Kosovë, protestë kundër liturgjisë në Kishën Ortodokse Serbe brenda kampusit universitar

Dhjetëra studentë të Parlamentit Studentor të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, kanë protestuar lidhur me liturgjinë e mbajtur dje nga klerikë të Kishës Ortodokse Serbe në objektin e papërfunduar të kishës e cila ndodhet në oborrin e kampusit universitar në kryeqytet, raporton Anadolu Agency.

Rituali i tyre u mbajt pa njoftimin e institucioneve të Kosovës në kishën e cila është paditur nga Universiteti i Prishtinës i cili pretendon se këtë pronë e ka pasur në shfrytëzim të lirë dhe të papenguar nga dhjetori i vitit 1975 dhe se e njëjta ka qenë pjesë e kampusit të universitetit.

Studentët në protestë thanë se objekti në fjalë nuk është kishë por “objekt trashëgimie e kriminelit Millosheviq dhe Arkanit”. “Krimi nuk duhet të gjej strehim në kishë”, “Kisha të mallkojë kriminelët që vranë 1324 fëmijë”, kanë qenë disa nga mesazhet përçuese të studentëve në këtë protestë.

Erblin Hoxha, kryetari i Parlamentit Studentor, tha se kjo kishë është simbol i fashizmit dhe gjenocidit të kryer në Kosovë.

“Ne përfaqësuesit e studentëve e kundërshtojmë edhe objektin ilegal dhe liturgjinë që përpiqet ta rikthejë memorien për ekzistencën e kësaj trashëgimie kriminale. Kundërshtojmë fuqishëm provokimin nga vijuesit e ideatorëve të këtij objekti, sepse kryen krime dhe gjenocid ndaj popullit të Kosovës”, tha Hoxha.

Ai madje tha se liturgjia e mbajtur dje erdhi në përvjetorin e Lidhjes së Prizrenit dhe në ditën e fillimit të tërheqjes së forcave kriminale serbe nga Kosova si dhe në prag të 12 Qershorit – Ditës së Çlirimit të Kosovës.

“Nga institucionet e Republikës së Kosovës, kërkojmë lirimin e kampusit universitar nga simbolet e krimit të Millosheviqit dhe Arkanit, që në këtë objekt nuk e kishin për motiv promovimin e paqes dhe fjalës së Zotit por urrejtjen, dëbimin masiv dhe gjenocidin kundër shqiptarëve. Ky objekt duhet të trajtohet si çdo objekt tjetër ilegal dhe të largohet nga kampusi universitar në pajtim me ligjin”, tha Hoxha.

Nëse nuk largohet objekti në fjalë nga kampusi i UP-së, studentët kërkuan që ai të shpallet muze për pasqyrimin e gjenocidit serb mbi popullatën shqiptare.

“Institucionet nuk do të tolerojnë veprime që cenojnë sigurinë publike”

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku ka thënë se për aktivitetin e Dioqezës së Rashkë-Prizrenit, Policia e Kosovës nuk ka qenë e njoftuar paraprakisht.

Ai tha se prona ku është e ngritur struktura e papërfunduar e kësaj kishe është në procedurë kontestimore, ku paditës është Universiteti i Prishtinës (UP).

Çeku ka thënë se asnjë palë që është pjesë e procedurës gjyqësore “nuk guxon të ushtrojë presion mbi gjykatat”. Ai po ashtu ka paralajmëruar se institucionet s’do të tolerojnë veprime që cenojnë sigurinë publike apo të nxisin konflikte duke rrezikuar bashkëjetesën mes komuniteteve.

“Bëjmë thirrje që situatat e tilla të mos përsëriten dhe palët e interesit në këtë rast gjyqësor të përmbahen nga ushtrimi i presionit të drejtpërdrejt ose të tërthortë mbi institucionet e drejtësisë. Liria e veprimtarisë fetare është e garantuar me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, dhe ajo mbrohet me të gjithë mekanizmat institucionalë. Mirëpo veprimtaria fetare nuk mund të përdoret për qëllime politike dhe as të cenojë rendin, ligjin dhe drejtësinë. Për paqen që e gëzojmë sot kemi paguar çmim të lartë, prandaj institucionet e Kosovës nuk do të tolerojnë veprime që cenojnë sigurinë publike, që ndërhyjnë në pavarësinë e gjyqësorit dhe që nxisin konflikte duke e rrezikuar bashkëjetesën mes komuniteteve”, ka shkruar ai të enjten në mbrëmje në rrjetet sociale.

Sot gjatë ditës edhe Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” ka reaguar rreth ceremonisë fetare të organizuar nga Kisha Ortodokse serbe, duke thënë se do të ndërmerr të gjitha veprimet ligjore për lirimin e kampusit universitar nga të gjitha objektet e ndërtuara pa leje.

UP-ja ka theksuar se procesi dhe lokacioni i ndërtimit të kishës janë në procedurë kontestimore në Gjykatën Themelore në Prishtinë, duke e quajtur këtë veprim si “tentim për ndikim në procesin gjyqësor”.

“UP-ja fton të gjithë aktorët e përfshirë në proceset nëpër të cilët po kalon Kosova, t’i kontribuojnë qartësimit të kësaj situate, në përputhje me normat ligjore. UP-ja rithekson edhe një herë qëndrimin që kampusi universitar është i dedikuar vetëm për studentët dhe për aktivitete akademike si dhe dënon çdo sjellje e cila paraqet provokim për studentët, stafin dhe qytetarët e vendit”, thuhet në njoftimin e UP-së.

Objekti i nisur për Kishë Ortodokse në hapësirat e UP-së, kishte filluar në vitin 1992 në kohën e regjimit të Sllobodan Millosheviqit, e në gurthemelin e saj, ishte bërë publike se kishin marrë pjesë edhe njerëz me të kaluar të rëndë kriminale. Ky objekt, përkundër që kishte nisur ndërtimin me 1992, nuk kishte arritur të përfundohej asnjëherë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button