fbpx

Bankat “notojnë” në para, qytetarët “po mbyten” nga interesi dhe komisionet

Sveto Toevski

Sistemi bankar në Maqedoni përbëhet nga 14 banka afariste dhe 3 shtëpi kursimi. Pandemia aktuale nuk po ndikon shumë negativisht në rezultatet e punës së tyre. Qytetarët – klientët reagojnë ashpër në lidhje me interesat (kamatat), komisionet dhe tarifat e tjera që po i faturojnë bankat afariste.

Portali online “Bankarstvo” në analizën – “A i garantojnë fitimet fillestare bankave edhe një vit tjetër të suksesshëm?” të datës 10.5.2021 publikoi një konstatim se “në tremujorin e parë të vitit 2021 bankat arritën më shumë se rezultate të konsiderueshme financiare”. Sipas portalit, “bankat po mbajnë mirë fitimet, të ardhurat nga interesi po regjistrojnë … një ulje drastike, dhe një pjesë e të ardhurave të reduktuara po kompensohet nga rritja e komisioneve dhe të ardhurave të tjera tarifore”. Fitimin më të madh në tre muajt e parë të këtij viti, respektivisht 8.3 milion euro – e ka arritur Stopanska Banka Shkup. Ajo ndiqet pastaj nga Banka NLB me 8.1 milion euro dhe Komercijalna Banka me 5.9 milion euro.

Bankat në Maqedoni janë mirë të kapitalizuara

Në analizën e mëparshme “Bankat maqedonase me rezultatet më të suksesshme në të gjithë rajonin”, botuar më 17 prill 2021 në të njëjtin portal, vërehet se në vitin 2020, të 14 bankat arritën një fitim total prej rreth 118 milion euro, që është për 9.2 milion euro më shumë se në vitin 2019. Analiza konkludon se “bankat maqedonase janë mirë të kapitalizuara dhe financiarisht të suksesshme”.

Nga të dhënat e paraqitura mund të vështrohet qartë se bankat në Maqedoni mbeten relativisht rezistente ndaj goditjeve, të cilat janë shkaktuar nga pandemia dhe kriza e madhe ekonomike, pavarësisht nga fakti se të ardhurat e tyre kryesore nga interesi janë në rënie. Fakti që nuk do të jenë në gjendje të fitojnë nga interesi, bankat e kompensojnë duke rritur komisionet dhe tarifat e tjera. Përkundër “kapitalizimit të shkëlqyeshëm të bankave maqedonase”, që thjesht do të thotë se ata “notojnë në para”, qëndron varfërimi i madh dhe në rritje i qindra mijëra qytetarëve në Maqedoni, për arsye të ndryshme, nga humbjet e vendeve të punës, ulja e pagave dhe një një numër arsyesh të tjera.

Duke analizuar se sa pandemia e Kovid-19 do të rrisë varfërinë në Maqedoni, në artikullin „Shkurtimisht për politikat 43“ të datës 20.10.2020, “Finance Think” thekson se “kovid-19 ka fuqinë të shtyjë edhe 25 mijë njerëz të tjerë në varfëri relative”, ndërsa efekti në varfërinë absolute (të jetosh me 5.5 dollarë amerikanë në ditë) është më i madh dhe është vlerësuar se do të shtyjë edhe afro 100,000 njerëz shtesë nën këtë prag”. Më 30 tetor 2020, Deutsche Welle transmetoi informacionin e Entit Shtetëror të Statistikës ku thuhet se pothuajse një e katërta e banorëve të Maqedonisë po zhyten në varfëri, respektivisht 455,600 njerëz në vend jetojnë në kushte të vështira, që është 21,9% e popullsisë së përgjithshme. Kjo media gjithashtu raportoi edhe parashikimet e Bankës Botërore nga maji i vitit të kaluar, ku thuhet se numri i punonjësve të varfër do të rritet për dy deri në tre herë. Të gjithë këta qytetarë që po varfërohen me shpejtësi mund të jenë aplikantë të mundshëm të kredive bankare nëse kanë fat të plotësojnë kushtet e kërkuara, ose madje mund të kërkojnë hua “të shpejta” me norma astronime të larta interesi.

Qytetarët reagojnë ashpër në lidhje me komisionet dhe interesat

Në një situatë të tillë jashtëzakonisht të përkeqësuar socio-ekonomike, kur qytetarët e gjejnë veten në rolin e përdoruesve të shërbimeve bankare, ata shfaqin revoltë të madhe për shkak të normave të larta të interesit, komisioneve dhe shumë tarifave të tjera, duke pyetur: pse duhet t’i paguajnë të gjitha këto, cili është arsyetimi për këtë?

Organizata joqeveritare “Anuitet”, e themeluar si shoqatë për mbrojtjen e klientëve të bankave, për shembull, në faqen e saj në Facebook më 9 nëntor 2020, u kërkoi qytetarëve, si klientë të bankave, t’i përgjigjen pyetjes nëse bankat po kryejnë “grabitje shtesë” të qytetarëve të zakonshëm, përmes faturimit të komisioneve të larta për arsye të ndryshme. Përgjigjet e kësaj pyetjeje dhe reagimet e tjera të qytetarëve treguan se cili është mendimi i një pjese të publikut për bankat në tërësi: “Pse duhet një shpenzim për përpunimin e kredive kur ato ashtu kanë norma të larta interesi? Të gjitha komisionet dhe shpenzimet e tjera janë një grabitje e pastër. Komisioni për menaxhimin e llogarisë së transaksionit është grabitja më e madhe.; “Në një shtëpi kursimesh për një kredi prej 5 mijë eurosh, 250 euro komision për përpunimin e kredisë! Fajdexhinj, turp!”; “Të gjitha bankat janë grabitës të njerëzve. Ata po kryejnë një grabitje të legalizuar nga shteti.”; “Të gjitha bankat janë të huaja. A prisni që ata do të kujdesen për popullsinë e Maqedonisë?!”; “A ka ndonjë institucion kompetent që mbron të drejtat e qytetarëve nga grabitja e bankave dhe kompanive financiare?” Kush po e lejon këtë dhe pse? Pse nuk ka sanksione për këtë grabitje të paligjshme?”.

Ndërkohë, sepse ka gjithnjë e më pak qytetarë që kanë mundësi të marrin një kredi nga një bankë, dhe kjo vlen edhe për subjektet afariste, bankat me agresivitet të shtuar ofrojnë kredi, por edhe ulje, ose lehtësim të plotë nga “tarifat e përpunimit”. Në media mund të takoni edhe oferta si më poshtë: “Nëse aplikoni për një kredi deri më 31.7.2021: lehtësim 100% të kostove administrative, 100% lehtësim të kostove të vlerësimit, 100% lehtësim të shpenzimeve të noterisë!”; “Aplikoni deri më 31 maj 2021 pa shpenzime aprovimi! Pa kosto sigurimi/kolaterali. Pa kosto për shlyerje të parakohshme.”; “Bëni kërkesë për hua në denarë pa dedikim: tarifë për aplikim 700 denarë. Komision për miratimin e kredisë 2.5%.”

Shtrohet pyetja: a ekzistojnë mundësi për të kufizuar fitimet e bankave në kurriz të qytetarëve dhe ekonomisë, në atë mënyrë që të ketë një ulje më radikale të shumë llojeve të komisioneve, tarifave të ndryshme të tjera për miratimin e kredive, mbajtjen e llogarive të transaksioneve dhe madje edhe të pagesave për kontrollin më të zakonshëm të një llogarie në ATM (bankomat)? Gjithashtu, çfarë veprimesh mund të ndërmarrin qytetarët për të mbrojtur veten?

Burimi: profit.com.mk

Në një analizë të vitit 2017, qëndrimi i Pavle Gacov nga Shoqata e Këshilltarëve Tatimorë ka treguar që çështja e tarifave/komisioneve bankare nuk është e rregulluar me ligj. Sipas Gacov, vlera e tarifave dhe komisioneve iu është lënë politikave të brendshme të bankave dhe tarifave të tyre dhe për këtë arsye është e nevojshme të bëhet një rregullim i mëtejshëm i Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorëve. Ky ekspert financiar mbron tezën që zgjidhja ligjore të propozohet nga Qeveria, kurse konkurrenca midis bankave të imponojë një ulje të shumave të komisionit, si një çështje në favor të konsumatorëve.

“Kornizë ligjore” dhe “Llogaritës të kredisë” për mbrojtjen e aplikantëve të kredive

Organizata për Mbrojtjen e Konsumatorëve vazhdimisht merr ankesa të shumta nga qytetarët për shkak të shumave të larta të komisioneve, të cilat janë të ndryshme në të gjitha bankat, si dhe për shkak të normave të interesit dhe të ashtuquajturave “kosto të fshehura” me rastin e miratimit të kredive bankare. Qytetarët që përballen me vështirësi të ndryshme financiare shpesh kërkojnë dhe marrin kredi, megjithëse nuk janë njohur më parë me kushtet e miratimit dhe shlyerjes së kredive bankare. Për këtë arsye, në faqen e internetit të Organizatës së Konsumatorëve të Maqedonisë “www.opm.org.mk”, së fundmi janë publikuar “Llogaritës të kredive”. Në një intervistë, kryetarja e kësaj organizate konsumatorësh, Dr. Marijana Lonçar – Velkova shpjegon se “këta llogaritës të kreditit online do t’i ndihmojnë konsumatorët të bëjnë zgjedhje të informuara kur marrin një kredi, shlyerjen e parakohshme të kredisë, ose kur vendosin nëse do të përdorin tejkalimin e limitit të lejuar në llogarinë e transaksionit, ose në kartën bankare”.

Ajo thekson se konsumatorët udhëzohen para se të vendosin të marrin një kredi, për të bërë llogaritjen e tyre paraprake: të përcaktojnë këstin mujor që mund të përballojnë bazuar në të ardhurat dhe shpenzimet e tyre mujore. Qytetarët mësohen të mendojnë për afatet e shlyerjes së kredisë. Llogaritësi ofron një mundësi që konsumatori të llogarisë shumën e huasë ekzistuese, numrin fillestar të kësteve, respektivisht muajt në të cilët do të shlyhej kredia, numrin e mbetur të kësteve të papaguara, normën ekzistuese të interesit dhe normën e re të interesit, nëse dëshiron të rifinancojë kredinë, respektivisht ta transferojë atë në një bankë tjetër.

Lonçar – Velkova, Dr. Jadranka Daboviç Anastasovska dhe Dr. Aleksandar Petkovski gjithashtu hartuan „Kornizë ligjore dhe forma institucionale për mbrojtjen e konsumatorëve të shërbimeve financiare”, e cila i referohet huave konsumatore dhe huave hipotekare të banimit. Korniza ligjore këtë vit u botua nga Organizata e Konsumatorëve dhe në të theksohet se është e domosdoshme të kemi një bazë ligjore, e cila do të detyrojë huadhënësit që t’ua sigurojnë konsumatorëve informacionin me qëllim që t’i lejojë ata të zgjedhin një nga gama e “produkteve” që u përshtatet atyre më së miri dhe i cili nuk do t’i çojë ata në një mbingarkesë financiare. “Kjo kornizë ligjore është e nevojshme gjithashtu për mbrojtjen efektive të të drejtave të konsumatorëve, për t’u siguruar atyre një qasje më të lehtë në gjykata dhe mbarëvajtjen e proceseve, pavarësisht a bëhet fjalë për kallëzime individuale apo kolektive,” – thuhet në këtë dokument.

Shoqata “Anuitet” u thotë klientëve të saj bankarë në faqen e saj të internetit: “Ktheni paratë tuaja përmes një procesi gjyqësor kundër bankave!”. “Bankat në mënyrë të padrejtë ngarkojnë koston e përpunimit të kredive, të ashtuquajturat kosto manipuluese, e cila në shumicën e aplikimeve të aprovuara për kredi është nga 1% deri 3% të shumës së kredisë së aprovuar. Të gjitha komisionet e tjera, të cilët i ngarkohen kredisë, janë kosto që bankat ua faturojnë klientëve të tyre dhe për të cilat nuk kanë të drejtë të faturojnë në përputhje me aktet pozitive ligjore në Maqedoni. Shoqata e klientëve bankarë ofron mundësinë për të gjitha palët e dëmtuara të parashtrojnë falas një padi, në mënyrë që t’i kthejnë paratë e tyre, të cilat janë faturuar në mënyrë të paligjshme. Sipas Shoqatës, “kthimi i kësaj kostoje të paguar mund të kërkohet pavarësisht llojit të kredisë së tërhequr: qoftë kredi banimi, hipotekare, konsumatore, ose kredi e mbuluar me para të gatshme”.

Pandemia e Kovid-19 ka përshpejtuar në masë të madhe pagesat digjitale dhe bankingun celular në të gjithë Evropën, dhe në një masë të konsiderueshme edhe në Maqedoni. Toni Bubier (Tony Boobier) në studimin e tij “Inteligjenca artificiale dhe e ardhmja e bankave” (AI and The Future of Banking), botuar në vitin 2020, tregon shumë qartë se si duhet të funksionojnë bankat e së ardhmes, i cili, në fakt, tashmë është dëshmuar: “Bankat e reja kanë tendencë të ofrojnë shërbime të teknologjisë së lartë me tarifa të ulëta ose pa tarifa, si dhe të ofrojnë përvoja të personalizuara klientëve. Këto banka kanë tendencë të jenë më të shkathëta dhe të afta t’i përshtaten ndryshimit të flukseve financiare.“ Këto prirje dhe forma të reja të punëve bankare në Evropë dhe botë paraqesin tashmë një sfidë edhe për bankat maqedonase: bankat, duan apo nuk duan, do të duhet të mendojnë shumë më tepër për shërbime më të lira dhe për të ndryshuar sjelljen e tyre me klientët.

Nevojiten gjithashtu ndryshime në Ligjin për Bankat dhe aktet tjera ligjore

Nëse pushteti ekzekutiv dhe legjislativ në Maqedoni nuk bëjnë ndryshime me kohë dhe të nevojshme në Ligjin për Bankat dhe aktet e tjera ligjore, në mënyrë që të ndalojnë shfaqjen, nga njëra anë, të “kapitalizimit të shkëlqyeshëm” dhe fitimeve deri në qiell të bankave, dhe për qytetarët e tjerë me buxhete familjare të shembura, llogari të bllokuara bankare ose hipoteka të aktivizuara të kredive të tyre të banimit dhe kredive të tjera, atëherë rolin rregullator do ta marrin ligjet e tregut. Këto ligje janë tashmë në fuqi, gjë që konfirmohet nga rënia e të ardhurave totale të bankave në bazë të normave të interesit. Qytetarët jo vetëm që nuk munden, por edhe nuk dëshirojnë të marrin kredi bankare tepër të shtrenjta, të ngarkuara me tarifa të panumërta.

Ligji për Bankat dhe aktet e tjera ligjore duhet të përfshijnë dispozita që do t’ju kërkojnë bankave të kontrollojnë plotësisht dhe të eleminojnë, ose të ulin rrënjësisht, të gjitha komisionet dhe tarifat e tjera ligjërisht të pabazuara dhe ekonomikisht të pajustifikuara, veçanërisht të hartohen korniza brenda të cilave mund të lëvizin normat e interesit: ato të sillen në nivele që do të lejojnë bankat afariste të punojnë normalisht, por jo edhe të grumbullojnë fitime shtesë. Një pyetje e veçantë është: në Maqedoni – një vend me vetëm 2 milion banorë, a ka nevojë të ketë madje 14 banka afariste? Rritja e kapitalit themelues është një nga mënyrat për të racionalizuar numrin e tyre në këtë moment, në mënyrë që vetëm një numër më i vogël i bankave më të mëdha të vazhdojnë të funksionojnë, të përcaktuara në mënyrë optimale në përputhje me nevojat reale të ekonomisë dhe qytetarëve të Maqedonisë.

Është me rëndësi të madhe të inkurajohet hyrja më e shpejtë e veprimtarisë Fintek (FinTech) në Maqedoni, pra hyrja e ofruesve të rinj të shërbimeve financiare, të cilët duhet të forcojnë dhe automatizojnë qasjen dhe përdorimin e shërbimeve ekzistuese financiare, sepse tani për tani ato janë të kufizuara. Zbatimi i përparimeve teknologjike për kryerjen e pagesave dhe transferimin e parave, kursimet, miratimi i kredive, etj. është akoma në një nivel të ulët në Maqedoni. Mirëpo, do të duhet të përcaktohen gjithashtu edhe normat e interesit, komisionet dhe tarifat për këto kompani financiare fintek, shoqëri financiare jobankare, të cilat kanë lulëzuar vitet e fundit, sepse disa prej tyre nxisin një model të ri të sigurimit të “kredive të shpejta” në internet. Ekzistojnë gjithashtu rreziqe që qytetarët të marrin përsëri kredi me norma joreale interesi, gjë që do t’i ekspozojë ata me borxhe më të mëdha. Fintek – kjo veprimtari/aktivitet është një konkurrencë e drejtpërdrejtë e bankave afariste.

Burimi: Respublica

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button