Punonjësit e Apple, kundër planit për kthim në zyra

Punonjësit e gjigantit amerikan të teknologjisë, Apple, raportohet se kanë nisur një fushatë kundër planeve të shefit Tim Cook për kthimin në zyra, transmeton REL.

Fushata pason një letër që Cook u ka dërguar punëtorëve javën e kaluar, me kërkesën që të kthehen në zyra së paku tri ditë në javë, nisur nga shtatori.

Por, sipas një letre të brendshme, të siguruar nga ueb-faqja e lajmeve The Verge, stafi kërkon më shumë fleksibilitet, duke ua lënë individëve të vendosin nëse duan të punojnë nga shtëpia apo të dalin në zyrë.

“Gjatë vitit të kaluar, ne shpesh ndiheshim jo vetëm të padëgjuar, por ndonjëherë edhe të injoruar”, thotë letra, e cila e akuzon menaxhmentin për një “shkëputje” me punonjësit, sa i përket temës së punës në distancë.

Shumë kompani e kanë bartur punën në shtëpi pranverën e vitit të kaluar, kur edhe ka shpërthyer pandemia e koronavirusit.

Me rënien e infektimeve në disa pjesë të botës ka nisur të rritet edhe numri i punonjësve që kthehen në zyra.

Gjiganti i kërkimeve në internet Google tashmë i ka kërkuar stafit që të kthehet në zyra tre ditë në javë, nisur po ashtu nga shtatori.

Por, gjigantët e tjerë të teknologjisë kanë marrë një qasje më të relaksuar.

Facebook ka thënë më herët se beson se puna në distancë është “e ardhmja” dhe se stafi mund të vazhdojë të punojë nga shtëpia.

Ndërkaq, Twitter, në maj të vitit 2020, u ka thënë punonjësve të tij se mund të punojnë nga shtëpia “përgjithmonë”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button