SOCIOLOGJI (PAS)LUFTE: QUO VADIS, AIDA? (I)

“Jeta dhe vdekja në Srebrenicë” (New York Times) apo “Nga shkon një shoqëri pas luftës?” (NPR). Ballkani si një zonë “ekzotike” dhe turbulente gjithnjë ka shënuar agjendat e Europës, madje të botës mbarë. Nga sporti e muzika, deri te mikronacionalizmat e shëmtitë si masakrat që do mbeten në kujtesën e historisë si vrragë e barbarizmit në mes të qytetërimit. Kah po shkon Aidë? Ky është titulli i filmit të fundit të regjisores boshnjake Jasmila Zhbaniq, me temë shumë të ndjeshme politike, luftën apo kalvarin 1992-1995 dhe kuptimin e tyre në një shoqëri post-luftarake që s’di ku e ka kryet. Është një rrëfim që prek relacionin mes qeverisë dhe politikës, historinë militare, sociologjinë politike dhe marrëdhëniet ndërkombëtare; është dramë që nga “Deutche Welle” është cilësuar si fenomen kulturologjik, nominuar për çmimin Oscar në kategorinë e filmit më të mirë jashtë hapësirës anglishtfolëse, në konkurrencë me filmin danez “Edhe një turë”, me atë hongkongas “Ditë më të mira”, rumun “Kolektivi” dhe tunizianin “Njeriu që shiti lëkurën e vet”. Në të ekranizohet masakra e Srebrenicës, si mit themelues negativ i shtetit boshnjak, si një krim që të kujton Aushvicin, pas të cilit sipas Adorno-s “nuk mund të shkruhet më poezi”. Si një ngjarje, si një dramë që edhe pas 25 viteve ndjehet në Bosnjë, që ndikon në jetën e përditshme të qytetarëve të saj, si traumë, në veçanti te gratë për shkak të një lufte që si të gjitha të tjerat është nisur nga burrat por e ka pësuar njeriu, njerëzimi. Këtë radhë rrëfimi i luftës si banalitet bëhet nga një femër, në një nivel human brenda 103 minutave dhe 52 sekondave, të shpalosura për së pari herë në Festivalin e 77 të Filmit të Venedikut.

Në fakt, Aida është një përkthyese për ndërkombëtarët gjatë luftës së Bosnjës që mundohet ta shpëtojë familjen e vet gjatë ngjarjeve të vitit 1995 në një qytet të vogël boshnjak të pushtuar nga serbët: Srebrencia famoze. “Ky film na mëson se çfarë ka ndodhur në Bosnjë në vitin 1995, se çfarë mund të ndodhë sot nëse nuk jemi mjaftueshëm të kujdesshëm për institucionet demokratike dhe nëse nuk brengosemi për gjërat përreth”, nëse nuk merremi me njerëzit që marrin forcë që pastaj nëpërmjet saj gjithçka e shndërrojnë në ferr, në një Holokaust të ri që dukej i pamagjinueshëm për shekullin XX, por ja që ndodhi si më keq – shprehet Zhbaniq. Interesant është fakti se rolin e personazhit fiktiv Aida e luan serbja Jasna Gjuriçiq, që në opinionin publik serb u cilësua si tradhtare, ndërsa jashtë Serbisë si një femër shumë trime që mori guximin të aktrojë në një çështje shumë të prekshme, ku godet imazhin e popullit të vet, ku faktikisht si individ pranon fajin e kryer nga jonjeriu. Të vihesh në shënjestër të miliona bashkatdhetarëve, gjegjësisht të mendësisë kolektive vetjake nuk është punë e vogël, do guxim. Por në botë ende ka njerëz në plotkuptimin e fjalës që e shohin të vërtetën në ballë. Vetë Gjuriçiq ka pohuar se s’është trimëreshë, se vetëm e kryen detyrën e vet profesionale si aktore. Është një aktore mahnitëse, një njeri mbresëlënës (Hammond, 2021), që mes tjerash ka deklaruar se nënat boshnjake i ka si fis, se njerëzit për të janë njerëz, viktimat, viktima pa marrë përkatësinë e tyre.

Quo vadis, Aida? është një film që rikujton dhe edukon, e kundërshton harresën dhe mundohet për pajtim edhe përkundër dyqind mijë viktimave, 8.000 vetëm në Srebrenicë, nga të cilët 1.700 ende shënohen si të pagjetur, edhe përkundër mohimit të gjenocidit nga pala serbe e Bosnjës dhe ajo zyrtare e Serbisë. Zhbaniq dhe figura e saj fiktive kryesore Aida (Selmanagiq), profesoreshë e shkollës së mesme shndërruar në përkthyese, ndërmjetësuese mes dy botëve, mes publikut nga njëra anë dhe përvojës historike nga ana tjetër, një përkthyese e gënjeshtrave të forcave serbe dhe premtimeve boshe të Kombeve të Bashkuara, të burokracisë obstruktive që lejoi ekzekutimin e mijëra boshnjakëve, në mënyrë shumë profesionale na e rrëfejnë një kapitull nga ferri boshnjak i shekullit XX. Nga ky ferr që ka bërë të pavlefshme të gjitha narracionet për zhvillimin progresiv të historisë, për mitin e njeriut modern, të qytetëruar, racional, humanist. (vijon)

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button