Për reformat arsimore dhe përvojat me teorinë e seftes

Reformat në arsimin fillor dhe të mesëm në Maqedoninë e Veriut kanë nisur në fillim të viteve të nëntëdhjeta, atëherë kur përpjekje për ndryshime në këtë fushë bënë pothuajse gjithë shtetet ballkanike që dolën nga monizmi gjysëmshekullor, disa prej te cilëve u zhytën në tunelin po aq të gjatë tranzitor të demokratizimit atipik të Ballkanit. Peng i këtij tuneli u bë dhe Maqedonia e Veriut, e cila nuk e mori seriozisht çështjen e reformomit të sistemit arsimor, nuk e bëri prioritet arsimin dhe, për pasojë, nuk i shpenzoi për të mirën e arsimit paratë që ia dhuroi bota për ta përparuar këtë sferë garancë për të ardhmen e popullatës së saj. Dëshmi për dështimet e ndodhura përgjatë 25 viteve të shkuara në pakthim janë nismat aktuale për reformimin e sistemit arsimor në të gjitha nivelet e shkollimit, që pritet të mos i përsërisin gabimet e kushtueshme që e lanë arsimin të vendnumërojë. Shi për këtë, ministrja e tashme e cila e pranon se arsimi në Maqedoninë e Veriut është lënë pas dore me vite të tëra, duhet të jetë e kujdesshme për hapat që ndërmerr; duhet të këtë parasysh mendimin e arsimtarëve dhe profesionistëve të fushës lidhur me mënyrën e bërjes së reformave; duhet të sigurojë që në krye të vijës buxhetin e domosdoshëm dhe të pandërprerë për ta mbyllur me sukses  punën e nisur; duhet të formojë ekipe profesionistësh që fillimisht do të studiojnë me kujdes gjendjen e arsimit në vend dhe do të ruajnë të mirat e sistemit të vjetër, sepse jo gjithçka që i takon së shkuarës është e kalbur; duhet të analizojë me kujdes sistemet e përparuara arsimore të vendeve të tjera dhe të përzgjedhë modelin e duhur që mund të japë rezultate në kushtet dhe rrethanat tona. Ndryshe, do të dështojë sërish e gjitha dhe kjo do ta ngulfatë arsimin edhe më keq se ç’është aktualisht, do ta vdesë shpresën për një të ardhme më të mirë dhe do ta nxisë akoma më shumë ikjen e pakthyeshme të të rinjëve jashtë vendit, sepse një shtet pa arsimim cilësor është një shtet që vdes në këste të padukshme.

Njeriu i parë i arsimit duhet ta ketë kujdes edhe të dhënën se një reformim i tërësishëm i të gjitha niveleve të shkollimit kërkon shumë më tepër kohë se një mandat ministri dhe shumë më tepër para se ato që ndanë shteti për përparimin e arsimit të vendit. Reformat në arsim duhet të jenë të vazhdueshme dhe të mos varen nga kalimi i pushtetin nga një parti në tjetrën. Ato nuk duhet të mbeten përjetësisht peng i teorive të seftes, siç do të thoshte një mike imja dhe siç ndodh në Maqedoninë e Veriut, ku ministrat e arsimit nuk i vazhdojnë punët e nisura nga pararendësit e tyre, por nisin nga e para projektet e njëjta që janë të destinuara për të dështuar. Prandaj, për të mos u përsëritur përsëritja përsëri, mjafton të shfrytëzojmë përvojat e shteteve që ia dolën të reformojnë me sukses sistemet e tyre arsimore, si puna e Sllovenisë, me të cilën para 30 vitesh kishim një sistem të njëjtë arsimi. Me udhët tjera dhe për aq kohë sa qeveria nuk do ta bëjë prioritet arsimin, zor se do t’i arrijmë sistemet e përparuara arsimore të botës, që janë ëndrra e çdo arsimdashësi.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button