Snopçe: Nuk heqim dorë nga ligji për nënshtetësi, nëse vazhdon bllokada e Apasievit do të kërkojmë që të shkohet me procedurë të shkurtuar

Nëse vazhdon tentimi i deputetit të partisë “E majta” , Dimitar Apasiev që nëpërmjet diskutimeve të gjata të bllokojë propozim ligjin për nënshtetësi, atëherë opozita shqiptare do të kërkojnë që ligji të shkojë komisionin parlamentare për çështje evropiane. Deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Halil Snopçe deklaroi sot për gazetarët se, shpreson se Apasiev do të “vetëdijesohet” dhe nuk do të vazhdojë me bllokadë të ligjit, por nëse kjo nuk ndodhë atëherë do të kërkojnë që ligji të shkojë me procedurë të shkurtuar me flamur evropian, shkruan Portalb.mk.

“Shpresojmë se në javën e ardhshme do të ketë vazhdimësi të komisionit dhe ne shpresojmë qe edhe “E majta” do të ketë mirëkuptim. Në mos tjetër, Kuvendi ka mekanizma të tjera. Normalisht, mekanizma është se edhe nëpërmjet komisionit evropian, ju e dini shumë mirë, me flamur evropian kanë kaluar edhe shumë ligje të tjera shumë më pak të rëndësishme se ky ligj, se ky ligj ka të bëjë edhe me të drejtat elementare njerëzore, ka të bëjë edhe me konventat ndërkombëtare. Sepse, në bazë të konventave ndërkombëtare nuk duhet të ketë njeri pa shtetësi. Do të kërkojmë që të shkohet me procedurë nëpërmjet komisionit evropian, ku nuk mund të bllokohet pasi debati mund të zgjasë vetëm dy ditë pasi pas dy dite shkohet në seancë plenare dhe ky është opsioni i fundit dhe besoj se Qeveria nuk ka asgjë kundër këtij opsioni, sepse Qeveria veç më ka dhënë dakordësi për ligjin”, deklaroi ai.

Ai tha se opozita shqiptare nuk heq dorë nga ky propozim ligj dhe se janë në koordinim për të gjetur një zgjidhje që ligji të ecë përpara.

“Ne jemi në koordinim me kryetarin e Kuvendit, jemi në koordinim edhe me Qeverinë që normalisht të gjejmë mënyrë se si ta zgjidhim këtë problem. Ka disa opsione por, nuk dëshirojmë që të imponojmë. Dëshira jonë është që ky ligj të kalojë pa bllokadë sepse, nëse dikush bllokon krijohen tensione. Ne nuk jemi të interesuar që të krijojmë tensione për arsye se me të vërtetë jemi të bindur se njerëzit kanë problem, me të vërtetë jemi të bindur se kjo çështje duhet të zgjidhet. Aq më tepër bindjen tonë e konfirmon edhe raporti i fundit i Avokatit të Popullit, i cili raport në njëfarë forme, gjoja se me copu paste i përdor të gjitha fjalët dhe arsyet që ne i kemi dhënë kur i kemi propozuar ndryshimet për ligjin për nënshtetësi.  Kështu që edhe një instancë shumë e rëndësishme, që merret me ruajtjen dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut i konfirmon të gjithë ato teza që kemi thënë ne. Cilat janë ato teza – se është e palogjikshme që të ketë njerëz pa shtetësi të cilët deri në vitin 1991 kanë jetuar në këtë shtet dhe nuk i gëzojnë ato të drejta elementare”, tha deputeti Snopçe.

Seanca e fundit Komisioni për Mbrojtje dhe Siguri, që u mbajt më 2 qershor ku duhej të diskutohej rreth amendamenteve të opozitës shqiptare për Ligjin për nënshtetësi, u ndërpre pas tensionimit të situatës mes deptutëve të opozitës shqiptare dhe atij të partisë “E majta”, Dimitar Apasiev. Edhe pse kryetari i Komisionit, Mile Talevski, hapi diskutim për amendamentin e parë të propozuar nga opozita shqiptare, Apasiev vazhdoi me diskutime procedurale dhe vërejtje të tija se pse nuk duhet të sillet ky ligj. Kjo solli deri në zënkë verbale mes Apasievit dhe opozitës shqiptare, të cilët kërkonin që Apasiev të flas për amendamentet, me çka kryetari e ndërpreu seancën dhe tha se për vazhdimin e saj do të informojë në mënyrë shtesë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button