Ndryshimi i klimës: Devijime rekord të temperaturave mesatare të ajrit në Maqedoninë e Veriut (Infografik)

Maqedonia e Veriut ka vite që përballet me devijime nga temperaturat mesatare vjetore të ajrit. Ndryshimet klimatike me të cilat përballet bota janë të pranishme edhe në vendin tonë. Sidoqoftë, në vitin 2019, devijime rekord të temperaturës u regjistruan në disa vendbanime. Ne e zgjodhëm Shkupin, Gjevgjelinë dhe Lazaropolën si tre lokacione (kryeqyteti, një nga vendet më të ngrohta dhe një nga vendet më të ftohta në vend) për të paraqitur ndryshimet në gjendjen me klimën në vendin tonë, njofton Meta.mk.

Sipas të dhënave të Ministrisë për mjedis jetësor dhe planifikim hapësinor, të cilat u matën nga Drejtoria për hidrometeorologjike, temperatura mesatare njëvjeçare e ajrit në Shkup për periudhën 1981-1990 ka qenë 12.6 gradë. Matjet nga viti 1990 deri në vitin 2019 tregojnë se temperaturat mesatare më të ulëta janë matur në vitet 1995, 2005 dhe 2006. Nga ana tjetër, rritje të temperaturave pa përjashtim janë matur gjatë dekadës së kaluar. Kështu, devijim rekord prej 2 gradë Celsius u mat në vitin 2019.

Në qytetin më të nxehtë të vendit, Gjevgjeli, matjet tregojnë rezultate edhe më shqetësuese. Në vitin 2019, temperatura mesatare e ajrit ishte 2,5 gradë më e lartë se temperatura mesatare vjetore e matur në periudhën 1961-1990. Në Gjevgjeli, në vend të 14,1 gradë Celsius, janë matur 16,6 gradë. Ashtu si në kryeqytet, në Gjevgjeli në dekadën e kaluar janë regjistruar vetëm vite më të ngrohta se zakonisht për këtë vendbanim.

Edhe vendi më i ftohtë në vend, fshati Llazaropole, po përballet me rritje të temperaturave mesatare gjatë dekadës së fundit. Një devijim rekord prej 1,7 gradë Celsius u mat në vitin 2019, kur temperatura e ajrit arriti në 8.5 gradë. Ky vendbanim ka pas temperaturën mesatare më të ulët vjetore të ajrit për periudhën 1961-1990, prej 6.8 gradë. Sidoqoftë, hera e fundit kur është matur temperaturë mesatare vjetore pothuajse identike ishte në 2006.

Për ekspertët, klima e Tokës gjithmonë ka ndryshuar, por gjatë këtyre ndryshimeve janë regjistruar devijime pozitive dhe negative të temperaturës, që do të thotë se ka pasur periudha më të ngrohta ose më të ftohta. Sidoqoftë, studimet e kryera në vitet e fundit tregojnë se shkalla e shkrirjes së akullit në Antarktik dhe Grenland është shqetësuese, kurse para pak kohe është ndarë ajsbergu gjigand më i madh në Antarktik me një sipërfaqe prej 4.320 kilometra katrorë.

Maqedonia e Veriut në indeksin e klimës nga “Germanwatch” në vitin 2016 u rendit e teta ndër vendet në botë sipas shkallës së kërcënimit nga ndryshimet klimatike, pas përmbytjeve katastrofike në rajonin e Shkupit në gusht të vitit 2016. Vendi gjithashtu ratifikoi Marrëveshjen e Parisit për ndryshime klimatike, i nënshkruar pesë vjet më parë, në të cilën vendet nënshkruese të Konventës kornizë të KB për ndryshime klimatike u zotuan të mbajnë temperaturat mesatare globale nën 2 gradë Celsius mbi nivelet para-industriale, deri në 1,5 gradë.

Pothuajse të gjitha vendet në botë e kanë ratifikuar marrëveshjen në nivelin kombëtar, duke marrë obligimin kështu për të ndërmarrë veprime në nivel kombëtar dhe lokal për të zvogëluar emetimet e gazrave serë. Megjithatë, temperaturat mesatare vjetore të ajrit të matura në Maqedoninë e Veriut tregojnë se qëllime të tilla të vendosura që vendi ynë i ka marrë përsipër si detyrim vështirë mund të arrihen në realitet.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button