Radev: Mbështesim integrimin evropian të RMV-së, për progres është i rëndësishëm dialogu midis dy vendeve më të afërta në Ballkan

Bullgaria mbështet integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut, tha Presidenti Rumen Radev në takimin e djeshëm online me presidentin e Parlamentit Evropian, David Sassoli. Takimi ishte me kërkesë të Sassoli, kurse presidenti bullgar theksoi se vendi i tij në parim dhe vazhdimisht mbështet integrimin evropian të Republikës së Maqedonisë së Veriut, transmeton Portalb.mk.

Në kumtesën zyrtare të kabinetit të Radevit thuhet edhe se ai ka theksuar që Bullgaria pret rezultate të qëndrueshme në procesin e ndërtimit të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe në atë drejtim, më i rëndësishëm është dialogu i drejtpërdrejtë dhe i hapur midis dy vendeve më të afërta në Ballkan, me qëllim që të arrihet përparim i vërtetë.

Të dy bashkëbiseduesit iu referuan edhe masave për trajtimin e pandemisë së koronavirusit, si edhe tema, të cilat janë në rend dite të  Bashkimit Evropian, dme fokus në politikën e zgjerimit.

Kujtojmë se Maqedonia e Veriut, i ka përmbushur kushtet dhe ka marrë dritë jeshile për fillimin e negociatave me BE-në. Megjithatë, ky proces ka mbetur në vend numëro pasi Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Tito. Paraprakisht, në një dokument gjashtë faqe, me arsyetime të gjata historike për “ideologji shtetërore antibullgare” në Maqedoninë e Veriut, Bullgaria u dërgoi memorandum sqarues vendeve anëtare të BE-së në prag të vendimit për fillimin e negociatave me Unionin.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedono – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Krerët e Maqedonisë së Veriut, megjithëse tentuan të zbusin tensionet, sërish u shprehën se nuk do të negociojnë për identitetin e tyre, pasi kjo bie ndesh me parimet themelore të vetë-përcaktimit dhe standardeve të BE-së.

Përfundimisht nga agjenda e Këshillit Evropian u hoqën edhe konkluzat për Ballkanin Perëndimor më 18 dhjetor, pasi nuk kishte unanimitet te anëtarët e Bashkimit Evropian.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button