Kurti: Qeveritë e kaluara bënë dëm përmes dialogut

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po raporton në kuvend për ecurinë e procesit të dialogut me Serbinë.Në fillim të seancës, kryeministri Kurti bëri analizë të proceseve të kaluara të dialogut dhe marrëveshjeve të arritura në Bruksel. Kurti përmendi një nga një marrëveshjet e arritura në kuadër të procesit të dialogut me Serbinë, duke thënë se nga to pritej përmirësimi i jetës së qytetarëve të Kosovës ashtu edhe të Serbisë, gjë e cila sipas tij nuk ndodhi.

Duke folur për marrëveshjen për përfaqësimin rajonal të Kosovës, kryeministri Kurti tha se vërehen deficite shumë të mëdha, transmeton REL.

“Ndonëse arsyeja e vendosjes së fusnotës ishte fakti që pesë shtetet e BE-së dhe Serbia nuk e njohin pavarësinë e Kosovës apo Kosovën si Republikë, fusnota nuk i është vënë termit Republikë, por emrit Kosovë. Fusnota i është vënë emrit Kosovë. Dëmi që është shkaktuar nga qeveritë paraprake është se 22 shtete të BE-së që e njohin republikën tonë, sot detyrohen t’i nënshtrohen vullnetit të pesë shteteve anëtare”, deklaroi Kurti.

Kryeministri Kurti nuk ka pranuar të flasë shumë për takimin e 15 qershorit, ku në Bruksel pritet të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Kurti ka thënë se nuk mund të paraqesë asnjë platformë për dialogun, pasi siç tha ai, dialogut të ri ende nuk i dihet agjenda.

“U kërkua që këtu ne të vijmë më platformë për takimin e së martës. Gabim do të ishte. Është gabim. A e dini pse? Sepse në javën e ardhshme nuk do të ketë takim të ri të dialogut të vjetër. Nuk do të jetë një takim i radhës i të njëjtin dialog që na ka sjellë në këtë situatë. Por, do të jetë takim për dialogun e ardhshëm. Ky është dallim i madh konceptual”, deklaroi Kurti.

Kurti tha se qeveritë e kaluara që kanë udhëhequr me procesin e dialogut kanë bërë gabime të shumta që kanë vendosur Kosovën në një pozitë të dobët.

“Çfarëdo platforme për dialogun e ri do të ishte gabim para takimit për dialogun. Platforma nuk është hapi i parë. Kur e përpilon platformën e ke pranuar dialogun, dialogut që ende si dihet agjenda. Prandaj ju keni bërë këso gabime dhe na keni sjellë në këtë situatë”, deklaroi kryeministri Kurti.

Hoxhaj kritikon paraqitjen e Kurtit

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, kritikoi paraqitjen e kryeministrit Kurti.

Hoxhaj tha se priste që në këtë seancë të diskutonte për dialogun ku kryeministri do t’i bënë publike parimet, qëllimet, temat, afatet kohore.

“Mënyra se si ka folur sot për dialogun, kësaj i thonë sharlatanizëm, papërgjegjësi, sjellje joserioze dhe jodinjitoze. Sinqeritet cinik dhe fraza hipokrite, mjerisht”, deklaroi Hoxhaj.

Hoxhaj tha se paraqitja e kryeministrit Kurti ia ka bërë të qartë atij se dialogu me Serbinë nuk është i përgatitur politikisht e as në aspektin diplomatik.

LDK: Kurti po shkon në dialog i papërgatitur

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, akuzoi kryeministrin Kurti se po shkon në raundin e ri të bisedimeve i papërgatitur dhe duke shkelur çdo parim e premtim që të kishte dhënë sa ishte në opozitë.

Abdixhiku kritikoi Kurtin, i cili, sipas tij ka ndryshuar aq shumë prej se ka ardhur në pushtet saqë ka harruar faktin se për shumë vite kishte kundërshtuar dialogun pa kushte.

“Ju do të duhej që në këtë kuvend të paraqisni një dokument që së paku i paraqet parimet e kufizimet tuaja në këtë proces të rëndësishëm dhe keni pasur tre muaj ditë kohë. Këtë kohë e keni shfrytëzuar sërish për populizëm duke thënë se dialogu nuk është prioritet, por ja që të martën vizitën e dytë të tuajën jashtë vendit me dy këmbë e duar në tavolinë dialoguese”, tha Abdixhiku.

Abdixhiku tha se çdo marrëveshje që mund të nënshkruajë qeveria e drejtuar nga Albin Kurti duhet të kalojë nëpër filtrin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

Haradinaj do që SHBA-ja të ketë një të dërguar për dialogun

Të papërgjegjshëm e ka cilësuar raportimin e kryeministrit Albin Kurti, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Haradinaj kërkoi nga qeveria dhe kryeministri Kurti që me çdo kusht të kërkojnë nga presidenti i SHBA-së, Joe Biden, emërimin e një emisari për dialogun Kosovë-Serbi.

“Pse kryeministri i Kosovës nuk i drejtohet presidentin amerikan (Joe Biden) së bashku me presidenten (Vjosa Osmani), kryetarin e kuvendit (Glauk Konjufca), qoftë edhe me partitë e tjera dhe t’i kërkohet një i ngarkuar special, një emisar special për dialogun Kosovë-Serbi, për njohjen, siç e ka quajtur presidenti Biden, reciproke, më në fund. Ku është problemi pra?”, deklaroi Haradinaj.

Së fundmi ka pasur kërkesa të shumta të deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të dinë më shumë për objektivat e qeverisë nga procesi i dialogut si dhe për faktin se kur parashihet që të ndodhë një marrëveshje finale dhe se çfarë do të përfshijë ajo?

Dialogu pritet të rifillojë të martën më 15 qershor.

Ky takim është konfirmuar nga zyrtarët në Prishtinë, Beograd dhe Bashkim Evropian.

Para këtij takimi, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq do të marrin pjesë në këtë takim për të cilin Kurti tha se ‘nuk është vazhdim i dialogut’ të kaluar, duke e quajtur ‘dialog i ardhshëm’.

Ndërkohë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se raundi i ardhshëm i dialogut me Kosovën “nuk do të jetë i lehtë”, porse, sipas tij, është e rëndësishme që të dyja palët të bisedojnë, për të ulur tensionet dhe për të garantuar sigurinë e serbëve në Kosovë.

Procesi i dialogut ngeci vitin e kaluar kur asokohe, pala serbe rihapi çështjen e zbatimit të Marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Në Kosovë është kundërshtuar vazhdimisht formimi i një asociacioni njëetnik, derisa presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka thënë se Kurti nuk ka nevojë të shkojë në Bruksel, nëse nuk dëshiron të bisedojë për formimin e Asociacionit.

Marrëveshja për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë nuk u zbatua asnjëherë pasi Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se parimet për të nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, edhe pse ka thënë se ato mund të harmonizohen me një akt ligjor të Qeverisë së Kosovës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button