U dënua qytetari që goditi Macronin

Shtetasi francez, Damien Tarel, i cili goditi me shuplakë në fytyrë presidentin e Francës, Emmanuel Macron, u dënua me katër muaj burgim, raporton REL. Dënimi u shqiptua të enjten në një gjykatë në qytetin Valence, dy ditë pas incidentit.

Macron po takonte qytetarët gjatë vizitës në një qytet në jug të Francës, kur u godit nga 28-vjeçari. Tarel u përball me akuzën për sulm ndaj një zyrtari publik – vepër kjo që bart dënimin maksimal prej tre vjetësh burgim dhe një gjobë prej 45,000 eurosh.

Tarel e përshkroi veten si simpatizant të krahut të djathtë. Ai tha në gjykatë se sulmi ishte impulsiv dhe i nxitur nga besimi i tij se Macron “përfaqëson rënien e vendit tonë”.

Macron nuk e komentoi gjyqin, por tha se “asgjë nuk e justifikon dhunën në një shoqëri demokratike – kurrë”.

Një person tjetër i arrestuar në përleshjen që pasoi shuplakën, do të gjykohet në një datë të mëvonshme për armëmbajtje pa leje.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button