Shmangia e pengesave kufitare

Guri kufitarë që dikur ndante territorin e RSFJ-së me Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë (RPSSH) ende qëndron në vendkalimin e Qafë Thanës. Një shekull që kur kufijtë e  rinj u vendosën, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut (MV), dy shtetet e Ballkanit Perëndimor, nuk kanë ecur drejt rrugës së përbashkët evropiane dhe integrimeve kufitare. Urrejtja, zënkat, paragjykimet dhe tensionet etno-politike kanë qenë specifikat e mosmarrëveshjeve në mes dy vendeve. Tre dekada pas ndryshimeve radikale në arkitekturën evropiane të sigurisë dhe në kohë pandemie, kryeministri i MV-së Zoran Zaev dhe ai i Shqipërisë Edi Rama, në Tiranë kanë nënshkruar një marrëveshje në kuadër të një procesi të integrimit dhe lehtësimit të lëvizjes së lirë të qytetarëve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit. Marrëveshja ka të bëjë me pikat e përbashkëta të kalimit të kufirit. Marrëveshja “One Stop Shop” do të lehtësojë qarkullimin e njerëzve dhe mallrave dhe njëkohësisht procedurat kufitare burokratike në të dy anët e kufirit besohet se do t’i takojnë të së kaluarës.

Kapitulli I i aderimit në Bashkimin Evropian (BE) thotë: “Parimi i lëvizjes së lirë të mallrave nënkupton që produktet duhet të tregtohen lirisht nga një pjesë e unionit në tjetrën. Në një numër sektorësh, ky parim i përgjithshëm plotësohet nga një kornizë e harmonizuar rregullatore, duke ndjekur “qasjen e vjetër” (imponimin e specifikimeve të sakta të produktit) ose “qasjen e re” (imponimin e kërkesave të përgjithshme të produktit). Legjislacioni i harmonizuar i produkteve evropiane, i cili duhet të transportohet, përfaqëson pjesën më të madhe të “Acquis”-it. Për më tepër, kapaciteti i mjaftueshëm administrativ është thelbësor për të njoftuar kufizimet në tregti dhe për të aplikuar masa horizontale dhe procedurale në fusha të tilla si standardizimi, vlerësimi i konformitetit, akreditimi dhe mbikëqyrja e tregut”.

Nga kapitujt e aderimit në BE shihet se lëvizja e lirë e kapitalit dhe individëve përbën pjesën motorike të unionit në ekonomi dhe në financa. Historikisht që nga bashkësitë e para njerëzore e deri te formimi i shteteve moderne, malli përbënte njësinë vlerë në raportet e shteteve. Ashtu siç ndodhi që pas Konferencës së Jaltës, Evropa perëndimore të pozicionohet ndryshe në sistemin ndërkombëtar të marrëdhënieve ndërkombëtare, ideologjia komuniste po ashtu zuri një hapësirë të konsiderueshme në vendet e Ballkanit jugor. Kufijtë e rinj ndërshtetëror, pas vitit 1948 e bënë ende më të vështirë misionin e diplomacisë ekonomike për të ngritur nivelin e bashkëpunimit ekonomik, të një eksport-importi të qëndrueshëm në mes Jugosllavisë dhe Shqipërisë komuniste.

Leshi jugosllav dhe lënda e parë që nevojitej për ushtrinë shqiptare dhe qytetarët u ndërpre, pasi organet e pushtetit shqiptar dhe qeveria jugosllave e Titos i ashpërsuan tonet dhe raportet diplomatike-ekonomike. Degët kryesore ekonomike pësuan rënie, e më shumë pasoja kishte ekonomia shqiptare e cila kishte nevojë për ndihmë nga jashtë. Ashtu siç marrëdhëniet jugosllave -shqiptare u dëmtuan nga lëvizjet Beograd-Moskë, bashkëpunimi ekonomik në mes dy shteteve pësoi rënie. Diku në vitet e 80-ta kromi shqiptar filloi të depërtonte në Republikën Socialiste të Maqedonisë (RSM), tani e quajtur Maqedonia e Veriut. Filluan të shpeshtoheshin transportuesit- maunat e Shqipërisë drejt autostradave të atëhershme për në Kombinatin “Jugohrom”. Gjithashtu, shalqini shqiptar shitej me të madhe në tregun e ish RSM-së dhe në viset veri-perëndimore. Barrierat komuniste midis dy shteteve ishin të rrepta dhe as që mendohej se shkëmbimi tregtar një ditë do të rritej. Aty pas shembjes së Murrit të Berlinit dhe kur komunizmi ra në Shqipëri në vitin 1991, hyrjet daljet u dinamizuan në mes shteteve, por paranoja e vjetër e trashëguar nga ish sistemi, ishte ende pjesë e menaxhimit kufitar-doganor.

Kapitulli IV i “Acquis”-it që lidhet me lëvizjen e lirë dhe kapitalit është ende më specifik. “Shtetet anëtare duhet të heqin, me disa përjashtime, të gjitha kufizimet në lëvizjen e kapitalit si brenda BE-së ashtu edhe midis shteteve anëtare dhe vendeve të treta. Acquis-i gjithashtu përfshin rregulla në lidhje me pagesat ndërkufitare dhe ekzekutimin e urdhrave të transferimit në lidhje me letrat me vlerë. Direktivat për luftën kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit kërkojnë që bankat dhe operatorët e tjerë ekonomikë, veçanërisht kur merren me artikuj me vlerë të lartë dhe me transaksione të mëdha parash, të identifikojnë klientët dhe të raportojnë transaksione të caktuara. Një kërkesë kryesore për të luftuar krimin financiar, është krijimi i një kapaciteti efektiv administrativ dhe zbatues, duke përfshirë bashkëpunimin midis autoriteteve mbikëqyrëse, të zbatimit të ligjit dhe prokurorisë”.

Me siguri se këtu do të ketë mospajtime dhe agjenci qeveritare e jo qeveritare që nuk do të pajtohen me këtë bashkim të pikave kufitare, për shkak të koncepteve të vjetra socialiste të menaxhimit ose frikës së depërtimit të aktorëve malinj. Mirëpo, kjo dilemë mund të tejkalohet me një bashkëpunim të besueshëm në mes organeve inteligjente shqiptare dhe të MV-së pa ndikime politike dhe etnike. Dikur kontrolli doganor në vitet e 90-ta ishte tepër i ashpër, sepse të punësuarit maqedonas kishin frikë nga shtrirja e edukimit shqiptar në MV. Një gjë e tillë u tejkalua ngadalë me largimin e frikës së pakuptimtë maqedonase ndaj shqiptarëve dhe duke i vlerësuar si miq dhe jo armiq. Tani me këtë bashkim është koha që miqësia të zhvillohet dhe të rritet besimi i dyanshëm për një integrim të vërtetë rajonal doganor dhe ekonomik.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button