Kosovë, drojë për marrëveshjen që e prodhon dialogu, i cili nis më 15 qershor

Të martën do të marrë start faza e re e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me takimin e parë që zhvillohet në Bruksel ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb, Akleksandër Vuçiq. Kosova pret që finalja e procesit ta prodhojë njohjen reciproke. Por, nga zyrtarë të lartë, është shprehur drojë se shteti mund të dëmtohet, nëse imponohet formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, shkruan Koha.net.

Faza e re e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të marrë start në fillim të javës së ardhshme. Në Bruksel kanë konfirmuar datën e takimit të parë, në kuadër të procesit që synohet të përmbyllet me marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht obliguese për shtetet.

“Mund t’ju njoftoj se raundi tjetër i dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës do të jetë javën e ardhshme, më 15 qershor në Bruksel. Në këtë takim do të marrin pjesë presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, dhe për herë të parë Albin Kurti, kryeministër i ri i Kosovës”, ka thënë në një konferencë shtypi një nga zëdhënësit e Bashkimit Evropian, Peter Stano. “Ky takim do të lehtësohet nga përfaqësuesi i lartë, Josep Borrell, dhe përfaqësuesi special për dialogun, Miroslav Lajçak”.

Presidentja Vjosa Osmani, ndonëse nuk do të jetë në takim, gjatë një bashkëbisedimi virtual, të organizuar nga Këshilli Atlantik, i ka treguar pritjet që Kosova i ka nga dialogu.

“Kosova shkon në këtë proces e përgatitur mirë dhe me qëllime të qarta për të kontribuar në marrëveshje përfundimtare cilësore”, ka thënë presidentja Osmani. “Kosova është e përgatitur që të shkojë në bisedime, për të arritur një marrëveshje reciproke, që ka në qendër të saj njohjen reciproke mes Kosovës dhe Serbisë”.

Para takimit të së martës, Kuvendi do të debatojë mbi marrëveshjet e deritashme të mbërritura, prej kur ka nisur dialogu, rreth një dekadë më parë. Kryeministri Kurti që nga fillimi është pozicionuar kundër marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Një nga bashkëpunëtorët më të afërt të tij, kryeparlamentari Glauk Konjufca, ka paralajmëruar këtë javë gjatë vizitës në Shqipëri se Asociacioni do të ishte shumë i dëmshëm për vendin, prandaj ka kërkuar ndihmë nga Tirana zyrtare, pa specifikuar se cila do të ishte ajo.

Por një burim ka folur për kërkesën që ka pasur kryeparlamentari.

“Kryeparlamentari Konjufca në të gjitha takimet ka kërkuar që të iniciohet dhe miratohet një Rezolutë në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, me të cilën do të dënohej gjenocidi i Serbisë në Kosovë”, ka thënë ky burim. “Një rezolutë e tillë në këtë kohë do të përbënte ndihmë të madhe për pozicionin e Kosovës”.

Në kabinetin e kryeparlamentarit nuk kanë pranuar të flasin mbi këtë kërkesë specifike.

E, në Bruksel u janë kundërpërgjigjur deklarimeve në Prishtinë, për të mos e zbatuar marrëveshjen për Asociacionin.

“Siç keni dëgjuar këto ditë, edhe Bashkimi Evropian, edhe shtetet anëtare e edhe Shtetet e Bashkuara presin nga të dyja vendet përkushtim të vazhdueshëm në dialog dhe që të jetësojnë të gjitha marrëveshjet e mëparshme”, ka thënë zëdhënësi Peter Stano.

Në funksion të organizimit të fazës së re të dialogut, javën e shkuar në Kosovë dhe Serbi kanë qëndruar emisari special i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, dhe zëvendësndihmëssekretari amerikan i Shtetit, Matthew Palmer.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button