Faton Ibrahimi: Ne duhet të jemi sikur “uji”, t’i përshtatemi secilës formë gote (VIDEO)

Problemet shoqërore, familjare, politike janë një ndër arsyet e pakta që e shtyen ta përzgjedh drejtimin e aktrimit të riun nga Kumanova. Ajo që e bën tërheqës këtë profesion është fakti që të mundëson t’i shprehësh problemet shoqërore nëpërmjet nënteksteve, duke përcjellur mesazh thumbues te publiku. Faton Ibrahimi, tanimë pjesë përbërëse e trupës së Teatrit të Kumanovës, për Portalb rrëfeu eksperiencën e deritanishme si aktor.

“Ngjitja ime e parë në skenë ishte në fillim të akademisë. Para se të filloja studimet, nuk e kam përjetuar ndjenjën e ngjitjes dhe qëndrimit në skenë, por, vetëm kam imagjinuar në kokën time, se si është t’i përçosh emocionet te publiku dhe feedbackun po ashtu, që e ushqen me energji dhe emocione aktorin në skenë. Çdo njeri i cili hyn në teatër dhe përcjell një shfaqje, qoftë komedi, dramë, apo çfarëdo rryme tjetër, ai/ajo nuk do të dalin injorantë,  por do të marrin një mësim jetësor dhe do t’i shohin fenomenet me një sy më ndryshe në krahasim me atë që nuk ka qenë asnjëherë në teatër.” u shpreh Fatoni.

Secila shfaqje që Fatoni ka marrë pjesë është copë e tij. Deri tani, ai ka punuar me shumë regjisorë, si në teatër, ashtu edhe në film.

“Mua më pëlqejnë të gjitha rolet që më ofrohen, qoftë në film apo në teatër. Ne duhet të jemi sikur “uji”, t’i përshtatemi secilës formë gote. Të punojmë fort, që të mishërohemi me personazhin që do ta luajmë.” tha Fatoni.

Mesazhi që Fatoni përcolli për të gjithë artistët e rinj është:

“Mos u ndalni së punuari, vazhdoni punoni me pozitivitet, me dashuri, me plot zell, deri në arritjet e qëllimeve të tyre. Me energji pozitive ju mund të arrini të fokusoheni vetëm te suksesi juaj!” përmbylli Faton Ibrahimi.

Fatoni plane konkrete për karrierën e tij nuk ka, por, ai do të vazhdojë rrugën e tij drejt sukseseve më të larta, si në vend ashtu edhe jashtë vendit.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button