Dita Botërore e rrëqebullit: Macja e egër noton në Kozjak dhe ecën nëpër Vodno

Rrëqebulli ballkanik është nën kërcënim serioz të zhdukjes dhe ambientalistët e Maqedonisë po punojnë shumë për të siguruar kushte për mbijetesë. Më pak se 50 individë të rritur jetojnë në territorin e Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Kosovës, që e vendos atë në listën e Unionit ndërkombëtar për ruajtje të natyrës (IUCN) me status të kafshës nën rrezik kritik, raporton Meta, përcjell Portalb.mk.

Sot shënohet Dita Botërore e rrëqebullit dhe Shoqëria ekologjike maqedonase ndan të dhëna të reja, sipas të cilave rrëqebulli po pushton zona të reja në të gjithë vendin dhe është dokumentuar se si kalon me not përtej Liqenit Kozjak dhe bën shëtitje të herëpashershme në malin e Shkupit Vodno. Sidoqoftë, ambientalistët tanë edhe një herë tërheqin vëmendjen e publikut për rreziqet kryesore të zhdukjes së tij.

Përveç popullsisë jashtëzakonisht të vogël, kërcënime serioze për rrëqebullin ballkanik janë gjuetia pa leje dhe uzurpimi i zonave ku ai jeton, informojnë nga SHEM. Individët e mbetur të rrëqebullit, por edhe pretë e tij kryesore, dreri dhe bricjapi i egër, me kalimin e viteve janë vazhdimisht nën sulm të gjuetarëve pa leje, ndërsa njeriu nëpërmjet ndërhyrjeve invazive në zonat e gjelbra ku ai graviton, ia shkatërron sistematikisht habitatin dhe e kërcënon drejtpërdrejt aftësinë për të ngrënë, të lëvizë në mënyrë të sigurt e të shumëzohet.

Rrëqebulli ballkanik është nëngrup i rrezikuar në mënyrë kritike i rrëqebullit euroaziatik, i cili përfshihet në shtojcën dy në Konventën e Bernës, që kërkon mbrojtjen e tij më të madhe në vendet ku gjendet. SHEM tash më 15 vjet është pjesë e një ekipi ndërkombëtar për rrëqebullin ballkanik, i cili po lufton për të shpëtuar këtë mace madhështore nga zhdukja.

“Në Ditën Botërore të rrëqebullit, ne pyesim veten – a do të zhduket rrëqebulli ballkanik? Kjo kafshë ka një shpërndarje shumë të kufizuar, popullsia e së cilës, sipas vlerësimeve të reja, është më pak se 50 copë të rritura. Numri i vogël i individëve të identifikuar nga hulumtimi ynë intensiv i foto-kurtheve është shqetësues. Rrëqebulli përballet me shumë kërcënime në Ballkan, kështu që edhe ndryshimet më të vogla në habitatin e tij ndikojnë ndjeshëm në këtë nënlloj të rrezikuar në mënyrë kritike”, thonë nga Shoqata ekologjike maqedonase.

Foto-kurthet janë metodë standarde për numërimin e rrëqebullit ballkanik, me të cilën individët identifikohen përmes fotografive. Shumica e rrëqebujve në vend janë gjetur se qëndrojnë në Parkun kombëtar “Mavrovë”. Atje, thuhet në Programin për rimëkëmbjen e rrëqebullit ballkanik, në periudhën shkurt – maj të këtij viti, janë vendosur 60 korniza të foto-kurtheve në 30 lokacione. 29 foto-kurthe janë vendosur në Shqipëri dhe 23 në Kosovë, përmes të cilave dokumentohet lëvizja e katër rrëqebujve në Shqipëri dhe një në Kosovë. Ekologët e Maqedonisë deri tani kanë shënuar dhe monitoruar një duzinë kafshësh me GPS rreth qafës brenda PK “Mavrovë”, ndërsa së fundmi dy rrëqebuj u kapën dhe shënuan në rezervatin pyjor “Jasen”.

“Vjeshtën e kaluar, me mbështetje financiare nga UNDP, u nis një projekt i ri kërkimor për rrëqebullin në “Jasen” një zonën multi-funksionale. Seanca e fundit me foto kurthe dhe kurthe kafaze u zhvillua në periudhën nga nëntori i vitit të kaluar deri në qershor të këtij viti kur u vendosën 20 foto kurthe dhe dy kurthe kafaze. Fituam 24 fotografi të rrëqebullit në tetë vende dhe zbuluam se të paktën tre individë të ndryshëm gravitojnë në atë zonë. Janë kapur dy, mashkulli Noni në shkurt dhe femra Nela në mars, të cilëve iu vendosën GPS rreth qafës për t’i përcjellë. Rezultatet e arritura për lokacionet nga individët tregojnë modele të pazakonta të lëvizjes, duke mbuluar zona më të mëdha, duke notuar në liqenin Kozjak, madje edhe shëtitje të rastit në malin e Shkupit Vodno”, thonë nga SHEM. Vitin e kaluar, pas një pauze prej disa dekadash, në Parkun kombëtar Galiçica është vërejtur një rrëqebull.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button