fbpx

Barazia gjinore në RMV e Shqipëri, larg realitetit evropian

Përfaqësimi i grave në politikë dhe postet vendim-marrëse lë shumë për të dëshiruar në Maqedoninë e Veriut dhe Shqipëri. Stereotipet dhe paragjykimet mbi rolin e gruas në shoqëri janë faktorë kyç të cilat e mbajnë atë larg politikës po edhe sferave tjera jetësore. Rritja e numrit të grave në politikë e vendimmarrje kohëve të fundit është arritur falë përcaktimit të kuotave gjinore, megjithatë ende duhet të punohet shumë në këtë drejtim, shkruan Portalb.mk.

Barazia gjinore është një ndër objektivat kryesore të Bashkimit Evropian. Parimi se burrat dhe gratë duhet të marrin pagë të barabartë për punë të barabartë është ngulitur në Traktatet Evropiane që nga viti 1957, kontretisht me Nenin 157 të Traktatit për Funksionimin e Bashkimit Evropian (TFEU). Neni 153 TFEU i mundëson BE-së të veprojë në fushën më të gjerë të mundësive të barabarta dhe trajtimit të barabartë në çështjet e punësimit, dhe brenda kësaj kornize neni 157 TFEU autorizon veprime pozitive për të fuqizuar gratë. Për më tepër, neni 19 TFEU parashikon miratimin e legjislacionit për të luftuar të gjitha format e diskriminimit, përfshirë në bazë të seksit.

E megjithatë barazia gjinore në vendet e rajonit është larg asaj që parashikon BE-ja, përfaqësimi i femrës çalon në shumë fusha dhe pikëpamje të jetës. Politika dhe postet vendim-marrëse është një ndër fushat kryesore ky përfaqësimi i femrës është mjaftë i zbehtë.

Maqedoni e Veriut, integrimi i femrës në politikë “me hapa të breshkës”

Qeveria e RMV-së, foto: Qendra për Mundësi të Barabarta (CEO).
Qeveria e RMV-së, foto: Qendra për Mundësi të Barabarta (CEO).

Që nga përbërja e Qeverisë së parë të Maqedonisë së Veriut, më 20 mars 1991, përfaqësimi dhe integrimi i femrës në politikë ka ecur me hapa shumë të ngadalta. Përfaqësimi i femrës vazhdon të jetë në hendek edhe sot e kësaj dite. Qeveria aktuale e Maqedonisë së Veriut u zgjodh më 30 gusht të vitit 2020, edhe në përbërjen e kësaj Qeverie në postet më të rëndësishme dominojnë meshkujt. Nga gjithsej 16 ministri që ka vendi gratë udhëheqin vetëm 4 ministri, ndërkohë vetëm 2 gra mbajnë postin e zëvendësministres. Asnjë femër nuk figuron as në postin e zëvendës-kryeministrit të shtetit.

Kryeministri i RMV dhe zëvendës-kryeministrat e Qeverisë

Në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut nga 120 karrige në total vetëm 43 janë të përfaqësuara nga gratë. Historikisht, përfaqësimi i femrës në shtëpinë ligjvënëse të Maqedonisë së Veriut ka lënë shumë për të dëshiruar. Në Legjislacionin e parë (1990-1994) gratë ishin të përfaqësuara vetëm 4%, në Legjislacionin e dytë (1994-1998) 3.2% e deputetëve ishin gra, në Legjislacionin e tretë (1998-2002) gratë ishin 7.5%, rritje më e theksuar e përfaqësimit femëror vërehet në Legjislacionin e katërt (2002-2006) me 17.5%, rritja vazhdon në Legjislacionin e pestë (2006-2008) me 28.3%, në Legjislacionin e gjashtë (2008-2011) 32.5%, në Legjislacionin e shtatë (2011-2015) gratë në Kuvend përbëjnë 30.9% dhe në Legjislacionet e fundit përqindja e grave në Kuvend arrin në 38%.

Përfaqësimi i femrave në Kuvendin e RMV-së ndër vite

Burimi: Burrat në RMV ende nuk kanë vullnet të vendosin vendimmarrjen në duar të grave

Edhe ato ulëse që gratë i kanë siguruar në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, kryesisht janë falë përcaktimeve në bazë të kuotave gjinore. Disbalanci i përfaqësimit të femrës në politikë vërehet dukshëm në fushat ku duhet respektuar kuota gjinore dhe fushat ku nuk ka një detyrim të tillë.

Përfaqësimi i grave në politikë kryesisht është për shkak të kuotave gjinore, të cilat sigurojnë që 40 % e kandidatëve për këshilltarë dhe deputetë të jenë gra. Prandaj, ne propozuam ndryshime në Kodin Zgjedhor të cilat parashikojnë që numër i burrave dhe grave në listë të jetë i barabartë. Në pushtetin ekzekutiv ku nuk ka kuota gjinore, numri i grave ministre dhe kryetare është shumë i vogël”, deklaroi Maja Moraçanin, deputete në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut.

Moraçanin vlerëson se ka disa arsye pse gratë në vendin tonë është shumë pak e kyçur në politikë, por dhe në sfera tjera të jetës.

Besoj se stereotipat dhe paragjykimet për rolin e grave në shoqëri janë një nga faktorët kryesorë. Gjithashtu, puna e papaguar që bëjnë gratë në familje, kujdesi për fëmijët dhe anëtarët e moshuar të familjes janë arsyet e aktivitetit të ulët të grave si në jetën ekonomike ashtu edhe në jetën politike. Për më tepër, gjuha e urrejtjes kundër grave politikane, veçanërisht në rrjetet sociale, i dekurajon gratë nga përfshirja aktive në politikë”, shtoi deputetja Maja Moraçinin.

Përfaqësimi i grave në politikë jo i kënaqshëm edhe në Shqipëri

Më 20 prill të vitit 2021, kreu socialist fitoi edhe një mandatat të tretë në Shqipëri. Aktualisht, Qeveria shqiptare përbëhet nga 15 ministri prej të cilave 9 ministri udhëhiqen nga gra. Ndryshe nga Maqedonia e Veriut që ka 4 zëvendës/kryeministra, Shqipëria posedon vetëm një post të tillë dhe në krye të saj qëndron një mashkull. Qeveritë Rama I dhe II përbëheshin nga 13 ministri prej të cilave 6 ministri udhëhiqeshin nga gra, përderisa në tre mandate në postin e kryeministrit apo zëvendëskryeministrit asnjëherë nuk ka qenë femër.

Përbërja e Qeverisë shqiptare

Parë në aspektin kronologjik, përfaqësimi i grave në Kuvendin e Shqipërisë ka ecur me hapa shumë të ngadalshme. Përfaqësimi i femrës në Kuvendin e Shqipërisë daton në periudhën 1945 – 1950 Legjislatura e I – ku kishte gjithsej 82 deputetë  prej të cilëve 6 ishin gra. Nga viti 2013 deri më sot numri i deputetëve gra në Kuvendin e Shqipërisë është rritur me përqindje të vogël nga viti në vit. Në vitin 2013  Kuvendi i Shqipërisë kishte vetëm 17.9% gra , në vitin 2014 përfaqësimi i grave u rrit në 20.7 %, në vitin 2015 22.9% e deputetëve ishin gra , në vitin 2016 grave ishin 23.6 ndërsa në vitet 2017,2018 dhe 2019 përfaqësimi i grave në kuvend ishte 29 %. Aktualisht në Kuvendin e Shqipërisë ka 140 deputet prej të cilëve 36 janë gra. Sipas pikës 3/a të Nenit 4 (Ligji zgjedhor dhe barazia gjinore) të Kodit Zgjedhor në Shqipëri, jo më pak se 30% e përbërjes së Kuvendit duhet të ketë kuota të gjinisë së nen-përfaqësuar.

Përfaqësimi i femrave në Kuvendin e Shqipërisë nga viti 2013 deri në vitin 2019

Burimi: INSTAT.gov.al

Si në RMV ashtu edhe në Shqipëri, përcaktimi i kuotave gjinore luan një rol kyç në përfaqësimin e femrës në politik. Eglantina Gjermeni, deputete në Kuvendin e Shqipërisë vlerëson se pjesëmarrja e grave në vendimmarrje është përmirësuar në rajonin tonë, për shkak të ndryshimeve ligjore apo edhe vendosjen në legjislacion të kuotave gjinore.

“Me vjen shumë mirë, madje jam krenare që p.sh në Shqipëri më shumë se gjysma e Qeverisë janë gra
ministre, 30 % e Parlamentit janë gra deputete, gati 49 % këshilltare në këshillat bashkiakë. Besoj që çdo arritje në këtë drejtim është rezultat i një sërë faktorëve, por sërish pjesëmarrja e grave në të gjitha nivelet e vendimmarrjes nuk është në nivelin e duhur”, u shpreh për Portalb.mk deputetja Eglantina Gjermeni.

Sipas Gjermeni, sfidat e pengesat me të cilat përballen gratë në rrugën e angazhimit publik apo politik janë të shumta dhe në përgjithësi janë sfida të ngjashme me ato që gratë në të gjithë botën përballen, gjithsesi në rajonin tonë mund të ketë edhe specifika për shkak të historisë, kulturës, nivelit të zhvillimit ekonomik e social etj.

“Po ti referohemi historisë, në vendet e rajonit tonë, të pakta kanë qenë gratë lidere apo udhëheqëse, gjë që e bën më të vështirë angazhimin e grave në jetën publike. Mendësia tradicionale dhe stereotipet gjinore lidhur me rolin që gratë duhet të kenë si përkujsdesëse për familjen dhe konsiderimi i tyre si jo të zonjat për pozicione drejtuese, është një nga pengesat që shoqëritë tonë vendosin përpara grave e vajzave . Mjedisi politik në vendet tona, më një demokraci jo shumë të zhvilluar, agresiviteti e konfliktualiteti i politikës, i bën gratë dhe vajzat të stepen apo të mos angazhohen në politikë. Ashpërsia e luftës politike, gjuha e përdorur, etiketimet dhe konsiderimi i politikës si domen i burrave, ndikojnë shumë në vendimin për tu angazhuar ose jo në politikë për një grua. Dhuna ndaj grave në politikë ( në të gjitha format e saj) është një nga faktorët që këto kohët e fundit, por diskutohet shumë edhe në vende më të zhvilluara si një pengesë për gratë dhe angazhimin e tyre politik. Angazhimet familjare, përkujdesja ndaj familjes, pritshëmritë që gratë duhet të përmbushin si gra, bashkëshorte, nëna, në fakt janë kaq të forta në shoqëritë tona, por në të njëjtën kohë kërkojnë shumë kohë e angazhim. Një tjetër faktor, është edhe vetëvlerësimi i ulët që gratë dhe vajzat shpesh kanë për vetën. Edhe kjo ndodh për shkak të socializmit. Niveli i arsimimit, punësimit si edhe niveli i të ardhurave, shpesh bëhen barrierë për gratë dhe mundësitë e tyre për angazhim publik e politik”, thekson mes tjerash Gjermeni.

Sipas saj, në vendet e rajonit partitë politike nuk janë gjithmonë të hapura dhe miqësore me gratë dhe vajzat.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button