RMV, zbatimi i Ligjit të Gjuhëve sipas dëshirës së institucioneve

Edhe pse kanë kaluar dy vite nga hyrja në fuqi e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve në Maqedoninë e Veriut, zbatimi i të njëjtit është shumë i zbehtë në praktikë. Neni 23 i këtij Ligji thotë se “Në afat prej një viti nga dita e hyrjes në fuqi e këtij ligji, të gjitha institucionet kompetente obligohen që t’i miratojnë aktet nënligjore për zbatimin e këtij Ligji”. Megjithatë, lëshime në zbatimin e këtij Ligji vërehen institucionet, si në nivel qendror ashtu edhe në nivel lokal. Ligji nuk zbatohet me korrektësi as në faqen zyrtare të Qeverisë si dhe raporti i fundit nga AZGJ raporton të dhëna të ulëta në interesimin e institucioneve për zbatimin e këtij Ligji, shkruan Portalb.mk.

Në ueb-faqen zyrtare të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut nuk respektohet plotësisht e drejta e qytetarëve për informim në gjuhën shqipe. Edhe pse kjo është një e drejtë e garantuar dhe e rregulluar me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve. Në nenin 1, paragrafi 3, të këtij ligji theksohet:

 “Në të gjitha organet e pushtetit shtetëror në Republikën e Maqedonisë, institucionet qendrore, ndërmarrjet publike, agjencitë, drejtoritë, entet dhe organizatat, komisionet, personat juridikë që kryejnë autorizime publike në pajtim me ligjin dhe institucionet tjera, gjuhë zyrtare krahas gjuhës maqedonase dhe alfabetit të saj është edhe gjuha që e flasin 20% e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë dhe alfabeti i saj, në mënyrë të përcaktuar me këtë ligj”.

Në rast të mos zbatimit të këtij Ligji parashikohen gjoba materiale për institucionet dhe për individë fizikë.

Neni 22
(1) Gjobë në shumë prej 4.000 deri në 5.000 euro në kundërvlerë me denarë për kundërvajtje do t’u shqiptohet organeve të theksuara në nenin 1 paragrafi (3), nenin 2 paragrafi (3), si dhe të gjitha institucioneve tjera për mosrespektimin e dispozitave të këtij ligji.

(2) Gjobë në shumë prej 30% të gjobës së përcaktuar do t’i shqiptohet personit zyrtar dhe personit
përgjegjës në organet nga paragrafi 1 i këtij neni.

Në shikim të parë në ueb-faqen zyrtare të Qeverisë të dhënat në gjuhën shqipe në disa raste nuk figurojnë aspak e në disa raste nuk janë të kompletuara ose nuk janë të plotësuara dhe të përditësuara. Cilësia dhe sasia e informimit në gjuhën shqipe mundet të vërehet që nga korniza për navigim të shpejtë, ku në gjuhën shqipe ka më pak kategori informimi.

Në shumë nga kategoritë e informimit në gjuhën shqipe informacioni nuk figuron aspak ose nuk është i plotësuar. Për shembull nëse klikon mbi kategorinë: Masat ekonomike të Qeverisë për parandalimin e Krizës nga COVID19. Në faqen e re që hapet figuron vetëm titulli dhe asgjë më shumë.

Gjuha shqipe në ueb-faqen zyrtare të Qeverisë

Asnjë informacion në gjuhën shqipe nuk ka as në kategorinë: Protokollet të cilat dalin nga plani për zbutjen e masave restriktive për parandalimin e përhapjes së Koronavirusit. Përderisa në informimin në gjuhën maqedonase në këtë kategori figurojnë 78 artikuj.

Gjuha shqipe në ueb-faqen zyrtare të Qeverisë

Në gjuhën shqipe nuk ka informata në kategorinë e: Shpalljeve publike. Ndërsa në kategorinë: Qasje në informacion me karakter publik, të dhënat në gjuhën shqipe janë të pakompletuara.

Informacioni në gjuhën shqipe është i cunguar dhe i pa kompletuar edhe në të dhënat mbi Ministritë e vendit. Në shumë nga këto institucione mungojnë emrat e udhëheqëseve të tyre.

Në gjuhën shqipe mundet të gjenden konferencat për shtyp të Qeverisë, por gjithmonë versioni në gjuhën shqipe ngarkohet me vonesë në internet dhe materialet informuese tek mediat në gjuhën shqipe arrijnë me vonesë.

Çfarë e pengon Ligjin e dygjuhësisë të zbatohet me përpikëri në ueb-faqen e Qeverisë

Për të ditur më shumë se ku është pengesa që në ueb-faqen e Qeverisë informimi në gjuhën shqipe, redaksia jonë u drejtua në Qeveri. U deshën më shumë se 20 ditë që ne të marrim një përgjigje për kërkesën tonë për informacion nga ky institucion. Nga Qeveria thanë për Portalb.mk se ky institucion po respekton me përpikëri Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve.

“Lidhur me pyetjen tuaj ju informojmë se Ligji për Përdorimin e Gjuhëve respektohet plotësisht nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Gjatë organizimit të ngjarjeve dhe konferencave për shtyp në Qeveri ose nën patronimin e Qeverisë, ofrohet përkthimi në gjuhën Shqipe. Për më tepër, ne dëshirojmë t’ju informojmë se të gjitha njoftimet nga seancat e qeverisë janë të përkthyera dhe mund të shihen në faqen e internetit të Qeverisë. Në rast se ka material më të gjerë, siç janë ligjet, projektligjet, duhet më shumë kohë për përkthim dhe kur të përfundojë, ai është gjithashtu i disponueshëm në gjuhën e duhur”, theksuan nga Qeveria e RMV-së.

Institucionet qendrore e lokale nuk janë të interesuara për zbatimin e Ligjit të dygjuhësisë

Sipas nenit 18 të Ligjit për përdorimin e Gjuhëve është themeluar Agjencia për Zbatimin e Gjuhëve, me qëllim për promovimin, mbrojtjen dhe zbatimin e barabartë të gjuhës zyrtare që e flasin së paku 20% e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë dhe alfabetit të saj Sipas të dhënave të publikuara në raportin e fundit vjetor nga Agjencia për Zbatimin e Gjuhëve (AZGJ), vërehet një mos interesim nga institucionet qendrore dhe ato lokale mbi respektimin dhe implementimin e Ligjit për Zbatimin e Gjuhëve. Gjatë vitit 2020 AZGJ ka dorëzuar 428 pyetësor anketues tek institucionet në nivel qendror dhe lokal ndërsa përgjigje ka marrë vetëm nga 119 institucione. Pra në anketën e AZGJ-së janë përgjigjur vetëm 27,80% e institucioneve në Maqedoninë e Veriut.

Nga 119 përgjigjet e siguruara rezulton se:

  • 70 institucione i kanë plotësuar detyrimet e nenit 23 të Ligjit ndërsa 40 institucione pjesërisht.
  • Formë organizative për përkthim dhe lekturim në dhe nga gjuha shqipe kanë paraparë vetëm 28 institucione, ndërsa 88 institucione tjera nuk kanë paraparë asnjë formë organizative.
  • 75 institucione nuk kanë asnjë përkthyes dhe lektorë ndërsa 28 institucione kanë vetëm nga 1 përkthyes dhe lektor
  • 63 Institucione nuk kanë paraparë mjete financiare për përkthyes dhe lektor për vitin 2021
  • 79 institucione në anketë janë përgjigjur vetëm në gjuhën maqedonase, 36 në dy gjuhë dhe 4 institucione janë përgjigjur vetëm në shqip.
Zbatimi i dygjuhësisë në RMV, element kyç në përforcimin e bashkëpunimit me Shqipërinë

Në mbledhjen e përbashkët qeveritare, mes Maqedonisë së veriut dhe Shqipërisë, në vitin 2017 kryeministri i Shqipërisë mes tjerash vuri theksin në rëndësinë e shtrirjes së gjuhës shqipe në gjithë territorin e Maqedonisë së Veriut. 

“Shpresoj që ligji për shtrirjen e gjuhës shqipe në Maqedoni të miratohet dhe zbatohet sa më shpejt. Alfabeti i Manastirit duhet të transformohet si një qendër kulturore dhe artistike. Simbolika flet shumë për të gjithë së bashku. Ne kemi punuar dhe do të punojmë për mirëqenien dhe për sigurinë e plotë të potencialit të minoritetit maqedonas në Shqipëri”, u shpreh kreu i qeverisë shqiptare, Edi Rama.

Më 11 janar 2018parlamenti i Maqedonisë së Veriut votoi Ligjin për përdorimin e gjuhëve të bashkësive etnike, me të cilin avancohet përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe në të gjitha organet e pushtetit qendror. Ligji kaloi me 69 vota pro, ndërkohë që partia opozitare VMRO-DPMNE duke e cilësuar ligjin si anti-kushtetues e bojkotoi votimin.

Para dy vitesh, kryetari i parlamentit të Maqedonisë së Veriut nënshkroi Ligjin për përdorimin e gjuhëve. Ligji për gjuhët parasheh përdorimin e plotë të gjuhës shqipe, apo siç thuhet të gjuhës që e flasin më shumë se 20 për qind e popullatës, ndryshe nga maqedonishtja, në Qeveri, Kuvend, organet e pushtetit gjyqësor, administratën publike si dhe ndërmarrje e institucione tjera. Pas miratimit të Ligjit, zbatimi i të njëjtit do të fillonte një vit pas hyrjes në fuqi dhe të gjitha institucionet duhet të miratojnë aktet nënligjore për zbatimin e Ligjit për gjuhët. Për institucionet që nuk do të respektojnë ligjin e gjuhëve u parapanë edhe gjoba nga 4 deri në 5 mijë euro, ndërsa ndaj zyrtarëve ose administratorëve që nuk e respektojnë këtë parim do t’u zbritet 30 për qind nga rroga.

Portalb.mk edhe më herët ka raportuar mbi zbrazëtirat në implementimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve. Pas publikimit të artikullit: RMV, askush nuk mban përgjegjësi për tabelat e Shqipërisë së Enverit, ligji i gjuhës lë shumë për të dëshiruar, edhe pse përgjegjësi nuk mori askush, pati një reagim nga disa institucione. Për më tepër lexoni: RMV, pas lajmit të Portalb filloi ndërrimi i tabelave të “Shqipërisë së Enverit”

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button