fbpx

Varianti shumë ngjitës i COVID-19 mund të përhapet gjerësisht në Evropë, paralajmëroi OBSH-ja

Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëroi sot se shkalla e vaksinimit në Evropë është ende larg nivelit të duhur për të penguar përhapjen e virusit ndërsa u bëri thirrje vendeve që të mbajnë në fuqi masat mbrojtëse, raporton VOA.

Drejtori për Evropën në OBSH, Dr. Hans Kluge, paralajmëroi se varianti shumë ngjitës i COVID-19 i identifikuar për herë të parë në Indi pritet të përhapet në rajon, ndërsa shumë vende përgatiten të lehtësojnë kufizimet dhe të lejojnë grumbullimet e njerëzve dhe udhëtimet përtej kufijve.

“Nga kjo javë, 36 nga 53 vende po lehtësojnë kufizimet për shkak të uljes së rasteve të COVID-19. Ndërsa të gjithë duan të gëzojnë përparimin e bërë në shumicën e vendeve në rajon, duhet të pranojmë gjithashtu se nuk e kemi kalur rrezikun”, tha ai.

Zoti Kluge tha se varianti që njihet me emrin ‘delta’, ka treguar se është rezistent ndaj vaksinës ndërsa shtoi se veçanërisht qytetarët mbi moshën 60 vjeçare janë ende të pambrojtur.

Ai tha se rreziku është përsëritja e asaj që ndodhi verën e vitit të kaluar kur vendet përjetuan ulje të përkohshme të rasteve me koronavirus.

“Gjatë verës së kaluar, pati rritje graduale të rasteve tek grupmoshat e reja të cilat më pas u zhvendosen në grupmoshat më të vjetra, duke ndihmuar ringjalljen shkatërruese të virusit, izolime dhe humbje jete, gjatë vjeshtës dhe dimrit të vitit 2020. Le të mos e përsërisim gabimin”, tha ai.

Zoti Kluge shtoi se synimi për të imunizuar të paktën 80 për qind të popullsisë së rritur ende është shumë larg.

“Deri më sot, 30 për qind e popullatës në rajon ka marrë të patën një dozë të vaksinës ndërsa 17 për qind janë vaksinuar plotësisht. Edhe pse kemi përparuar, nuk kemi arritur kufirin e nevojshëm”, tha ai.

Zoti Kluge mirëpriti njoftimin e Presidentit amerikan Joe Biden se ShBA do të blejë 500 milionë vaksina të kompanisë Pfizer për shpërndarje globale përmes programit COVAX.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button