se komunat ende nuk e kanë kryer atë detyrim.

“Të gjitha komunat formuam një ndërmarrje të përbashkët rajonale komunale. Të gjitha komunat u zotuam të paguajmë fondet për investimin themelues. Së bashku shpresojmë që fillimi i kësaj kompanie të krijojë mundësi për një situatë më të mirë për të gjithë rajonin. Duke e paguar investimin themelues, shpresoj se ata do të fillojnë të funksionojnë më shpejt,” tha Arifi.

Fillimi i projektit Menaxhimi i mbetjeve të ngurta në Rajonin e Pollogut është planifikuar me ndihmën e një milion e gjysmë franga Zvicerane nga Qeveria e Zvicrës, dhe për zbatimin e tij të plotë në fazat e ardhshme do të mbështetet nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

“Për më tepër, ne jemi duke pritur që Banka evropiane për rindërtim dhe zhvillim (BERZH) të miratojë 55 milion euro që do të investohen në të gjithë vendin, nga të cilat 17 milion euro do të investohen në rajonin e Pollogut. Së pari do të rehabilitohet Rusino e pastaj do të blihen kamionë, kontejnerë për tërë rajonin. Ne si qeveri jemi të përkushtuar të mbështesim qeverisjet lokale për të gjetur zgjidhje,” shtoi Nuredini.

Gjatë gjithë vitit 2020 pritej që komunat të dakordohen rreth konstituimit të kësaj ndërmarrjeje të përbashkët. Si arsye për zvarritjen theksohej situata me virusin korona, pastaj priteshin vendimet e Këshillave të komunave të cilët duhej të emërojnë anëtarë tëKëshillit drejtues të Ndërmarrjes publike, madje si pretekst ishin edhe zgjedhjet në korrik.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button