fbpx

SHBA 150 milionë dollarë asistencë Ukrainës në fushën e sigurisë

Shtetet e Bashkuara po ndihmojnë Ukrainën të forcojë aftësitë e saj mbrojtëse, duke njoftuar një paketë sigurie prej 150 milionë dollarësh më pak se një javë përpara se Presidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden të takohet me Presidentin rus Vladimir Putin në Gjenevë.

Pentagoni njoftoi të premten paketën, pjesë e Iniciativës së Ndihmës së Sigurisë së Ukrainës të Uashingtonit, duke thënë se ishte në gjendje të vazhdonte me ndihmën pasi konfirmoi se Kievi ishte në përputhje me reformat e nevojshme, transmeton VoA.

Paketa përfshin radarë kundër artilerisë, sisteme kundër mjeteve fluturuese pa pilot, pajisje të komunikimit të sigurtë, pajisje të luftës elektronike dhe pajisje ushtarake të evakuimit mjekësor.

Paketa parashikon gjithashtu trajnime për të ndihmuar në përmirësimin e sigurisë dhe kapaciteteve në bazat e forcave ajrore ukrainase.

Ndihma, pjesë e 275 milionë dollarëve në mbështetje të Ukrainës, u miratua si pjesë e buxhetit të vitit fiskal 2021 të Pentagonit.

Paketa e ndihmës fillestare, e dërguar në mars, përfshinte anije patrullimi të armatosura, radarë kundër artilerisë dhe mbështetje për imazheri dhe analiza satelitore.

 

Tensionet midis Ukrainës, e cila ka kërkuar lidhje më të ngushta me Perëndimin, dhe Rusisë janë rritur prej muajsh pas një grumbullimi masiv të forcave ruse në fillim të këtij viti përgjatë kufirit ukrainas dhe në Krimenë e pushtuar.

Zyrtarët amerikanë dhe perëndimorë e përshkruan shtimin e pranisë ruse, me më shumë se 100 000 forca, si më të madhin që kur Kremlini pushtoi Krimenë nga Kievi në vitin 2014.

Zyrtarët amerikanë kanë thënë se Presidenti Biden synon të ngrejë çështjen e Ukrainës kur ai të takohet me Presidentin Putin të mërkurën në Gjenevë, duke e përshkruar sjelljen e Moskës si agresive.

Zyrtarët rusë këmbëngulën se rritja e pranisë ushtarake në fillim të këtij viti ishte për të mbështetur stërvitjet ushtarake dhe se shumë prej forcave të grumbulluara pranë Ukrainës janë tërhequr që nga ajo kohë.

Zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby
Zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby

 

Zyrtarët amerikanë dhe të NATO-s i shohin me dyshim pretendimet ruse, dhe Uashingtoni premton mbështetje të vazhdueshme për Kievin.

 

“Shtetet e Bashkuara kanë dhënë më shumë se 2.5 miliardë dollarë ndihmë sigurie për Ukrainën që nga viti 2014 dhe ne do të vazhdojmë të forcojmë partneritetin tonë strategjik të mbrojtjes duke përfshirë edhe sigurimin e ndihmës luftarake mbrojtëse”, u tha gazetarëve sekretari i shtypit i Pentagonit, John Kirby.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button