fbpx

Kuvendi i Shqipërisë sot do të votojë shkarkimin e Metës

Kuvendi i Shqipërisë do mblidhet sot për të votuar si asnjëherë më parë për shkarkimin e presidentit të Republikës.

Mazhorancës socialiste i duhen 94 vota për ta larguar presidentin Ilir Meta nga detyra përpara përfundimit të mandatit. Ndërkohë, përpara nisjes së seancës plenare, kryeministri Edi Rama do të kthehet në Tiranë pas vizitës në Hungari dhe Bullgari, transmeton Koha.net.

Komisioni parlamentar i ngritur për të hetuar veprimtarinë e presidentit Ilir Meta gjatë zgjedhjeve të 25 prillit i ka konsideruar “shkelje të rënda” qëndrimet dhe deklaratat e shprehura prej tij.

Në raportin përfundimtar prej 96 faqesh sipas Euronews Albania thuhet se “Presidenti shkeli 17 nene të Kushtetutës” dhe se “këto shkelje konsiderohen nga komisioni si shkelje të rënda”.

Ndërkohë, kreu i shtetit e ka cilësuar Kuvendin që do të mblidhet për shkarkimin e tij “antikushtetues”.

Në një deklaratë për mediat nga Elbasani pak ditë më parë Meta theksoi se “Kuvendi është tre herë më antikushtetues”, ndërsa apeloi që “të hetohen krimet zgjedhore”.

“Zoti i faltë ata që nuk dinë se çfarë bëjnë dhe t’i udhëheqë të gjithë në rrugën e të mirës së përbashkët”, – u shpreh kreu i shtetit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button