fbpx

Këto janë kundërshtarët më të zëshëm të marrëveshjeve ndërkombëtare të RMV-së që mund të hyjnë në listën e zezë të Bidenit

Marrëveshja e Prespës, por edhe ajo e Ohrit, kanë pasur kundërshtarë të zëshëm qysh përpara nënshkrimit të tyre. Ajo e para u bë shkak për protesta në Maqedoni, por edhe në Greqi. Kundërshtarët më të fortë të kësaj marrëveshje ishin partitë maqedonase, atëherë dhe aktualisht në opozitë VMRO-ja dhe E majta (Levica). Por, jo më pak të zëshëm ishin edhe akademikët maqedonas të AShAM-it. Madje së fundmi kreu i saj Lupço Kocarev, në shënimin e 53 vjetorit të themelimit të këtij institucioni, në tetor të vitit të kaluar tha se është e domosdoshme që Akademia të organizojë sërish debat shkencor për Marrëveshjen e Prespës. Këto dhe të tjerë personazhe, mund të jenë pjesë e listës së zezë që është urdhrër ekzekutiv i presidentit amerikan Joe Biden për ngrirjen e pasurive dhe ndalimin e hyrjes në ShBA përfshirë ata që punojnë kundër Marrëveshjes së Prespës dhe asaj Kornizë të Ohrit, shkruan Portalb.mk.

Por cilët personazhe të këtyre subjekteve ishin kundërshtarët më të mëdhenj?

  • VMRO-DPMNE

VMRO-DPMNE-ja në tërësi si subjekt politik, vazhdimisht ka sulmuar oponentin e saj në pushtet LSDM-në për marrëveshjen e Prespës, para dhe pas nënshkrimit të saj. Por, në kuadër të kësaj organizate politike, ka pasur disa personazhe që karakterizoheshin me diskurs të ashpër ndaj Marrëveshjes së Prespës.

Hristijan Mickoski, kreu i këtij subjekti politik, disa herë është shprehur, sidomos gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e fundit parlamentare se me ardhjen e tyre në pushtet do ta shfuqizojë Marrëveshjen e Prespës. “Me shumicë prej dy të tretave në Kuvend, do ta shfuqizojmë marrëveshjen e Prespës”, tha Mickoski gjatë një paraqitjeje televizive në dhjetor të vitit 2019. Deklarata të ngjashme ai ka dhënë disa herë, të cilat shpesh çonin në përplasje të vazhdueshme me partinë në pushtet, LSDM-në.

Gordana Siljanovska, ish-kandidate për presidente të vendit dhe aktualisht deputete e kësaj partie po ashtu është njëri nga personat që më së shumti ka kontestuar këtë marrëveshje. Ajo përpara fillimit të fushatës për zgjedhjet presidenciale të vitit 2019 paralajmëroi se do të iniciojë krijimin e një grupi ekspertësh me autoritetin më të lartë në fushën e të drejtës ndërkombëtare dhe kushtetuese, të cilët do të përgatisin analizë për atë se, në cilat pika Marrëveshja e Prespës dhe procesi i miratimit të tij është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare në fuqi.

Gjorge Ivanov, ish-presidenti i Maqedonisë së Veriut ishte një kundërshtarët më të fortë të marrëveshjes së Prespës. Ai shprehej se zbatimi i saj do te sjellë pasoja negative. Sipas tij ndryshimi i emrit është vetëm në interes te Greqisë. Ivanov e bojkotoi referendumin e 30 shtatorit, si dhe mbante peng ligjin për gjuhën shqipe. Madje edhe në fjalimin tradicional të fundvitit 2018 në Kuvendin e Maqedonisë, Presidenti Ivanov, kërkoi nga shumica parlamentare që ta hedhin poshtë Marrëveshjen e Prespës. “Suksesi më i madh i kësaj qeverie është që arriti ta bind bashkësinë ndërkombëtare se referendumi do të jetë i suksesshëm dhe se populli do ta përkrah Marrëveshjen e Prespës. Por në fund të ditës edhe përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare u ballafaquan me faktin se populli hodhi poshtë marrëveshjen”, deklaroi ai.

Ka edhe figura të tjera të kësaj partie që janë shprehur kundër Marrëveshjes së Prespës, por ka edhe nga ata që përpara ndryshimeve kushtetuese pas nënshkrimit të marrëveshjes, deklaronin se nëse ndodhin këto ndryshime, qytetarët duhet ta dinë se është “punë e kryer”.

  • E Majta (Levica)

Nëse VMRO-DPMNE-ja mund të jetë më fleksibël në këtë çështje, E Majta e cila përfaqësohet me dy deputetë në Parlament, është decide se Marrëveshja e Prespës dhe ajo e Ohrit duhen zhbërë. Kjo parti, në krye me Dimitar Apasievin madje në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, në programin e saj sa i përket fushës së politikës së jashtme, përpos synimeve për anulim të Marrëveshjes së Prespës, asaj të Ohrit dhe rishqyrtim të Marrëveshjes me Bullgarinë një nga qëllimet kryesore në fushën e raporteve bilaterale, ishte edhe tërheqja e njohjes së Kosovës, Izraelit dhe Koresë së Jugut. Në planin e raporteve multilaterale, kjo parti synonte për dalje urgjente të vendit nga NATO dhe tërheqje të pakushtëzuar të të gjitha forcave të sigurisë nga misionet e huaja ushtarake të cilat nuk kanë mandat nga OKB.

  • Akademikë të caktuar të AShAM-it 

Kundër Marrëveshjes dhe ndryshimit të emrit janë shprehur edhe një pjesë e akademikëve maqedonas të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë. Qeveria i ka bërë thirrje disa herë që të ndryshojë emrin. Kryeministri Zoran Zaev është shprehur se emri i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë duhet të ndryshohet. Por kreu i AShAM-it Lupço Kocarev reagoi ashpër ndaj kërkesës që institucioni të quhet Akademia e Shkencave dhe Arteve të Republikës së Maqedonisë së Veriut, duke u bërë kështu institucioni i parë shtetëror që zyrtarisht i kundërvihet ndryshimit të emrit. Sidoqoftë, sipas Zaevit, është e kotë thirrja me shkrim e akademikëve drejt Qeverisë me kërkesë që riemërtimi i këtij institucioni të tërhiqet është i kotë, pasi Marrëveshja e Prespës është ligj që duhet respektuar dhe edhe përkundër se rezistencës së një pjese të akademikëve për ruajtjen e emrit të institucionit, i njëjti përfundimisht do të duhet të riemërtohet.

Në janar të këtij viti, madje kreu i saj Luço Kocarev në një intervistë për Televizionin Telma, deklaroi se Akademia e Shkencave dhe Arteve e Maqedonisë po përgatitet me argumente shkencore për të rihapur temat në lidhje me Marrëveshjen e Prespës. Ai është i bindur se marrëveshja është burim i destabilizimit rajonal.

Ndërkohë edhe pas shpalljes së dekretit të Bidenit për futjen në listën e zezë të atyre që punojnë kundër këtyre dy marrëveshjeve VMRO-ja dhe e Majta sërish mbetën me qëndrim të ngjashëm. Nga VMRO-DPMNE, një ditë pasi Presidenti amerikan Joe Biden firmosi dekretin thanë se subjekti i tyre juridikisht e respekton Marrëveshjen e Prespës, por se do ta respektojnë vullnetin e popullit.“VMRO-DPMNE-ja nuk mori pjesë në përgatitjen e Marrëveshjes së Prespës dhe as në zbatimin e tij por ne jemi legalistë dhe vetëm këtë mënyrë do ta respektojmë si raport ndaj kësaj marrëveshjeje. Veçanërisht e rëndësishme është që të respektohet vullneti i popullit. Me kënaqësi themi se aty vendoset theksi edhe në luftën ndaj korrupsionit, si fenomen që i rrezikon jo vetëm marrëveshjet por edhe të drejtat e njeriut, ekonominë dhe sigurinë kombëtare të vendeve, të partnerëve dhe të vetë rajonit. Prandaj ftojmë që administrata në Uashington të merret me familjen në pushtet”, deklaroi Antonio Milloshovski nga VMRO-DPMNE.

Nga ana tjetër, E Majta madje ishte akoma më e ashpër pas vendimit të Bidenit. Kryetari i saj Dimitar Apasiev kërkoi me vetëdëshirë që SHBA-të ta fusin në listë të zezë, pasi nuk do t’a njohë as Marrëveshjen e Prespës dhe as Marrëveshjen e Ohrit. “Marrëveshjet e këtilla si ajo Kornizë, e Prespës dhe e Bullgarisë, nxisin jostabilitetin rajonal, dhe jo e kundërta. Përvoja ndër vite ka treguar se Marrëveshja e Ohrit është vetëm mjet për kënaqjen e interesave të ngushta partiake të BDI-së, e cila 20 vite është në pushtet. Të përkushtuar në traditë majtiste deri në fund, “E Majta” do të vazhdojë t’u kundërvihet të gjithë politikave dhe marrëveshjeve të dëmshme të cilat janë kundër interesave nacionale, të vendosura që nga KAÇKM”, tha Apasiev.

Ndërkohë, nuk është shpallur akoma lista e personave që pritet të jenë të përfshirë në listën e zezë të Bidenit. Kjo pak a shumë tashmë dihet, pasi dihen edhe kundërshtarët e saj, të cilët disa prej tyre, Portalb i listoi në këtë artikull.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button