​​PRITJA E KOTË

​​​Xhovani Drogo, te vepra Shkretëtira e tartarëve nga Dino Buzzati, është emëruar si epror në një kështjellë të largët. Aty pret shfaqjen e armikut në kufijtë e shkretëtirës.

Pret ai si personazhet e veprës Duke pritur Godonë nga Beketi.

​​​Pret si të mbledhurit në agora, që shpresojnë në ardhjen e barbarëve, si në poezinë e Kavafisit.

​​​​Shpreson se pas mposhtjes së armikut do të mbulohet me lavdi.

​​​​Koha kalon dhe askush nuk shfaqet në horizont.

Në këtë atmosferë kafkiane, ku duket se ndodh diçka, por nuk ndodh asgjë, sundon vetëm rutina.

Jeta e Drogos është ndalur. E njëjta ditë përsëritet “me qindra herë, pa bërë një hap përpara”.

Vepra Shkretëtira e tartarëve, e përkthyer nga Dritan Çela, është libër mbi pritjen e kotë dhe (pa)kuptimësinë e jetës, ku, siç thotë Jan Marteli, “erozioni i kohës gërryen ambiciet tona”.

Kjo vepër, që e mahniti sojliun Borges, i cili tha se brezat e ardhshëm nuk do të lejojnë që të harrohet emri i Buzzatit, i flet secilës kohë.

Pritja jonë për një të ardhme të ndritur i ngjan asaj të Xhovani Drogos. ​​​​

Presim me vite ndryshimin që nuk ndodh.

Thonë se e ardhmja do të jetë e ndritur.

​​​​Presim, votojmë dhe koha kalon. ​

Derisa presim, derisa dëgjojmë rrëfime për lavditë e moçme dhe për të ardhmen e ndritur, kështjella jetësore rrënohet, kurse makina e pamëshirshme e kohës na i gërryen ambiciet.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button