Marrëveshja e Ohrit dhe Prespës janë pika ku SHBA nuk bën kompromis, pa to RMV do të zhytej në katastrofë

Urdhri ekzekutiv i presidentit amerikan Joe Biden për ngrirjen e pasurive dhe ndalimin e hyrjes në ShBA përfshirë ata që punojnë kundër Marrëveshjes së Prespës dhe asaj Kornizë të Ohrit, është mesazh i qartë, se marrëveshjet ndërkombëtare do të vazhdojnë të mbeten pikat ku administrata amerikane nuk do të bëjë kompromis dhe do t’i luftojë të gjitha aktorët që i kundërshtojnë. Pa to, vendi do të ishte zhytur drejt katastrofës, vlerësojnë ekspertët në Maqedoninë e Veriut për Portalb.mk.

Ish-diplomati Denko Maleski konsideron se amerikanët investuan në Marrëveshjen e Prespës, e cila hoqi Maqedoninë nga izolimi dhe e uli atë në tryezën e aleancës së NATO-s, duke i dhënë vendit polisën e mbrojtjes dhe sigurisë. Me këtë dekret, ata vlerësuan se këto investime janë të rrezikuara sot dhe se duhet të mbrohen edhe me një politikë aktive amerikane. Sepse, praktika e vjetër e nacionalistëve të vendit – të gëzojnë paqen dhe të mohojnë mjetet që çuan në atë paqe (Marrëveshjen e Ohrit dhe Prespës), vazhdon. Sipas tij, sulmi ndaj Prespës vjen nga të gjitha anët: nga opozita, nga Akademia e Shkencave dhe Arteve e Maqedonisë, nga universitetet, nga njeriu i thjeshtë, nga TV-folësit në detyrë.

Denko Maleski
Denko Maleski

“Pa to (Marrëveshjen e Prespës dhe të Ohrit), vendi do të ishte zhytur drejt katastrofës. Parë teorikisht, dekreti i Bidenit mund të zbrazë skenën politike maqedonase dhe madje ta privojë vendin nga partia më e madhe e opozitës. Gjegjësisht, individët dhe organizatat që punojnë kundër këtyre dy marrëveshjeve mund të sanksionohen me ndalimin e hyrjes në Shtetet e Bashkuara dhe duke ngrirë pronën e tyre atje. Kuptohet që individë të tillë nuk mund të drejtojnë vendin. “Ky është presion mbi Maqedoninë”, thonë nacionalistët tanë. “Ne shprehim vetëm vullnetin e shumicës së maqedonasve”. Saktë. Por presioni është emri i dytë i politikës ndërkombëtare, si dhe roli i pushtetit në të: të detyrosh dikë të bëjë diçka që nuk do ta bënte pa detyrim”, shprehet Maleski.

Maleski vlerëson se rishikimi i këtyre marrëveshjeve është mënyra më e shkurtër për izolimin e vendit dhe luftë civile. Loja me ndjenjat kombëtare të njerëzve ka mbaruar. Kjo lojë jo vetëm që do të shkatërrojë Maqedoninë e Veriut por do të destabilizojë Ballkanin dhe do të jetë një goditje e drejtpërdrejtë për interesin e sigurisë së Amerikës.

“Gjendja nacionaliste është e vështirë të ndryshohet në Ballkan, kështu që loja e patriotizmit mund të vazhdojë për njëqind vjet të tjera. Si rrjedhojë edhe fakti që shumica dërrmuese e maqedonasve dhe grekëve janë kundër ‘Prespës’. Por e djathta greke u kthjellua dhe pranon atë që nënshkroi qeveria e mëparshme. E djathta maqedonase, si të thuash, demonstron çdo ditë se nuk e ka mësuar këtë mësim dhe sfidon fuqinë e madhe që paqëson zonën shpërthyese ballkanike të Evropës dhe stabilizon Maqedoninë e Veriut. Për shkak se nacionalistët maqedonas vazhdimisht kanë dështuar të kuptojnë politikën ndërkombëtare, ata rrezikojnë të përfundojnë siç bëri paraardhësi i tyre Gruevski për shkak të së njëjtës injorancë. Me dekretin, Presidenti Biden tha se vendi i tij nuk tërhiqet nga marrëveshjet që ka nënshkruar dhe se pret të njëjtën sjellje nga nënshkruesit e tjerë”, vlerëson Maleski.

Selim Ibraimi
Selim Ibraimi

Nga ana tjetër, eksperti Selim Ibraimi thotë se ky vendim nënkupton ndryshim rrënjësor të politikës amerikane në Ballkan dhe në raport me BE-në. Qasjet e më hershme të administratave amerikane kanë shënjestruar çështjet sipërfaqësore të politikës së jashtme amerikane, kurse në mandatin e Presidentit Biden korrupsioni dhe siguria zhvillohen si dy komponenta kryesore amerikane për ruajtjen e stabilitetit në rajon dhe parandalimin e rrënimit të demokracive të brishta të mbështetura nga amerikanët që nga viti 1991.

“Nga Urdhri Ekzekutiv shihet se marrëveshjet ndërkombëtare do të vazhdojnë të mbeten pikat ku administrata amerikane nuk do të bëjë kompromis dhe do t’i luftojë të gjitha aktorët që i kundërshtojnë marrëveshjet paqësore”, thotë Ibraimi.

Sipas tij, ajo që duhet nënvizuar është vendosmëria e Uashingtonit për t’i rrahur çështjet drejt kësaj radhe dhe duke qëndruar prapa me të gjitha mjetet. Tani mbetet që qeveritë e rajonit të punojnë rreth forcimit të shtetit ligjor dhe luftës së vërtetë kundër korrupsionit.

“Ndryshe sanksionet ndërkombëtare nuk do të kenë efekt po që se qeveritë nuk fillojnë me ngritjen dhe procesimin e lëndëve. Një epokë e re ka filluar në kohën e angazhimit rus për të destabilizuar Ballkanin. Tani e tutje qeveria e MV duhet të tregohet serioze para faktorit ndërkombëtar dhe të punojë drejtë”, konsideron Ibraimi.

Përndryshe, disa ditë më parë, presidenti i SHBA-së Joe Biden nënshkroi urdhër ekzekutiv për ngrirjen e pasurive dhe ndalimin e hyrjes në Shtetet e Bashkuara të njerëzve që kërcënojnë stabilitetin e Ballkanit Perëndimor, përfshirë ata që punojnë kundër Marrëveshjes së Prespës dhe Marrëveshjes Kornizë të Ohrit.

Urdhëri është vazhdim i atij fillestar të vitit 2001, që parashikon sanksione për individë të Ballkanit Perëndimor që shihen si rrezik për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara, mirëpo tani janë paraparë edhe sanksione ndaj personave që kryejnë korrupsion dhe minojnë institucionet demokratike.

“Urdhri zgjeron hapësirën gjeografike të regjimit ekzistues të sanksioneve, duke përfshirë edhe Shqipërinë dhe zgjeron kriteret për kërcënimet aktuale ndaj sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara dhe interesave të politikës së jashtme në rajon, duke përfshirë pengimin e proceseve demokratike dhe gjyqësore, korrupsionin dhe krimin e organizuar”, thuhej në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë.

Presidenti Biden shprehet në urdhrin ekzekutiv se “është e nevojshme të bllokohen pronat dhe interesat mbi pronat e çdo personi për të cilin Sekretari i Thesarit, në konsultim me Sekretarin e Shtetit, ka arritur në përfundimin se minon proceset ose institucionet demokratike, apo marrëveshjet ose kornizë rajonale për sigurinë, paqen, bashkëpunimin, njohjen reciproke, ose mekanizmat e llogaridhënies, janë të përfshirë në shkelje serioze të të drejtave të njeriut, apo të përfshirë drejtpërdrejt ose indirekt në korrupsion”.

“Garantimi i sigurisë dhe stabilitetit politik të rajonit të Ballkanit Perëndimor është në përputhje me angazhimin e administratës Biden për avancimin e interesave thelbësore të sigurisë kombëtare të SHBA, përfshirë mbrojtjen e institucioneve demokratike”, thotë Shtëpia e Bardhë.

Ndërkohë, nuk është shpallur akoma lista e personave, që pritet të jenë të përfshirë në listën e zezë të Bidenit. Kjo pak a shumë tashmë dihet, edhe pse jo me saktësi, pasi ka qenë opozita maqedonase që është shprehur se me ardhjen e tyre në pushtet do ta zhbëjë Marrëveshjen e Prespës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button