Në agjendën e Bajdenit në Bruksel edhe negociatat e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë me BE

Ndër çështjet e shumta në agjendë gjatë vizitës së parë të Presidentit të SHBA Xho Bajden në Bashkimin Evropian, Ballkani Perëndimor do të jetë një nga temat mbi të cilat Brukseli dhe Uashingtoni do të theksojnë nevojën për një bashkëpunim dhe bashkërendim më të mirë, raporton RTS, duke iu referuar burimeve diplomatike, transmeton Portalb.mk.

“SHBA presin që BE të marrë drejtimin në Ballkan kur bëhet fjalë për dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës, por edhe politikën e përgjithshme të zgjerimit, me mbështetjen aktive të Uashingtonit”, theksojnë burime diplomatike në Bruksel, duke shtuar se SHBA e inkurajon BE-në që më në fund të hapë negociatat me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, duke pasur parasysh se politika e besueshme e zgjerimit të BE-së është edhe në interesin strategjik të SHBA.

Ndryshe nga BE, pesë vendet anëtare të së cilës nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, zyrtarët e SHBA thonë se zgjidhja gjithëpërfshirëse e dialogut Beograd-Prishtinë duhet të çojë deri te njohja reciproke.

“Megjithëse ka disa dallime midis pikëpamjeve të Brukselit dhe Uashingtonit për rajonin, administrata e Presidentit Bajden e ndan interesin në rritje të BE-së për çështjet sundimit të së drejtës dhe lirisë së medias në Ballkanin Perëndimor”, thonë nga Brukseli.

Në propozim deklaratën- e përbashkët, e cila mund të ndryshojë, thuhet se “Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian do të forcojnë angazhimin e tyre të përbashkët në Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë dialogun për normalizimin e marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës dhe mbështetjen për reformat kryesore brenda integrimit evropian.”

Qëllimi kryesor i vizitës së parë të Presidentit Xho Bajden në Evropë që nga fillimi i mandatit të tij do të jetë “rinovimi i partneritetit transatlantik” dhe krijimi i një agjende të përbashkët për periudhën post-pandemike. Në Bruksel më 15 qershor, ai do të takohet me Presidentin e Këshillit Evropian Sharl Mishel dhe Presidenten e Komisionit Evropian Ursula fon der Lejen. Bajden do të diskutojë edhe për bashkëpunimin në luftën kundër kovid-19, rimëkëmbjen ekonomike dhe luftën kundër ndryshimeve klimatike, marrëdhëniet me Rusinë dhe Kinën dhe një qëndrim të përbashkët kundër minimit të demokracisë në të gjithë botën.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button