Kurti propozoi Marrëveshje të Evropës Juglindore për Tregti të Lirë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në Samitin e Tiranës me liderët e Ballkanit Perëndimor, ka propozuar një Marrëveshje të Evropës Juglindore për Tregti të Lirë (SEFTA) si kornizë të re bashkëpunimi për të ardhmen në Ballkanin Evropian, raporton Koha.net.

Sipas propozimit të tij, në SEFTA do të përfshiheshin vendet e Ballkanit Perëndimor si anëtarë të barabartë me të drejta të barabarta, bazuar në një marrëdhënie të veçantë me Bashkimin Evropian, ngjashëm sikur marrëveshja e Zonës Ekonomike Evropiane – EEA.

Pas krijimit të saj, sipas Kurtit, do të zgjeroheshin katër liritë e BE-së për lëvizjen e lirë të mallrave, shërbimeve, personave dhe kapitalit në të gjitha vendet anëtare.

“Kjo marrëveshje do të modelohet në Marrëveshjen aktuale EFTA-EEA e cila do të parashikonte që Ballkani Perëndimor dhe BE të ecnin përpara së bashku duke u bazuar në legjislacionin e BE-së. Marrëveshja do të kishte një strukturë të ngjashme institucionale të modeluar rreth EEA-së që do të përbëhej nga Këshilli, Komiteti i Përbashkët, Gjykata, Sekretariati dhe autoriteti i Mbikëqyrjes, ndër të tjera. Marrëveshja do t’i përgjigjej gjithashtu ‘Planit të Investimeve Ekonomike të BE-së për Ballkanin Perëndimor’, i cili synon të mobilizojë deri në 9 miliardë euro në fonde në këtë dekadë”, ka thënë Kurti. “Duke pasur parasysh mungesën e gatishmërisë dhe ekspertizës brenda rajonit, marrëveshja me BE-në do të parashikonte një mekanizëm mbikëqyrjeje, të drejtuar dhe operuar në kuadër të Bashkimit Evropian për të siguruar që të gjithë anëtarët e respektojnë marrëveshjen; kjo është thelbësore nëse do të kemi një treg të përbashkët që funksionon në mënyrë të drejtë dhe parimore”.

Sipas Kurtit, BE-ja dhe Ballkani Perëndimor do të mund të zhvillonin një samit të veçantë në vitet 2024 dhe 2027 “për ta vlerësuar nivelin e gatishmërisë për anëtarësim të plotë në BE”.

“Republika e Kosovës është e interesuar të anëtarësohet në BE dhe të kontribuojë në rritjen e saj të vazhdueshme. E mirëpresim mundësinë për të punuar ngushtë me të gjithë fqinjët tanë rajonalë në lehtësimin e anëtarësimit tonë kolektiv në BE. Propozimi ynë është i guximshëm, por të tilla janë edhe ëndrrat e qytetarëve tanë. Ne jemi të bindur që nëse ecim së bashku në këtë rrugë, atëherë do të jemi në gjendje të adresojmë shumë sfida dhe të arrijmë objektivin tonë të përbashkët”, ka përfunduar ai.

Propozimi i Kurtit ka ardhur pasi është shprehur se pengesa kryesore për bashkëpunim rajonal është mosnjohja e Kosovës nga ana e Serbisë.

“Qasja aktuale ndaj bashkëpunimit rajonal ndikohet negativisht nga mosmarrëveshjet politike që e kanë penguar bashkëpunimin dhe i kanë ngritur dyshimet dhe pasiguritë në lidhje me të ardhmen. Për t’i zgjidhur këto probleme, ne së pari duhet ta pranojmë hapur burimin e tyre, pa ekuivoke ose finesë. Refuzimi i Serbisë për ta njohur pavarësinë e Kosovës është pengesë e vazhdueshme ndaj bashkëpunimit rajonal. Kosova nuk mund të angazhohet në iniciativa që janë të përshtatura për ta mohuar statusin e Kosovës si shtet sovran dhe i pavarur; ne do të angazhohemi vetëm si të barabartë”, ka thënë ai duke vazhduar se Kosova në kuadër të Marrëveshjes për Tregti të Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA) është e trajtuar në mënyrë të pabarabartë dhe të padrejtë.

“Në formën e saj aktuale, CEFTA nuk mund ta përgatisë rajonin për anëtarësim në BE. Kemi nevojë për përmirësim dhe përshpejtim. Në kuadër të Këshillit për Bashkëpunim Rajonal (RCC), për shkak të mosnjohjes së Kosovës nga Serbia, të gjitha iniciativat shndërrohen në mosmarrëveshje në lidhje me terminologjinë. Duke i pasur parasysh këto fakte, nuk mund të pretendojmë që iniciativat e ardhshme do t’i zgjidhin pengesat aktuale, përveç nëse e ndërrojmë kornizën aktuale të bashkëpunimit. Për më tepër, korniza aktuale nuk i adreson çështjet që ndërlidhen me pjesëmarrjen demokratike, ballafaqimin me të kaluarën, luftën kundër korrupsionit, llogaridhënien nga qeveria, pavarësinë e gjyqësorit dhe lirinë e medias”, ka thënë ai.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button