Alternativa: LSDM dhe BDI e ushqejnë diskriminim sportiv në Kumanovë

Partia opozitare shqiptare Alternativa, sot nëpërmjet një konference për media ka reaguar në lidhje me gjendjen në të cilën ndodhet stadiumi i Kumanovës. Nga kjo parti kanë theksuar se, sportet në këtë qytet janë kapluar nga një gjendje e mjerueshme dhe kjo më së miri nga rezultatet e klubeve sportive, të cilët në të kaluarën kanë qenë në ligat elite të Maqedonisë së Veriut, por edhe në Evropë, transmeton Portalb.mk.

“Komuna e Kumanovës, që udhëhiqet nga binomi BDI-LSDM, në vend që të merret me zhvillimin e sporteve dhe ruajtjen e traditave sportive, ka vendosur që të heshtë. Ndonëse, për hir të së vërtetës, qytetarët e Kumanovës e dinë fort mirë se pushteti i LSDM-së nuk ka trajtim të tillë edhe kur bëhet fjalë për sportin që zhvillohet në pjesët maqedonase të qytetit. Në atë anë kemi pishinë, objekte për hendboll, pista për vrapim, patinazh, terrene për tenis, të gjitha këto të mbuluara nga buxheti i Komunës dhe burime të tjera financimi, të cilat mbushen edhe nga të gjithë taksapaguesit, përfshirë edhe qytetarët shqiptarë”, kanë theksuar nga Alternativa.

Më tej nga kjo parti kanë akuzuar kryetarin e Kumanovës, Maksim Dimitrievski se ka punuar vetëm në pjesët maqedonase.

“Siç e dimë, kryetari Maksim Dimitrievski u tregua i aftë në rinovimin e plotë të kompleksit sportiv në lagjen “Sokolana”, por shfaqi paaftësi në rregullimin e këndeve për fëmijë në Lagjen e Trimave, në lagjen “Dardania”, në parkun e qytetit të Kumanovës, si dhe në pjesët tjera të qytetit, ku shumica e banorëve janë shqiptarë. Megjithatë, kulmi i neglizhencës së pushtetit BDI-LSDM është stadiumi i qytetit, i cili është lënë në gjendje të mjerueshme. Si duket LSDM-ja, por edhe BDI-ja, nuk janë aspak të interesuara për rregullimin e stadiumit të qytetit, aty ku dikur organizoheshin gara të ndryshme dhe ku reprezentacioni i Maqedonisë së Veriut zhvillonte ndeshje sportive me reprezentacionet e shteteve tjera. Hiç më mirë nuk është gjendja as me sallat sportive”, u tha në konferencën e sotme.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button